Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vazhduar me vizita të shumta edhe të premten.
Sipas njoftimit të FFK-së, Ademi fillimisht ka vizituar Lidhjen Rajonale të Futbollit në Ferizaj. Ai ka vizituar më pas edhe klubin e femrave Vizioni.
Ndërkohë më pas e vizitoi klubin e futbollit të femrave, Bazeli dhe kompleksin sportiv Bazel në fshatin Rakaj në komunën e Ferizajt. Gjatë kësaj vizite i pari i futbollit kosovar është kujdesur për të “zbuluar” edhe një vend për izolim të sportistëve, nëse kjo është e nevojshme, përkatësisht nëse ndonjë sportist infektohet me koronavirus.
“Me këtë rast presidenti Ademi u dakordua me pronarin e kompleksit Bazel, Ahmet Shora, që ky kompleks të shndërrohet në karantinë për sportistët në rast se paraqitet nevoja në situatën në të cilën po kalon vendi. Të gjitha shpenzimet do t’i bartë FFK-ja. Presidenti Ademi theksoi se ky kompleks i plotëson të gjitha kushtet për karantinë për sportistë, me 70 shtretër, restorant, sallë stërvitore, ajër të pastër dhe fushën e madhe për futboll”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
I pari i FFK-së ka vizituar edhe klubin Vitia.
Aktualisht në karantinë janë boksierët e përfaqësueses së Kosovës, dy trajnerë të tyre dhe zyrtari i Federatës, Latif Demolli. Ata janë të izoluar në objektet e konvikteve të studentëve në Prishtinë, pas kthimit nga Londra ku morën pjesë në një turne kualifikues për Tokio 2020.
Federata e Boksit të Kosovës ka njoftuar të premten se boksierët nisën një stërvitje në oborrin e konvikteve, por se ajo është ndërprerë pas dy minutave nga policia. Më pas boksierët e kanë vazhduar stërvitjen brenda konviktit.
Boksierët janë duke apeluar që të lëshohen në shtëpitë e tyre për të vazhduar stërvitjet. Vendimi i Qeverisë së vendit është që të gjithë personat që vijnë nga vendet evropiane të qëndrojnë të izoluar për 14 ditë. Konviktet në Prishtinë janë shndërruar në karantinë.
“Nuk ka ndonjë zhvillim. Po presim, nuk dijmë çka do të bëhet”, ka thënë për Koha.net zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.