Boksierët aktualisht janë sportistët e vetëm kosovarë që po marrin pjesë në ngjarje ndërkombëtare.
Ndonëse edhe në boks janë anuluar disa turne për shkak të përhapjes së koronavirusit, të enjten përfaqësuesja e Kosovës në boks është nisur për në Londër ku do të mbahet turneu kualifikues evropian për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Ekipi i përbërë nga katër boksierë, dy trajnerë dhe një gjyqtar, aktualisht është në Vjenë në pritje të nisjes për në Londër. Turneu në Londër mbahet prej të shtunës deri më 24 mars. Nuk përjashtohet mundësia që ndërkohë të ketë ndonjë vendim tjetër për këtë turne. Sporti është goditur fuqishëm nga përhapja e koronavirusit.
Lajmet për anulim dhe shtyrje të ngjarjeve sportive vijnë nga e gjithë bota.
Kosovën në Londër e përfaqësojnë Donjeta Sadiku, Patriot Behrami, Shpëtim Bajoku e Besart Pireva. Me ta janë trajnerët Shefki Bogujevci e Besim Brahimi dhe gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli.
Në xhudo, sport në të cilin Kosova paraqitet rregullisht në gara ndërkombëtare, janë anuluar të gjitha aktivitetet ndërkombëtare deri në fund të prillit. Të enjten u shty edhe Evropiani i xhudos i paraparë të mbahet në fillim të majit.
Ngjarje kualifikuese olimpike janë shtyrë edhe në mundje, ndërsa janë anuluar edhe garat ndërkombëtare në basketboll dhe një pjesë e ngjarjeve në futboll. Ka gjasë që edhe Evropiani i futbollit të shtyhet për vitin tjetër. Një vendim për këtë pritet javën tjetër, por sipas “L’Equipe”, UEFA pritet të vendos për të shtyrë Evropianin e futbollit për vitin 2021. Ka mbetur e paqartë nëse do të luhet ndeshja e Kosovës me Maqedoninë Veriore, e paraparë për 26 mars në Shkup.
Janë prekur edhe ngjarjet e hendbollit. Federata kosovare ka kërkuar të anulohen ndeshjet me Bjellorusinë (femrat) të parapara për fund të këtij muaji. Kërkesa e saj pritet të aprovohet nga Federata evropiane që ka paraparë termin të ri në qershor për ndeshjet e këtij muaji.