Orges Arifi, i cili nisi të merrej me karate që në moshën 9-vjeçare, e trashëgoi këtë pasion nga babai i tij.
Aktualisht ai përfaqëson Shqipërinë në garat ndërkombëtare të karatesë, ndërsa është aktiv edhe në gara të tjera.
Arifi ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, duke rrëmbyer dy herë radhazi çmimin nënkampion i Evropës dhe duke marrë pjesë në mbi 500 gara vendore dhe ndërkombëtare, ku ka fituar rreth 200 medalje. Medalja e vetme që i mungon është ajo e kampionatit botëror, i cili do të mbahet në fund të vitit.
“Në vitin 2016 fitova për herë të parë Evropianin për Kosovën në U21. Po të njëjtin vit me U21 fitova Kupën e Botës, U21, ndërsa si senior jam fitues i katër medaljeve ballkanike, premierligë me medalje të bronztë në Dubai. Ndërsa medaljet më të rëndësishme për mua janë e vitit 2024, ku u shpalla nënkampion Evrope në Kroaci. Këtë vit, pa para një muaji e përsërita rezultatin, si nënkampion i Evropës, e cila si garë u zhvillua në Armeni. Qëllimi kryesor është kampionati botëror, i cili mbahet në fund të vitit. Unë vetëm se jam kualifikuar dhe pres të marr pjesë në garë. E vetmja medalje që më mungon është nga gara për kampionatin botëror”, ka thënë Arifi.
29-vjeçari ka zgjedhur ta përfaqësojë Shqipërinë, vendin ku nisi karrierën e tij sportive, edhe pse ka marrë pjesë në gara ndërkombëtare me përfaqësuesen e Kosovës.
Pavarësisht zhgënjimit nga Federata e Karatesë e Kosovës, Arifi thekson se i gëzohet çdo fitoreje të sportistëve nga Shqipëria dhe Kosova.
“Kam qenë në përfaqësuesen e Shqipërisë, para se Kosova të pranohet në instanca ndërkombëtare. Momentin kur u pranua Kosova, unë u ktheva që ta përfaqësoj Kosovën në garat ndërkombëtare, ku fitova shumë medalje. Medaljen e parë Evropiane e kam fituar për Kosovën, si dhe medaljen e artë në kupën e botës U21. Pastaj filloj cikli olimpik dhe nuk kishim trajtim të duhur nga Federata e Karatesë e Kosovës, kemi pasur shumë probleme. Nuk e kemi gjetur veten si sportistë, trajtimin nuk e morën të duhur. Filluan inatet kundër meje dhe klubit tim. Edhe na ndëshkuan me dënime. Kështu që u detyrova ta lë sportin e karatesë ose të ndërroj përfaqësuese. Federata e Shqipërisë hapi dyert për mua përsëri. Aty ku e nisa karrierën u ktheva të vazhdoj karrierën si sportist. Unë përfaqësoj flamurin shqiptar, kuq e zi, i cili na përfaqëson të gjithë shqiptarëve. Për mua nuk ka problem a e përfaqësoj Kosovën apo Shqipërinë, ne jem një. Me garuesit jemi vëllezër, çdo rezultati i gëzona si nga Kosova apo Shqipëria”, ka shtuar Arifi.
Përtej garave dhe adrenalinës, Arifi beson se sporti ka përfitime të mëdha shëndetësore, si disiplinën dhe vetëkontrollin.
“U kisha preferuar të gjithë të rinjve të merren me sport nuk ka lidhje a me karate, futboll etj. Mendoj se sporti është kryesorja që e mban një shoqëri të shëndoshë. Çdo sport i ka benefitet e veta. Sporti i karatesë ka gjithashtu benefite në shëndet si disiplina, vetëkontrolli dhe të tjera të mira shëndetësore”, ka përfunduar ai.
Përveç se është një garues i suksesshëm, Orges Arifi është gjithashtu trajner në klubin e karatesë "Ippon" në Prishtinë, ku ndihmon në zhvillimin e brezit të ri të sportistëve.