Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Lumi i njerëzve dhe stacioni i padëshiruar

Ky nuk është thjesht libër për trenin. Është libër për frymëmarrjen e ndalur për duart që nuk u ndanë, për shpresën që nuk pranoi të vdiste. Ky libër është përpjekje për të dokumentuar, për të mos harruar, për të shëruar (Foto: Integra)

Ky nuk është thjesht libër për trenin. Është libër për frymëmarrjen e ndalur për duart që nuk u ndanë, për shpresën që nuk pranoi të vdiste. Ky libër është përpjekje për të dokumentuar, për të mos harruar, për të shëruar (Foto: Integra)

Treni nuk vinte në Prishtinë që nga vitet e ‘80-ta. Stacioni i vjetër i trenit në lagjen “Arbëria” (ish-Dragodan) kishte pushuar së funksionuari pas hapjes së stacionit të ri hekurudhor në Fushë Kosovë, që në atë kohë ishte pjesë e territorit të Prishtinës. Ndërkohë që Millosheviqi e kishte ndarë territorin e Prishtinës në komuna të reja, në të cilat serbët lokalë më pas do të bëheshin shumicë, stacioni i ri i trenit do t’i përkiste Fushë-Kosovës. Por, ironikisht treni erdhi sërish në Prishtinë në fund të viteve të ‘90-ta me një qëllim të vetëm, për ta zbrazur atë nga qytetarët

Fenomeni i “lumenjve” në Prishtinë, lumenjve natyrorë të dikurshëm dhe atyre metaforikë të krijuar nga lëvizjet masive të njerëzve ilustron në mënyrë të fuqishme raportin midis qytetit, kujtesës dhe dhunës historike. Mbulimi i lumenjve urbanë “Vellusha” dhe “Prishtevka” në emër të “higjienës” dhe modernizimit shënoi një akt të ndërhyrjes radikale mbi natyrën dhe identitetin e qytetit, një varrosje simbolike të pasqyrës në të cilën Prishtina e shihte vetveten. Por në të vërtetë, bashkë me ujin, u mbulua diçka më e thellë: aftësia jonë për të parë veten pa frikë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prilli i vitit 1999 e riktheu metaforën e lumit në një dimension tjetër: qyteti u shndërrua në një lumë njerëzish të dëbuar, të shoqëruar nga heshtja dhe tensioni i një hapësire urbane të zbrazur. Deportimi i qytetarëve të Kosovës, i organizuar nga strukturat ushtarake dhe paramilitare serbe pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e zhvendosi funksionin e trenit prej një mjeti udhëtimi e transporti në një instrument të kontrollit dhe deportimit të qytetarëve të Kosovës nga toka e tyre. Stacioni i trenit, dikur nyjë lidhëse, u shndërrua në pikë transiti drejt të panjohurës. Derisa njerëzit iknin, një zë tjetër nisi të dëgjohej në nëntokë: lumenjtë e varrosur, sikur po na kujtonin se edhe çmenduria, kurdoherë, gjen mënyrë për t’u kthyer në sipërfaqe.

Treni për askund

Treni nuk vinte në Prishtinë që nga vitet e ‘80-ta. Stacioni i vjetër i trenit në lagjen Arbëria (ish-Dragodan) kishte pushuar së funksionuari pas hapjes së stacionit të ri hekurudhor në Fushë Kosovë, që në atë kohë ishte pjesë e territorit të Prishtinës. Ndërkohë që Millosheviqi e kishte ndarë territorin e Prishtinës në komuna të reja, në të cilat serbët lokalë më pas do bëheshin shumicë, stacioni i ri i trenit do t’i përkiste Fushë Kosovës. Por, ironikisht treni erdhi sërish në Prishtinë në fund të viteve të ‘90-ta me një qëllim të vetëm, për ta zbrazur atë nga qytetarët.

Rrëfimet individuale si ato të Editës, Dritëroit, Teutës, Lorikës dhe shumë të tjerëve, dëshmojnë varietetin e përvojave dhe mënyrat e ndryshme nëpërmjet të cilave trauma ruhet në kujtesë. Ato flasin për ndarje të detyruara, për copëza të jetës së ndërprerë dhe për përpjekjen për të ruajtur dinjitetin në kushte të rënduara e të paqëndrueshme. Shumë prej këtyre përjetimeve mbetën të palexuara publikisht, duke u shndërruar në trauma të pashprehura për dekada. Këtu në libër do të gjeni fragmente ku njëri flet për dhimbjen për gjyshen që e la prapa, Burbuqja, e cila ia besoi vëllain e vetëm dikujt që të paktën ai të shpëtonte, dikush tjetër rrëfen për maskim me rroba që të mos njihej. Ata mbajnë me vete imazhet e njerëzve të vdekur, të grave shtatzëna duke lindur në fusha të hapura e në stacion të trenit, si dhe të viktimave të dhunës seksuale, si kujtime të fundit duke e lënë pas Kosovën.

Edhe unë isha një prej atyre që u larguan, ndonëse jo me tren, por refugjate gjithsesi. Nga prilli deri në qershor 1999, isha refugjate në Maqedoni. Më kujtohet ndjenja e papërshkrueshme e të qenit gjallë por e humbur. Të kesh trup, por jo shtëpi. Të kesh emër, por jo adresë. Të kesh kujtime por të mos dish se ku t’i vendosësh ato.

Sot, në retrospektivë përjetimet e atëhershme sjellin traumën e patrajtuar, sjellin arsyen dhe kuptimin e vërtetë të peshës së ngjarjes, sjellin emocione të përziera por edhe kujtime të shlyera e në copëza. Sepse nuk kemi folur, nuk kemi shkruar, nuk kemi rrëfyer…

Episode kur të zihet fryma në tren nga mungesa e oksigjenit… shumë njerëz një-mbi-një… Fjolla rrëfen se si ajo është futur në tren për dritare.

“Për 10-15 minuta unë nuk e kam prekë tokën, dyshemenë e trenit nuk e kam prekë me këmbë, tanë kohën kam qëndru nëpër duar të njerëzve”, thotë Fjolla.

Ajo ka përvoja para dhe pas udhëtimit me tren dhe i shtjellon në rrëfimin e saj dy momente shumë të frikshme të periudhës së trenit, “momenti kur kemi ecë nëpër shinat e trenit edhe momenti kur jemi futë shumë me zor në tren”.

E Dritëro thotë se “unë veç kam qef që kurrë kurrë në jetë mos me e harru trenin.”

“Qajo është kan’ pikënisja edhe pikëkthimi i krejt çka ka ndodh këtu në Kosovë. Treni është kanë përnime treni i fundit që është dalë prej Kosovës edhe më nuk ka pasë. Është treni i fundit që ka shku edhe kthimi mbrapa. Treni që na ka bo krejt bota me na pa. Na s’kena vdekë. Qe sot jena qëtu! Ama kur jena hypë në atë tren na jena kanë njerëz të vdekun”, thekson Dritëro.

E për Zanën e Donikën, si vajza të reja atëkohë, ky ishte udhëtimi i parë me tren. Sado e pakuptimtë dhe ironike që mund të tingëllojë njëkohësisht, por për to ky udhëtim atëherë mund të jetë përjetuar mbase edhe si aventurë, por sot në rikujtim kur ato rrëfejnë, shija e atij udhëtimi është komplet tjetër.

Në pranverën e vitit 1999 pothuajse gjysma e popullsisë së Kosovës ishin të deportuar nga forcat serbe dhe u bënë refugjatë. Me mijëra janë zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës. Dhe pastaj vjen pyetja e dhimbshme: Çfarë merr me vete kur largohesh nga gjithçka? Cilat janë ato gjërat që mbajnë një botë të tërë brenda vetes për ne? Apo çfarë është e domosdoshme?

Edita thotë se “Të vetmin sen që e kam marrë prej shpisë ka qenë qajo kukull edhe e di që babi m’ka thanë, ‘Merre nji plaf,’ a diçka...”.

“Në çantën teme ka pasë ushqime shumë, ka pasë rroba”, thotë Teuta dhe vazhdon: “E kujtoj çikën e axhës që ka qenë studente, kur kemi shku në stacion kërkojshin njerëzit sene edhe i çelshim na çantat me ju gjetë çkado që kanë lypë. Ajo kur e ka çelë çantën, e ka pasë plot me libra edhe më ka bo shumë përshtypje se ka pasë shumë ndikim tek unë kur jam rritë masnej edhe mas luftës kur jam rritë kur e pytsha, ‘Pse ke marrë libra?’ Thojke, ‘Sepse e vetmja gja që u kan’ e vlefshme për neve.’”

Unë për vete kisha marrë negativët e fotografive të protestave në Kosovë gjatë viteve të ‘90-ta që i kisha realizuar gjatë kohës sa punoja si bashkëpunëtore fotoreportere në Gazetën Javore Politike “Zëri” atëkohë, përkundër që nëna më kundërshtonte duke më thënë se mund të na bëhen problem. Sot kur e mendoj më duket surreale.

“Unë nuk e kam ditë çka është refugjatë”

Teuta ishte shumë e re për ta kuptuar se çfarë nënkupton të jesh refugjat dhe më pas vazhdon duke thënë se…“as nuk e kam kam ditë kur kam me u kthy. Gjithçka u kanë e re për mu, shoqni e re, mënyrë e re jetese, ushqim i ri, veshje e re. Me apo pa dashje, kur e shoh ndër vite e vërej që ka ndiku ajo periudhë shumë në jetën tem”.

Ndërsa, Edita kujton tri momente të ndryshme të përvojave nën petkun e refugjates së vogël, fillimisht në tendën e kampit Stankovec në Maqedoni si dhe intervistën e familjes së saj me gazetarin me emrin Driton i cili i kishte marrë për t’i strehuar në shtëpinë e tij atë dhe vëllain e saj ndërsa babai dhe motra e vogël kishin mbetur në kamp. Pas një jave ata do të bashkoheshin e do të shkonin refugjatë në Izrael. Ajo vazhdon duke thënë: “Si refugjate në Izrael më kanë bo përshtypje shumë sene se na kanë dërgu me vizitu shumë qytete e vende. Na kanë çu te ai muri i lotëve, e kam shti një dëshirë te qaj’ muri i lotëve. Nuk po e di çka ka qenë dëshira... Na kanë dërgu edhe në shkretëtirë. Për shembull për herë të parë kam pa deve edhe më ka bo shumë përshtypje, e di që e patën bo lajm se pat’ ra shi nji herë edhe ka qenë si me thanë shi mas njizetë vjetëve a diçka e kanë thanë, ‘Që kanë ardhë kosovarët, po bjen shi!’”

Kur lufta mbaroi, shumica u kthyen. U kthyen te shtëpitë e djegura, të rrënuara e të dëmtuara. Nuk u mjaftuan me aq, “na i kanë djegë fotografitë”, thotë Lorika.

Por ne u kthyem, sepse dashuria për këtë vend ishte më e fortë se rrënojat. Dhe, bashkë me kthimin, mbeti një borxh mirënjohjeje: mikpritja e shqiptarëve të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi fillimisht e më pas edhe e shumë vendeve perëndimore nëpër botë. Ata na hapën dyert dhe zemrat në kohën kur kishim më shumë nevojë të besonim se bota ende kishte dritë.

Ky libër është edhe për ta. Për ata që ikën, ata që pritën, ata që nuk u kthyen kurrë dhe ata që ende flenë me zërat e asaj kohe. Ky nuk është thjesht libër për trenin. Është libër për frymëmarrjen e ndalur, për duart që nuk u ndanë, për shpresën që nuk pranoi të vdiste. Ky libër është përpjekje për të dokumentuar, për të mos harruar, për të shëruar. Tregimet e trenit të deportimit nuk janë vetëm kujtime të së kaluarës, ato janë udhëzues i një përgjegjësie: që brezat e rinj të kuptojnë se çfarë ndodh kur dhuna kthehet në politikë dhe kur njerëzit reduktohen në turmë pa emër. Në këtë mënyrë, libri nuk është thjesht përmbledhje kujtimesh, por platformë për dialog midis brezash dhe ballafaqim me të kaluarën.

Duke hapur këto faqe, ne bëjmë një akt kujtese dhe një premtim ndaj vetes: që historia të mos mbulohet, si lumenjtë e Prishtinës. Në fund, metafora e lumenjve atyre të varrosur nën qytet dhe atyre të përbërë nga turmat e njerëzve na kujton se historia, sado të përpiqemi ta mbulojmë, gjen gjithmonë mënyra për të dalë në sipërfaqe.

Ky tekst është parathënia e librit “Treni – në kufirin mes terrorit dhe lirisë” botuar nga “Integra”, i përuruar të martën e 26 majit në Prishtinë. Eliza Hoxha është hulumtuese kryesore për këtë libër. Botohet me leje të botuesit dhe të autores.