Shtojca për Kulturë

“DokuFesti” përtej festivalit s’e duron indiferencën

Jo tema e sivjetme, por konstatimi “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”, është hipoteza e “DokuFest” të cilën synon ta përmbysë duke protestuar me filma dhe krejt programet e tij (Foto: DokuFest)

Jo tema e sivjetme, por konstatimi “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”, është hipoteza e “DokuFest” të cilën synon ta përmbysë duke protestuar me filma dhe krejt programet e tij (Foto: DokuFest)

Ndikimi i tij në synimin që ta ngacmojë indiferencën e njeriut ndaj gjenocidit dhe mungesën e ndjeshmërisë, është i menjëhershëm. Tenton ta bëjë njeriun njeri. Dhe ndjesia si kjo është e pashmangshme sapo zbardh mëngjesi i parë në Prizrenin e “DokuFestit”. Shenjat e tij janë gjithandej, është i dukshëm me “rekuizitat” e tij, por një ngjarje si kjo nuk është thjesht festival filmi. Për dikë është parashikues i së ardhmes, dikush tek ai gjen konceptin e vërtetë të lirisë. Projektorët janë ndezur, “Agatha’s Almanac” është vetëm njeri prej filmave të së shtunës, “DokuTalks” ka hapur temën e parë dhe maratona vazhdon

Efekti i kinematografisë është shumë më i madh sesa ngjan, thonë kineastët. Ndezja e ekranit me ngjarje që e preokupojnë botën është një lloj rituali për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. 

Titulli i sivjetmë synon ta ngacmojë indiferencën e njeriut ndaj gjenocidit dhe mungesën e ndjeshmërisë. Tenton ta bëjë njeriun njeri. Ai që i përket kësaj epoke, është larg virtyteve të kësaj qenie dhe, jo tema e sivjetme, por konstatimi “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”, është hipoteza e “DokuFest” të cilën synon ta përmbysë duke protestuar me filma dhe krejt programet e tij.

Një ngjarje që i paraprin së ardhmes

Ndikimi i “DokuFestit” në Prizren është i shumëfishtë në shumë mënyra. Dinamika e qytetit, atmosfera harmonike, hapësira kulturore e historike që ringjallen e deri te pjesa e turizmit dhe e dobive për bizneset. Më vetvete qyteti është vetë histori. Rrethuar me përplot monumente, brenda pak minutash shëtitje, ecën lehtësisht nëpër trashëgiminë kulturore lehtësisht. 

Atmosfera është pak a shumë si përgjatë gjithë edicioneve të kaluara të ngjarjes me nam në skenën ndërkombëtare të kinematografisë. Në qytetin ku fliten shumë gjuhë, anglishtja bëhet zyrtarja. Janë rreth dyqind mysafirë të Festivalit, plus publik nga të katër anët. 

Kafehanet skaj shesheve kryesore janë përplot, e në secilën tavolinë e dritare të tyre, posterët e “DokuFest” janë të pashmangshëm. Secili prej tyre mban në rafte e tavolina katalogët e Festivalit. Është e pamundur të kalosh rrugicave të qytetit pa dëgjuar të rinj e të moshuar tek flasin për këtë ngjarje. 

Jehona e ngjarjes në vend e jashtë tij është padiskutueshme. Por sivjet i qartë ka qenë edhe interesimi i publikut në Prizren, qytet që Festivali e ka bërë të njohur në skenën ndërkombëtare dhe e ka vendosur si hapësirë të rëndësishme të kinematografisë në botë. 

Si festival që i paraprin të ardhmes e konsideron ngjarjen drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. 

“Atë që çdo vit ‘DokuFesti’ e bën është se çdo vit e ka një temë aktuale. Kjo është një veçanti shumë e madhe e këtij Festivali, që na bën të mendojmë dhe të rezonojmë për tema të ndryshme përmes filmave dhe programeve që sjell. Për këtë arsye mendoj se është Festival shumë i veçantë sepse sa herë vjen këtu, kthehesh me një horizont shumë më të hapur dhe prej filmave që ke parë e kupton se çfarë ndodh në botë. E shoh si një Festival i cili i paraprin të ardhmes”, është shprehur ajo. 

Ka thënë se “DokuFest” e ka bërë shtetin qendër të rëndësishme të filmit. 

“’DokuFesti’ është një prej ngjarjeve kryesore të filmit që ndodhin në Kosovë. Është një festival i cili e ka vendosur Kosovën në qendër të kinematografisë dhe filmit dokumentar sidomos. Përgjatë ditëve sa mbahet Festivali, që nga fillimi e deri tash, është koha kur kineastët nga Kosova e bota mblidhen këtu. Me kënaqësi të madhe e përcjell dhe jemi prezentë, edhe para se të isha drejtoreshë, edhe tash si udhëheqëse e Qendrës Kinematografike”, ka thënë Zeqiri. 

Producentja suedeze, Jenny Luukkonen, ka ardhur për herë të parë në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Ka dëgjuar shumë për ngjarjen paraprakisht. Madje njerëz të fushës së kinematografisë, siç ka treguar, i kanë thënë se është në top-tre festivalet e dokumentarëve.

Atmosfera është pak a shumë si përgjatë gjithë edicioneve të kaluara të ngjarjes me nam në skenën ndërkombëtare të kinematografisë. Në qytetin ku fliten shumë gjuhë, anglishtja bëhet zyrtarja. Janë rreth dyqind mysafirë të Festivalit, plus publik nga të katër anët (Foto: DokuFest)

Liria për ta goditur realitetin

“Kam dëgjuar për festivalin, natyrisht. Ka goxha reputacion. Para se të vija më thanë se është një ndër top-tri festivalet e dokumentarit në botë, kështu që isha shumë e emocionuar të vija. Tema e Festivalit është shumë specifike dhe mendoj që është shumë mirë që një festival si ‘DokuFest’ ta sjellë dhe të thotë gjëra ndryshe që festivale të tjera të mëdha nuk do ta bënin. Isha në hapje dhe vërehet se kjo ngjarje e ka lirinë për t’u shprehur haptazi për tema të ndryshe”, është shprehur ajo. 

Derisa ka folur më tej për temën, ka thënë se tema e zgjedhur nga “DokuFest” është e qëlluar. Duke përcjellë filmat e Festivalit do të shoh edhe mënyrën se si i qaset temës. 

“Fatkeqësisht që tema është gjithmonë një temë aktuale dhe është e rëndësishme të gjejmë forma të ndryshme për të diskutuar për një temë të tillë. Kjo është ajo për të cilën jam e interesuar për këtë festival, që të shoh sesi do t’i qaset kësaj teme dhe në çfarë forma. Është gjithmonë e rëndësishme të ketë diskutime të tilla. Filmi i hapjes ‘The Helsinki Effect’ iu përshtat temës dhe bazuar në këtë rrëfim, ishte mesazh se ne duhet të vazhdojmë të flasim për këto çështje me njëri-tjetrin”, ka thënë Jenny Luukkonen, e cila është njëra nga anëtarët e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër ndërkombëtarë. 

Në temën “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”, sivjet filmat, diskutimet e muzika vijnë si thirrje e protestë kundër mungesës së ndjeshmërisë, harresës e shkëputjes nga realiteti. 

Kuratorja e ekspertja e filmave të shkurtër, danezja Jing Haase, ka thënë se fuqia e kinematografisë për ta bërë këtë është e madhe. 

“Filmi dhe arti mund të bëjnë shumë, edhe pse mund të mos e shohësh menjëherë efektin se si po ndodh. Është e rëndësishme që ‘DokuFest’ i bën këto gjëra dhe vërtetë e përjetojnë atë që e bëjnë, sepse deklaratat e tyre për këtë edicion nuk janë thjesht fjalë. I gjithë festivali me gjithë aktivitetet, vërtetë mundohet të bëjë ndryshim. Për këtë arsye e dua këtë Festival që nga hera e parë që kam ardhur”, ka thënë ajo. 

Ka vite që është pjesë e Festivalit. Nga përvoja e saj thotë se temat përherë zgjidhen bazuar në ngjarjet globale që vërtetë i preokupojnë organizatorët. 

“E di sa shumë bëjnë për këtë ngjarje. E di mënyrën se si Festivali ka filluar në këtë vend kur nuk kishte asgjë dhe për mënyrën sesi ky vend ka ndryshuar. Filmbërja ka ndryshuar dhe edhe Festivali e ka bërë këtë. Prandaj mendoj se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme edhe pse këto tema politike janë të përfshira. Organizatorët nuk bëjnë vetëm festival, por sigurohen edhe që gjeneratat e ardhshme të edukohen, jo për të bërë thjesht filma të zakonshëm hollivudianë, por për të krijuar filma që janë kuptimplotë”, është shprehur ekspertja e filmave të shkurtër, Jing Haase. 

Ajo do të jetë pjesë e Forumit të Filmit të Shkurtër. Është një nga personazhet e prezantimeve të projekteve ku do t’i këshillojë filmbërësit e rinj e do të ndajë përvojën e saj me ta. 

“Ata do të prezantojnë projektet e tyre dhe ne do të shpresojmë që ata të përfundojnë projektet e tyre e më pas të udhëtojnë nëpër botë me to”, ka thënë ajo.

Posterët e “DokuFest” janë të pashmangshëm... (Foto: DokuFest)

“Agatha’s Almanac” për qetësinë në kaos

Që nga dita e parë pas hapjes së “DokuFestit”, programi është shtrirë që nga paraditja e deri natën vonë me koncert. Një fragment i programit ka qenë shfaqja e filmit “Agatha’s Almanac” i regjisores kanadeze Amalie Atkins. 

Filmi sjell atmosferën tejet të qetë në të njëjtin univers ku kaosi është në kulm. Protagonistja e filmit, 90-vjeçarja Agatha Bock jeton në qetësi maksimale, të tepruar madje. Krejtësisht e vetme, është regjisorja ajo e cila për rreth katër vjet, me projektin e saj filmik, e shoqëron në rrugëtimin e saj si fermere. Janë plot 54 hektarë tokë që i punon. Të qenët fermere duket se është ngushëllimi më i madh për të si e vetmja anëtare në shtëpinë e saj të vjetër. E kërrusur, e shtyrë në moshë, plantacionet e saj me fruta e perime janë produkti i përkushtimit të saj. 

Vajza e saj që jeton larg, tregon në telefon se si edhe ajo si fëmijë përkushtohej për të mbledhur pemë e perime për t'i shitur ato e për të fituar sado pak para. Madje do ta linte edhe mësimin kurdo që kishte kërkesa. 

Gjësendet që përdor dhe shtëpia e vjetër e Agathas janë fiksuar me shirit ngjitës, për këtë arsye ajo edhe njihet nga të afërmit e saj si “mbretëresha e shiritit ngjitës”. Në kohën kur plot njerëz dëshpërohen me zgjedhjen e shalqirit të gabuar, Agatha jep leksione për zgjedhjen perfekte. Ajo është karakter në vetvete. Një beqare gjatë gjithë jetës së saj, ndan edhe historitë e përpjekjeve për t’u njoftuar me dikë duke e përcjellë rrëfimin e saj me leksione për të rinjtë. Tregon se si kurrë nuk është ndier e vetmuar, sepse ka pasur çfarë të bëjë gjithë jetën e saj. Dhe ende ka. 

Ajo hap edhe tema si vala e nxehtësisë, ndryshimet klimatike, stuhitë. 

Kah fillimi i rrëfimit në filmin dokumentar ka thënë se është 86-vjeçare. Në fund, një prej momenteve është edhe ditëlindja e saj e 90-të, më 7 mars të vitit të kaluar. 

Filmi është shfaqur në “DokuKino” dhe garon në kategorinë e filmave ndërkombëtarë.

Ndikimi i “DokuFestit” në Prizren është i shumëfishtë në shumë mënyra. Dinamika e qytetit, atmosfera harmonike, hapësira kulturore e historike që ringjallen e deri te pjesa e turizmit dhe e dobive për bizneset. Më vetvete qyteti është vetë histori. E histori të shumta vijnë me “DokuFestin” në Prizren (Foto: DokuFest)

“DokuTalks” për gratë e paqes, drejtësisë dhe rezistencës

Të shtunën ka nisur e para ngjarje në kuadër të “DokuTalks”. Pasdite në ambientet e shkollës së muzikës “Lorenc Antoni” është diskutuar për gratë e paqes, drejtësisë e rezistencës, me fokus në veprimtarinë e tyre në fushën e kinematografisë.

“Jemi shumë krenarë të fillojmë programin e ‘DokuTalks’ me këtë diskutim kaq të rëndësishëm. Jemi të kënaqur që kemi disa prej filmbërësve më të mirë në Ballkan të cilat shpesh kanë hapur arkivat dhe rrëfimet e tyre. Kemi punuar dhe bashkëpunuar me filmbërëse të ndryshme, veçmas me animatore, siç ka ngjarë me Flaka Kokollin, e cila u bashkua me një film të animuar, gjithashtu edhe me Institutin Skocez të Dokumentarëve ku kemi dy filmbërëse”, ka thënë Eroll Bilibani, njëri prej organizatorëve të “DokuFest”. 

Me këtë rast është promovuar edhe libri “Rezistenca – Gratë e paqes dhe drejtësisë në ish-Jugosllavi dhe Shqipëri”. Botimi vjen në shqip, anglisht dhe serbisht. Aty shpalosen historitë gojore të njëmbëdhjetë aktivisteve nga gjithë Ballkani. Personazhet janë gra të cilat kanë sfiduar shtypjen dhe kanë kontribuar për të nxjerrë në pah të vërtetën, në kontekste të ndryshme. 

Regjisorja Norika Sefa ka qenë njëra prej panelisteve. Ka thënë se kinemaja është art më vete. Sipas saj gjithçka është rreth pyetjes, por se nganjëherë jepen përgjigje artificiale në projekte filmike.

“Kinemaja ime, apo ajo që mundohem të bëj me kinemanë time, është pyetje. Unë bëj pyetje. E kam punuar një film të gjatë artistik dhe më pas këtë film të shkurtër sepse për mua pyetja është se: çfarë është e vërtetë? Kemi një realitet dhe tani realiteti është lufta në Gaza, kështu që sa shpejt mund t’i përshtatemi këtij realiteti. Pastaj në filmin fiksion mund të modifikosh shumë për ta bërë botën të ndjej dhembshuri për këtë histori, por kur punon me pamjen arkivore, ato janë vetë historia, testament”, ka thënë ajo në panel. 

Regjisorja maqedonase Kumjana Novakova ka folur për bashkëpunimin midis grave filmbërëse të Ballkanit. 

“Për mua nuk ka rëndësi krijimi i urave, por ka të bëjë më shumë me analogjinë e urave. Sepse urat ekzistojnë, asnjë film dhe regji, çfarëdo formë arti të jetë, gjuha e përbashkët është e mundshme pa njohjen e punës së njëri-tjetrit. Disa nga ne hapemi dhe e bëjmë të qartë këtë për kolektivin, por shoqëria në të cilën po jetojmë, e që është liberalizëm kapitalist, në mënyrë konstante e shtyn individualitetin”, është shprehur ajo. 

Studiuesi dhe kritiku i filmit, Sanjin Pejkoviq, ka krahasuar filmbërëset në kohën e ish-Jugosllavisë dhe tani. 

“Nuk dua të bëj paralele me të tashmen dhe kohën e ish-Jugosllavisë, por do të doja të përmendja se gratë filmbërëse në ish-Jugosllavi ishin të fshehura, të margjinalizuara, të shtypura, madje kishte shumë pak. Stereotipizimi i grave që konsiderohen kryesisht si shtëpiake, më shumë sesa heroina partizane, e bëjnë të mundshme çdo gjë në mënyrë që ta vizualizojnë rrëfimet e tyre. Kjo ka ndryshuar pas ish-Jugosllavisë dhe tani kemi shumë filmbërëse në rajon”, ka thënë ai. 

Blerina Hankollari, pjesë e industrisë së filmit, duke u fokusuar në aspektin historik, ka thënë se nuk janë eksploruar të gjitha dimensionet e historisë që është prezantuar. 

“Njëzet vjetët e fundit kanë qenë shumë interesante për shkak të institucioneve akademike që punojnë në shumë projekte të fokusuara thellësisht në mikro-historinë dhe narrativën që vjen nga periudha të errëta të vendit, sidomos nga Departamenti i Antropologjisë, por gjithashtu nga Universiteti”, ka thënë ajo. 

Paneli është moderuar nga Aurela Kadriu, sociologe, studiuese dhe menaxhere kulturore. 

Me “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër i vë pasqyrë njerëzores në botën e përçarë midis dy ekstremeve. Synon t’ia heqë luftës pluhurosjen nga harresa e mungesa e ndjenjës.