Sport

“Dardanët” caktojnë listat për 2000 bileta, FFK-ja nuk jep detaje për pjesën tjetër

Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të premten se janë shitur biletat për ndeshjen ndaj Kosovës, që luhet më 26 mars në Shkup.

Bëhet fjalë për biletat që u kanë takuar tifozëve të Maqedonisë Veriore. Ndërkohë Kosova i ka të garantuara një pjesë të biletave, që nga Federata maqedonase është thënë të jenë 12 për qind të totalit. Pak detaje janë dhënë për to deri më tani, transmeton Koha.net.

Në fakt 2000 bileta do të jenë për tifozët zyrtarë të Kosovës, “Dardanët”. Për të tjerat, që mund të jeni mbi 1000, FFK-ja nuk ka dhënë ndonjë njoftim. Më shumë informata janë premtuar për të hënën.

Udhëheqësit e tifo-grupit “Dardanët” kanë njoftuar se kanë plotësuar listat me emrat e 2000 tifozëve që do të marrin biletat. Emrat e tyre do të dërgohen të hënën në Federatën e Futbollit të Maqedonisë e më pas për secilin do të vijë biletë e personalizuar. Në faqen zyrtare në “Facebook”, Dardanët që më 18 shkurt lëshuan njoftimin për biletat. Çmimi i tyre ishte 30 euro, ku janë përfshirë edhe udhëtimi në Shkup dhe rekuizita.

Të premten udhëheqësi i Dardanëve, Lulzim Berisha ka njoftuar se janë caktuar tifozët që do t’i marrin biletat e parapara për këtë tifo-grup.

“Të hënën i dorëzojmë listat. Më pas shtypen të dhënat e tifozëve në bileta dhe na vijnë ato. Ne i kemi 2000 bileta. Biletat tjera i ka FFK-ja, ne nuk kemi më. Nuk e dimë sa bileta tjera i ka Federata, por duhet t’i ketë rreth 1800. Nuk kemi informata për ato bileta, por presim të marrim shpejtë informata”, ka thënë Berisha për Koha.net.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka theksuar se të hënën do të ketë vendim për bileta. Drejtuesit e FFK-së janë në Gjermani aktualisht, ku zhvillohet ndeshja e futbollisteve në mes të Kosovës dhe Rusisë.

“Të hënën vendosim për të gjitha lidhur me biletat që i kemi në dispozicion”, ka thënë Salihu për Koha.net.

Në fakt biletat e shitura dhe ato që i takojnë FFK-së, mund të humbasin vlerën. Ka rrezik që ndeshja të luhet në stadium të mbyllur për shkak të përhapjes së koronavirusit. Një mundësi të tillë nuk e përjashtojnë në Federatën e Maqedonisë së Veriut. Të premten Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë ka thënë se mendimi i tij personal është që ndeshja të luhet pa shikues.

Në Kosovë së fundi ka pasur interesim shumë të madh për të përcjellur përfaqësuesen e futbollit. Sidomos për ndeshjet si vendas kërkesa ishte shumë e madhe. Nuk kanë munguar akuzat për parregullsi të shumta në procesin e shitjes së biletave. Ndërkohë është mësuar se FFK-ja një pjesë të mirë të biletave nuk i ka nxjerrë fare në shitje.

Edhe të premten në faqe të ndryshme në internet janë ofruar bileta për ndeshjen me Maqedoninë Veriore, ndonëse organizatori ka thënë se në stadium mund të hyjnë vetëm tifozët me biletë të personalizuar.