Derisa për “Luftën e fshehur” mund të thuhet, në planin tipologjik e në rrafshin përmbajtjesor, se është roman psikologjik i luftës, kurse në atë struktural, formal të organizimit të përmbajtjes është roman i hapësirës, për romanin apo prozën “Anteu” mund të them se është, krahas potencialit tjetër tipologjik, roman tipik i kohës. Jusuf Buxhovi, “Lufta e fshehur, Anteu”, “Faik Konica”, “Jalifat Publishing”, Prishtinë, 2026
Në shenjë të prozës psikologjike e filozofike
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoJusuf Buxhovi, historian, autor dramash, romansier, publicist, një nga figurat më të shquara të kulturës e të letërsisë bashkëkohore shqiptare, edhe me prozat “Lufta e fshehur” dhe “Anteu” shfaqet para lexuesit me një tipar karakteristik për krijimtarinë e tij të pasur: me tiparin e origjinalitetit krijues! Kur e them këtë kam parasysh perspektivën e veçantë të vëzhgimit dhe të transponimit të realitetit jetësor në realitetin letrar që, realitetin e luftës, atë të luftës së fundit (1998/9) e modelon nga një perspektivë origjinale. Kjo prozë letrare, që qëndron midis novelës së gjatë dhe romanit, tematikisht dhe kontekstualisht ndërtohet mbi realitetin e luftës, mbi realitetin paradoksal e tragjik të kësaj lufte. Kur them se kjo prozë qëndron midis novelës së gjatë dhe romanit, dua të them edhe atë se kjo prozë, si e tillë, realizohet si një prozë koherente, me kohezionin e duhur tematik, motivor dhe ideofilozofik, ashtu edhe në plan struktural e formësor. Në këtë kuptim, po u vështrua nga aspekti tematik, proza “Lufta e fshehur” është një prozë e luftës, një roman mbi luftën, një prozë e cila shpalos, para së gjithash, fatet e një kategorie të veçantë të njerëzve, që e popullojnë këtë prozë. Dhe, qysh këtu do të doja të theksoj se derisa zakonisht, lufta e trajtuar në prozën tonë vështrohet nga një optikë heroike, nga një këndshikim që afirmon, me të drejtë, qëndresën dhe tragjiken e saj, realiteti i luftës në prozën “Lufta e fshehur” vëzhgohet nga një perspektivë artistike origjinale, e cila identifikon, para së gjithash, krahas dimensioneve tragjike, dimensionet paradoksale, ato fusha të realitetit e të fatit të individëve, që nuk janë tematizuar deri tash në prozën tonë letrare! Përse them kështu? Në qendër të fokusit artistik të kësaj proze vendoset Ceni i Monaosës, një pijanik i llojit të vet, i pashpresë dhe i pashpëtim, njeriu i dëshpëruar dhe i zhgënjyer pas vdekjes së gruas së tij, të cilin vetëm përhumbja dhe dorëzimi i plotë pijes ia ofron qetësinë e përkohshme! Cili është Ceni i Monaosës, ai i cili guxon të shkelë në zonën e vdekjes, në zonën e kontrolluar nga militarët e paramilitarët serbë? Është njeriu i zhgënjyer, njeriu i cili, duke mos mundur me u përballë me ferrin e jetës së tij, kur i thuhet se po shkonte drejt paramilitarëve serbë e se do të vritej pamëshirshëm, thotë: “Po kërkoj vrasës, ndonëse jam i vrarë.” Është alkoolisti kronik, njeriu i varur plotësisht nga alkooli, njeriu i cili nuk i frikohet vdekjes, sepse, siç e thotë në një meditim të tij në varreza kur përballet me vdekjen, “të vdekurit nuk mund të vriten”. Duke qenë se për shkak të zhvillimeve të luftës, i shteron alkooli në njërën gjysmë të qytetit, aty ku ai i mbijeton dhembjes, dëshpërimit dhe zhgënjimit të pashërueshëm, aty te kafeneja “N’ta marrtë mendja”, ai shtrëngohet të kalojë, siç u tha, në pjesën tjetër të qytetit, në zonën nën kontroll të forcave paramilitare e militare serbe, qoftë edhe me rrezikun e sigurt se me çdo hap të tij po i afrohej vdekjes: “Tek e fundit, a nuk ishte nisur te Ura e Taliqit me betimin: pije ose vdekje, që i ishte nënshtruar para njëzet vjetësh, ditën që kishte varrosur Lalën.” (Jusuf Buxhovi, “Lufta e fshehur”, “Anteu”, “Faik Konica”, “Jalifat Publishing”, Prishtinë, 2026, f.11). Kështu përafërsisht, në një atmosferë, pos vrastare, edhe delirante, fillon proza “Lufta e fshehur”, ai rrugëtimi i kryepersonazhit nëpër situatat e luftës, të cilat lexuesit i artikulohen e shpalosën nga rrëfimtari, nga rrëfimtari i cili rrëfen nga pozicioni i vetës së tretë dhe i cili, prej këtij pozicioni, regjistron, fikson, identifikon përjetimet paradoksale dhe absurde të rrugëtimit të Cenit të Monaosës, që, kur kalon në anën tjetër të qytetit, takohet me “homologun” e tij të pijes, me kolonelin serb, që udhëheq ushtrinë dhe e zhvillon luftën e tij, gjithnjë në funksion të politikës dhe duke iu nënshtruar urdhrave të saj vrastare, por ndryshe, siç e thotë, nga paramilitarët e Savës së Zi, që ”vrasin mizorisht fëmijë, gra, të moshuar dhe këdo që takojnë. Dhunojnë e bëjnë çmos dhe tallen me viktimat...” (f. 23). Duke qenë se Ceni i Monaosës, në garën e pijes me Kolonelin e dëshpëruar serb, i cili nuk di as ku e ka familjen, e cila e ka braktisur dhe ka ikur diku në Londër, duke qenë se, pra, në një situatë makabre të luftës, pas një ploje, ku prishet gara e pijes, e ndihmon kolonelin, ky i fundit, duke e përdor autoritetin prej ushtarakut të lartë, me dekretin e me nënshkrimin e tij, e vë në mbrojtje Cenin e Monaosës dhe Ceni, në gjendje të dehjes kronike, lëviz “lirshëm” në zonën, të cilën ushtria dhe militarët serbë e kontrollojnë dhe, si rezultat i saj, përmes identifikimit të situatave të luftës në atë zonë, shpalosen paradokset, shëmtitë, tragjikja dhe ironia e luftës. Autori, duke shpalosur përjetimet individuale të kryepersonazhit, duke e përcjellë atë në situata e zhvillime të rëndësishme të luftës, në të vërtetë, regjistron artistikisht paradokset e luftës, sepse vetëm duke e futur kryepersonazhin në zonën e tillë mund të regjistroheshin një pjesë e paradokseve, e shëmtive dhe tragjikja e luftës: le të përmendim këtu kalimthi plojën e kafenesë së pistë të Osek Hylës (bombardimin nga NATO-ja), apo zhvillimet me takimin tjetër me Kolonelin në Kullën e Qerimit në garën e pijes, ku vritet i zoti i shtëpisë, si një nga njerëzit e familjeve të mëdha që e luajnë lojën e kolaboracionistëve (Forcat për mbrojtjen vendore) apo jetesën në varreza dhe takimin me doktor Dylberin dhe zhvillimet e tjera në varreza, që kufizojnë me plane kontrabande e deri në orgji seksuale të llojit të vet. Krahas identifikimit të doktor Dylberit, edhe përmes vetërrëfimit të tij pervers për orgjitë seksuale, në një situatë inventive të ambientit të luftës, autori, duke përcjellë përjetimet e kryepersonazhit në atë rrugëtimin e tij drejt vdekjes, shpalos tmerrin e luftës, ironinë dhe shëmtinë e luftës nga një shtresë e njerëzve, të cilët përfitojnë nga tragjikja e luftës, kur regjistron bisedat e një grupi kriminal: “Në pije e sipër, herë me rend e herë pa të, me të qeshura e hingëllima, flisnin për ato me të cilat merreshin. Dini fliste për armë. Xaja fliste për deviza dhe ar. Ndërsa Hima fliste për refugjatët kah Qafa e Prushit, asaj të Morinës dhe më rrallë kah Maqedonia, që i nxirrte prej andej me deviza të majme ose stoli të çmueshme. Në ato punët e tyre, vazhdimisht ziheshin ngoje ndërmjetës të paramilitarëve, policë me të cilët punonin, po edhe prostituta që përdoreshin për përfitime të pista, që u shkojnë gjendjeve të tilla.” (f. 64/5). Për ta krijuar, përkatësisht për ta përplotësuar imazhin për botën komplekse të kryepersonazhit, Cenit të Monaosës, sado rob i alkoolit, dhe të situatave të tij, përmes të cilave optika e Buxhovit ndriçon situatat e luftës nga një perspektivë tjetër, e pazakonshme, do të sjellë edhe një përjetim tjetër të botës e të situatës së tij të skajshme ekzistenciale: “Këtë herë, me dy shishe në strajcë, garën me pijen do ta vazhdonte me vetveten për ta harruar Doktor Dylberin dhe ato që kishte përjetuar te varret gjatë atyre dy netëve, që ia kishin krijuar bindjen se kohët e luftërave bashkonin vrasësit, tyxharët, rrospitë, dylberët dhe çmos tjetër të llumit, që përfitonin nga vuajtjet e njerëzve të shkretë...” (f.71). Nuk mund të mos e theksoj, kështu, edhe situatën e kapitullit të fundit, të dhjetë, të “Luftës së fshehur”, nëpër të cilën kalon kryepersonazhi i kësaj proze me shtresa alegorike e metaforike, atë situatën kur hapat e “rrugëtimit” të tij e çojnë te mikrozona e Çabratit, te zona e Savës së Zi, një gjakatar e kriminel i pashembullt paramilitar, i cili e fton për garën e pijes në stilin “një pije një plumb” dhe i ofron snajperin Cenit të Monaosës, i cili në jetën e tij nuk kishte mbajtur armë në dorë dhe i cili ”kishte zënë sytë me duar dhe priste lejen për pije, para se t’i jepej arma e mbushur për vrasje. Se ç’i shkrepi mendja se armën duhej ta gjuante... Më mirë i vrarë sesa vrasës, tha...Tek e fundit, a nuk ishte ajo që e priste prej kohësh për t’i dhënë fund jetës as gjallë e as dekë...” (f. 95). Në anën tjetër, përballë tij, Sava i Zi, në atë garë, me snajperin e tij vret nga kodra e Çabratit viktimën e tij të radhës, të 127-ten viktimë dhe ngre dolli me krenari e triumfalizëm.
Solla, në mesin e shumë situatave, katër situata, në të cilat e vendos, në rrugëtimin e tij paradoksal, kryepersonazhin autori i prozës “Luftë e fshehur” dhe, qoftë edhe nga ky lexim panoramik, besoj se mund të kuptohet se rrugëtimi apo situimi i këtillë është teknikë, strategji narrative, prosede përmes të cilit, në njërën anë, shpaloset bota e Cenit të Monaosës dhe, në anën tjetër, me një regjistrim autentik artistik të realitetit jetësor, ndërtohet imazhi për paradokset e realitetit vrastar të luftës, për shëmtitë e këtij realiteti, për atë pjesë apo fushë të realitetit, të cilën shumica prej nesh nuk e dimë e nuk e njohim, sepse, të pushtuar nga dhembja, trauma, vuajtja dhe katanditë e tjera të luftës, njohim dhe shohim ose vetëm tragjiken e saj, ose vetëm heroikën e saj. Natyrisht, nuk them se realiteti i shumanshëm e kompleks i luftës mund të reduktohet në fushat në të cilat është projektuar dhe, po ashtu, besoj se edhe autori i kësaj proze nuk është ai, i cili realitetin kompleks të luftës e redukton vetëm në këto dimensione, por dua të theksoj se Jusuf Buxhovi, me sa di unë, është prozatori i parë, i cili ka identifikuar këto fusha të realitetit të luftës në një mënyrë artistikisht autentike dhe prej një këndvështrimi sui generis.
Romani i hapësirës
Në fund të kësaj analize, dua të them edhe diçka për kuadrin tipologjik të prozës “Lufta e fshehur”: më lart, kam theksuar se kjo prozë, kur shikohet në planin tematik, rezulton si prozë e luftës, por, meqë kjo nuk flet shumë, dua të identifikoj edhe dy aspekte ose përkatësi të tjera tipologjike të saj! Nuk më kujtohet, e pakta mua, që në një roman, hapësira e të cilit nuk shkon përtej Gjakovës e rrethinës së saj, të ketë aq shumë njësi toponimike sa ka kjo prozë dhe kjo ndodh kështu sepse autori, duke e vendosur dhe lëvizur kryepersonazhin e tij prej zone në zonë, prej rruge në rrugë, prej ure në urë etj., jo vetëm krijon imazhin autentik të ambientit të luftës e të njerëzve që lufta i ka gjetur aty ku i ka gjetur, por e semantizon lëvizjen e kryepersonazhit, ngaqë identifikon, prej situate në situatë, prej një toponimi në tjetrin, kompleksitetin e personalitetit të tij dhe të njerëzve, me të cilët i vë në relacion, me çka, duke u shpalosur bota e tyre, pasurohet imazhi për paradokset dhe tragjiken e luftës. Së këndejmi, mund të them se hapësira, nëpër të cilën zhvillohet bota, jeta e njerëzve të kësaj proze, shndërrohet në strukturë hapësinore, në hapësirë të ankthit, në hapësirë dhe atmosferë të izoluar, në hapësirë sociale e psikologjike, sepse vendet-toponimet e cekura nuk shënjohen për t’u përshkruar, por për të prodhuar atmosferë, gjendje, gjendje të skajshme psikologjike e ekzistenciale. Prandaj, kur prozën “Lufta e fshehur” e kundron nga ky këndvështrim, ajo rezulton si një prozë ose roman i hapësirës, në kuptimin që teoriku i njohur i romanit Mihail Bahtini i atribuon këtij togfjalëshi tipologjik. Meqë autori, duke e projektuar në situata të këtilla ekzistenciale kryepersonazhin e kësaj proze, vëzhgon hap pas hapi zhvillimet e tij të brendshme, identifikon përjetimet e tij në relacion me vetveten e me të tjerët dhe zbërthen thyerjet shpirtërore e morale, atë degradim shoqëror, moral e psikologjik, dhe e ndjek duke shënjuar gjendjen e tij delirante, jo vetëm të delirit alkoolik, po ashtu mund të them se Jusuf Buxhovi ka krijuar një roman psikologjik të luftës, kur lufta dhe tragjikja e saj filtrohet e artikulohet përmes vetëdijes, përjetimit, qëndrimit dhe frymëmarrjes psikologjike të kryepersonazhit të vendosur në relacione, që mundësojnë zgjerimin e optikes artistike përtej botës së tij individuale dhe fokusimin në një hapësirë më të gjerë të paradokseve e të zhvillimeve të luftës.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë