Çifti Qazim dhe Fahrije Blakaj nga fshati Kovragë i Istogut e kalon pjesën më të madhe të kohës duke u kujdesur për pemishten e tyre prej 4.5 hektarësh me mollë.
Me këtë kulturë bujqësore ata janë marrë që nga vitet ’80 dhe aktualisht kultivojnë gjashtë lloje të ndryshme të kësaj peme.
Fahrire Blakaj tregon se që nga martesa, ka qenë gjithmonë krahu i djathtë i bashkëshortit në çdo punë të fshatit, dhe kjo vazhdon edhe sot.
“Në mëngjes zgjohem e pimë kafen. Burri del menjëherë në kopsht, unë pastaj i bashkëngjitëm pak me vonë. Kur bëhet spërkatja, burri me djalin i spërkasin pemët dhe unë vozis traktorin. Gjithmonë jam krah i burrit. Për shëndet është shumë e mirë puna me pemët. Sa bën ecje, më mirë i ndihmon burrit tënd dhe je aktive në bacën tënde. Në përgjithësi në fshat gratë janë aktive duke i ndihmuar burrave në bujqësi. Më mirë të punosh për vete sesa për dikë. Viti ka qenë 1984 kur jam martuar dhe pas dy jave bashkë me familjen jemi marrë me patate, e pastaj me molla. Nga atëherë e kam mbështetur burrin. Më ka ndodhë 4.5 hektarë barashkë me burrin kom punuar”, ka thënë ajo.
“Te ne dominonte është lloji i mollës ‘ajtajete’. Vitet e ‘80 si familje i kemi mbjellë dhe për këtë arsye dominon edhe tash. Tash kem edhe lloje të tjera të reja”, ka thënë Qazim Blakaj.
Për çdo hektar të mbjellë me mollë, ai përfiton 510 euro nga Ministria e Bujqësisë, por thotë se eksporti do të ishte ndihmesë e madhe për kultivuesit lokalë.
Çifti Blakaj është i kënaqur me rendimentin e mollëve të tyre dhe thekson se shija e tyre është unike në krahasim me mollët e importuara.
“Kur i ke pemët tuaja ndihesh më mirë kur e shërben mysafirin. Se pemë të blera nuk e di çfarë po blen. Edhe mysafiret na komplementojnë për shijen e mollëve që janë natyrale”, ka thënë ajo.
“Mollët vendore tonat janë shumë më të mira sesa të tjerat. Nuk është e ngarkuar me herbicide e pesticide. Ua kemi bërë të gjitha analizat dhe ka rrugëtuar se janë të shëndetshme. Të gjitha testet i ka kaluar edhe pse kem barriera jashtë kufijve për eksport. Hani molla mos pini duhan”, ka thënë ai.
Mollët e Qazimit mbulojnë tregun vendor në Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë. Sipas tij, vjelja e afërsisht 200 mijë kilogramëve mollë në vit kërkon një angazhim të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit.
“Si fillim bëhet krasitja e gjelbër, që të mos ngarkohen pema. Janar, shkurt, mars janë muajt më të ngarkuar te pemët. Është faza ku kërkon më shumë angazhim rreth mollëve. Pasi të kryhet krasitja duhet të bëhet spërkatje duke mos e dëmtuar frutën dhe të lejueshme për pemën. Gjatë verës temperaturat janë më të larta dhe shfaqet problemi me ujitjen. Gjatë verës duhet me pasë kujdes shumë edhe në sëmundje të pemës. Muajin shtator fillon faza e pjekjes së mollës dhe fillojmë edhe me vjeljen. Gjatë kësaj kohe marrim edhe punëtorë sezonalë për të na ndihmuar. Tregun vendor edhe tregtar ambulant”, ka shtuar ai.
Fshati Kovragë është një nga zonat me më shumë sipërfaqe të mbjella me mollë në komunën e Istogut, mbi 100 hektarë. Para se të merreshin me mollë, shumica e banorëve, përfshirë edhe familjen Blakaj, janë marrë me kultivimin e patates.