Sport

Basketbollisti që luajti në Kosovë deri më 2 mars, futet në karantinë nga frika se mund të jetë infektuar me koronavirus

Një basketbollist amerikan që ka luajtur në Kosovë deri më 2 mars, është izoluar në Singapor nga frika se mund të jetë infektuar me koronavirus.

Këtë e ka bërë të ditur sajti zyrtar i Ligës Aziatike në Basketboll (ABL), raporton Koha.net.

Jameel McKay më 2 mars është ndarë me Golden Eagle Yllin e Suharekës dhe më pas ka firmosur për skuadrën nga Singapori, Singapore Slingers. Ai u ndal nga autoritetet e Singaporit pas një kthimi nga Malajzia, ditë më parë.

“McKay është në karantinë pasi ishte në kontakt me një person të prekur nga koronavirusi në Singapor. Një 42-vjeçar nga Franca është testuar pozitivisht për koronavirus, ndërsa ai ishte në të njëjtin fluturim me McKayn nga Stambolli për në Singapor”, ka njoftuar faqja zyrtare e Ligës së Azisë.

Sipas njoftimit, McKay është në karantinë dhe po vëzhgohet. Nuk është raportuar që basketbollisti amerikan të ketë pasur ndonjë simptomë apo të jetë ndjerë keq. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Singaporit, ai do të jetë i izoluar deri më 17 mars. Izolimi për të zgjatë 14 ditë. Ai ka udhëtuar për në Singapor më 3 mars, menjëherë pas ndarjes me Yllin.

Lojtarët tjerë të Singapore Slingers, e poashtu stafi i skuadrës janë monitoruar për 48 orë, për shkak se ishin në kontakt me McKayn. Janë monitoruar edhe lojtarët dhe drejtuesit e klubit Kuala Lumpur Dragons, me të cilin u përball skuadra e McKay.

Po ashtu janë shtyrë disa ndeshje të Ligës së Azisë.

McKay të martën mbrëma ka shkruar për këtë rast.

“Zyrtarisht nuk jam diagnostifikuar me ndonjë gjë. Shpresoj që nuk do të diagnostifikohem”, ka shkruar McKay.

Sporti është goditur shumë nga përhapja e madhe e koronavirusit.