Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Two People Exchanging Saliva” – dashuria e ndaluar në botë pa puthje

Malaise (Luana Bajrami)

Malaise (Luana Bajrami) së shpejti do të mbushë njëzet e pesë vjeç. Ajo është e destinuar për fat të keq, sugjeron narratorja. Malaise vëren një kliente, të bukurën Angine (e luajtur nga aktorja Zar Amir Ebrahimi), që endet pa shpirt nëpër dyqan, dhe e bind atë të luajë një lojë

“Luana Bajrami nga Kosova”, është prezantimi që asaj ia ka bërë ekipi i filmit “Two People Exchanging Saliva”, midis emocioneve të marrjes së çmimit “Oscar” për filmin më të mirë të shkurtër, të dielën e kaluar në edicionin e 98-të të ceremonisë prestigjioze. Projekti i Alexandre Singh dhe Natalie Musteata, sjell një Paris distopik ku shuplakat në fytyrë kanë zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje

Doreen St. Félix

Një nga imazhet promovuese të filmit “Two People Exchanging Saliva” është një portret bardhezi nga afër i një gruaje, fytyra e së cilës është e mavijosur, hunda i rrjedh gjak dhe sytë i ka të zbehtë nga ekstaza. Çfarë duhet të kuptojmë nga ndjenjat që kjo grua ngjall te ne: reagimin instinktiv të shqetësimit, dhe më pas një kureshtje më të kultivuar dhe për rrjedhojë të shtypur?

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Filmi francez, i shpërblyer me “Oscar” të dielën e kaluar në edicionin e 98-të të ceremonisë prestigjioze, është një fabul mbi intimitetin dhe konsumerizmin, i vendosur në një version distopik të Parisit, ku prekja romantike, sidomos puthja, është e ndaluar dhe dënohet me vdekje. Si individ të vjen për të qeshur me të madhe ndërsa ky film, një tragjikomedi, godet hipokrizitë dhe ironitë e Perëndimit të shtypur. Por regjisorët, Alexandre Singh dhe Natalie Musteata, na mbajnë pezull në një gjendje dëshire dhe mallëngjimi.

Që nga viti 2021, “Galeries Lafayette”, dyqani luksoz në Paris, ka ftuar regjisorë të përdorin ambientet e tij gjatë natës. Singh dhe Musteata, partnerë si në punë ashtu edhe në jetë, shfrytëzojnë estetikën e butikut – një magjepsje gjeometrike e rreptë – për të sjellë historinë e tyre në stilin e Buñuelit mbi trishtimin borgjez.

Luana Bajrami si Malaise në filmin “Two People Exchanging Saliva”, i cili të dielën e kaluar mori “Oscar”

Filmi tregohet në kapituj. I pari quhet “Le Jeu” (Loja). Një narratore, zëri i aktores luksemburgase Vicky Krieps, një zë jo hyjnor por melankolik dhe lozonjar, na prezanton me Malaise (e portretizuar nga Luana Bajrami), një shitëse e pafajshme me sy që shkëlqejnë, në kundërshtim me kuptimin e emrit të saj. (Në këtë botë të imagjinuar të zymtë, të gjithë mbajnë emra që lidhen me gjendje të ndryshme të humorit të keq). Malaise së shpejti do të mbushë njëzet e pesë vjeç. Ajo është e destinuar për fat të keq, sugjeron narratorja. Malaise vëren një kliente, të bukurën Angine (e luajtur nga aktorja Zar Amir Ebrahimi), që endet pa shpirt nëpër dyqan, dhe e bind atë të luajë një lojë.

Shitësja dhe klientja e saj. Akti i thjeshtë i blerjes shërben si mbulesë për tërheqjen e menjëhershme mes tyre. Vjen momenti i pagesës dhe ne përballemi me një tronditje. Malaise vesh me kujdes një dorezë të zbukuruar me gurë dhe e godet Anginen disa herë. Në këtë botë të errët që e dënon intimitetin si diçka shtazore dhe groteske, dhuna është monedhë. Të jesh i mavijosur do të thotë të jesh pjesë e shtresës së lartë; kolegët e Malaises shtiren sikur kanë status jashtë punës duke vizatuar mavijosje në fytyrë. Brutaliteti i konformizmit, shterimi i dashurisë romantike, mohimi i erotizmit dhe dëshirës njerëzore, janë parimet e shoqërisë që Singh dhe Musteata kanë ndërtuar me një humor djallëzor, një shoqëri që duhet të kundërmojë rëndë, duke pasur parasysh ndalimin e dhëmbëve të pastër.

“Two People Exchanging Saliva”, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive”, e rishkruan shuplakën, duke e bërë të ngjashme me një puthje

Por ajo shuplakë. Një ndëshkim, një pagesë, një joshje – të gjitha njëkohësisht. Mund të flasim gjatë për fuqinë aluduese të filmit dhe për mënyrën si ai pasqyron shoqëritë tona të sëmura. Por ajo që zgjon interesim më shumë në këtë vepër tronditëse është vetë shuplaka. Asgjë në kinema nuk është më e pastër se fytyra. Dashuria e kamerës për fytyrën është lidhja origjinale e këtij mediumi. Dhe kështu, shuplaka shkakton një shtrembërim vizual dhe një tradhti shpirtërore – kamera rebelohet kundër objektit të saj të dashurisë.

“Two People Exchanging Saliva”, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive”, e rishkruan shuplakën, duke e bërë të ngjashme me një puthje. Angine kthehet me dëshpërim në dyqan, herë pas here, për të marrë dozën e saj nga Malaise, ndërsa fytyra i skuqet nga gjaku nën sipërfaqe – një kanavacë e dëshirës së zgjuar. Ajo kishte ecur si në gjumë në jetën e saj të rregullt martesore, me një bashkëshort të heshtur të quajtur Chagrin, i cili merret me prodhimin e arkivoleve – për të gjithë ata shpirtra fatkeq që nuk mund të jetonin pa puthjen.

Marrë nga “The New Yorker”