SOT

Për Bjeshkët e Vrellës, Gjin Shatri kthehet nga Zvicra t’i rrisë kuajt e natyrës

Malet e bukura të Çerrovodës në Istog janë një nga thesaret më tërheqëse natyrore të këtij rajoni.

Të vendosura në pjesën veriperëndimore të Kosovës, afër qytetit të Istogut, këto male ofrojnë pamje mahnitëse dhe një qetësi që tërheq vizitorë, si vendas ashtu edhe të huaj.

 

Natyra e paprekur, pyjet e dendura, kullotat e gjelbra dhe burimet e pastra natyrore krijojnë një ambient të rrallë.

Pikërisht kjo bukuri ka qenë arsyeja që Gjin Shatri, 64-vjeçar, pas një periudhe të gjatë jetese në Zvicër, është rikthyer në Kosovë.

 

Këtë herë, për të zhvilluar një veprimtari jo fort të njohur në vendin tonë: rritjen e kuajve të lirë në natyrën magjepsëse të këtyre maleve.

 

Kuajt rriten në kullota të pasura e të gjelbra, dhe kjo e gëzon Gjinin, për të cilin kalërimi ka qenë një pasion që nga fëmijëria.

 

“Pasioni për kuaj është që nga fëmijëria ime. Prej moshës 6-vjeçare këtu ka pasur shumë kuaj dhe që nga vitit ’60 dhe ’70 në atë kohë nuk kemi pasur mjete të tjera dhe i kemi përdorur. Kur kam qenë i vogël gjithë ditën e kam kaluar duke i kalërua. Atë pasion jam ende duke e zhvilluar edhe tash në pleqëri”, ka thënë Shatri.

 

Ai tregon se interesimi i njerëzve për t’i parë kuajt me gëzof të bukur e të lëmuar është i madh, veçanërisht nga vizitorë të huaj, si zviceranë e gjermanë.

 

“Këtu njerëzit vijnë për t’i vizituar dhe për ta shuar kureshtjen. Kali është shumë familjar. Sidomos unë i këshilloj që t’i sjellin fëmijët këtu dhe të socializohen me natyrën dhe me kafshët. Ka një numër të madh të sëmundjeve që kuajt e shërojnë. Këtu ia vlen me ardhë sa më shumë dhe ta kalojnë edhe vikendin, nëse duan të marrin ushqim këtu ka fermerë që përgatisin ushqime tradicionale në bjeshkë. Javën e kaluar këtu kanë qenë pesë zviceranë kanë ardhur vetëm për të parë këtë bukuri nga atje kanë qëndruar në bujtinën time për 3 ditë. Janë mahnitë me bukuritë këtu”, ka shtuar ai.

 

Kuajt e Shatrit janë të socializuar dhe të dashur ndaj njerëzve, edhe pse rriten në natyrë të hapur.

 

“Kam jetuar në Zvicër për 35 vjet dhe jam rikthyer në Kosovë, për ta rikthyer edhe turizmin në këto male. Për momentin si aktivitet i kemi kuajt, njerëzit vijnë për të kaluar një vikend, bëjnë edhe foto dhe kush ka kureshtje për të kalëruar. Në këtë pjesë jemi vendosur për shkak se kujdesi ndaj kuajve është më i lehtë në këtë pjesë. Kuajt janë të lirë kur t’i thërrasim ata vijnë janë edhe shumë të shoqëruar”, ka deklaruar ai.

 

Ai thekson se kujdesi për kuajt është i lehtë, sepse ata ushqehen vetë në natyrë. Njëkohësisht, apelon për ruajtjen e pasurive natyrore të Kosovës.

 

“Këta kuaj janë shumë të lehtë për t’i kultivuar sepse shumicën e kohës janë të shpërndarë nëpër kullosa. Bukuritë natyrore nuk po ruhen aspak këtu në Kosovë, investimi më i mirë këtu që është bërë është shtrimi i asfaltit në këtë mënyrë edhe ne po e kemi më të lehtë që të vijnë këtu. Kërkoj nga qytetarët që sa më pak të hedhin mbeturina edhe pse pyjet janë duke u ruajtur nuk po prehen më në fund jemi vetëdijesuar si duket”, ka thënë ai.

 

Në fund, ai inkurajon që të zhvillohet më tej rritja e kafshëve të lira në natyrë.