Sport

Boksierët e Shqipërisë pa trajner në Londër, në krah u del ekipi i Kosovës

Vëllezërit Krenar dhe Rexhildo Zeneli po e përfaqësojnë Shqipërinë në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike në boks.

Turneu po mbahet në Londër, ndërsa vëllezërit Zeneli kanë udhëtuar pa ndonjë trajner apo zyrtar të Federatës. Por në Londër nuk janë të vetëm. Në krah u ka dal ekipi i Kosovës në boks, që në përbërje ka dy trajnerë e një zyrtar.

Dy ditë më parë në ring u paraqit Krenar Zeneli që shënoi fitore ndaj një boksieri moldav. Të dielen boksoi Rexhildo Zeneli që po ashtu shënoi fitore. Ai shënoi fitore ndaj një boksieri nga Belgjika. Në këndin e boksierëve vlonjat qëndruan trajnerët e Kosovës, Shefki Bogujevci e Besim Brahimi.

Krenar Zeneli e ka përballjen e ardhshme të hënën (sot) në mbrëmje dhe prap këshilla do të marr nga trajnerët e Kosovës. Kjo sipas tij dëshmon për raportet vëllazërore në mes të boksierëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Për Koha.net, Krenar Zeneli ka treguar se si u bë që në Londër të udhëtojnë të vetëm, pa shoqërinë e ndonjë trajneri.

“Sot nga ora 20:30 e kam ndeshjen e dytë kundër një boksieri nga Spanja. Ndeshjen e parë e fitova kundër boksierit moldav. Trajner nuk kemi pasur dhe në ring na kanë shoqëruar trajnerët e Kombëtares së Kosovës”, ka thënë Krenar Zeneli për Koha.net, të hënën.

“Nëse fitoj sot, e siguroj normën olimpike për ‘Tokio 2020’. Ne jemi dy boksierë të Shqipërisë në Londër. Jemi pa trajner pasi nuk ka pasur mundësi shteti të dërgojë të tillë. Bëhet fjalë për mungesë fondesh, lekësh. Por mënyra se si funksionojmë këtu dëshmon se kemi raporte shumë të mira me vëllezërit nga Kosova. Na kanë mbështetur dhe kanë firmosur përgjegjësi për ekipin e Shqipërisë që në ditën e parë që kemi ardhur këtu. Kanë deklaruar që do të na mbajnë vet ata”, ka shtuar Krenar Zeneli, që është prej boksierëve më të mirë të Shqipërisë.

Në Shqipëri ka vazhdimisht ankesa për mungesë të përkrahjes për sportistët e sporteve individuale. Jo rrallë ka ankesa edhe për keqpërdorim të fondeve.

Kosova në Londër ka dërguar katër boksierë. Donjeta Sadiku e ka kaluar pengesën e parë, ndërsa Patriot Behrami, Shpëtim Bajoku e Besart Pireva i kanë humbur përballjet fillestare.

Image