Xhudistja Distria Krasniqi dhe karateisti Islam Selmani janë sportistët më të mirë të vitit në Kosovë, sipas KOHËS.
Krasniqi e Selmani kanë pasur suksese kulmore gjatë vitit 2025 dhe morën çmimet kryesore në shpalljen tradicionale të KOHËS.
KOHA, si asnjë medium apo institucion tjetër në Kosovë, shpalli sportistët më të mirë për herë të 27-të.
Kjo traditë, që është shndërruar në matës kredibil për të arriturat sportive në vend, nisi në vitin 1997 nga gazeta KOHA Ditore. Ishte atleti Zijadin Kryeziu që u shpall më i miri i atij viti.
Por janë xhudistet që kanë dominuar çmimet e KOHËS për shumë e shumë vjet.
Distria Krasniqi shpallet më e mira e vitit për herë të gjashtë rresht. Në vitin 2021 u shpall më e mira bashkë me Nora Gjakovën. Të dyja kishin fituar medalje të arta olimpike, që janë më të vlefshmet e mundshme në sport.

Në vitin 2025, Distria fitoi për herë të parë medalje të argjendtë botërore, ndërsa ishte edhe një herë kampione evropiane. Fitoi po ashtu medalje në garat Grand Slam e Grand Prix. Ajo zuri vend në podium në secilën garë që mori pjesë. Vitin 2025 e përfundon si e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kilogramë dhe në vendin e dytë të ranglistës së përgjithshme të xhudistëve dhe xhudisteve.
Nxënësit e kryemjeshtrit të xhudos, Driton Kuka, edhe këtë vit fituan shumë e shumë medalje. Puna e Kukës si trajner mbetet e pakrahasueshme, kurse këtë vit prej xhudistëve u dallua Distria.
Ndonëse ende 20-vjeçar, Islam Selmani arriti suksesin më të madh që karateja kosovare ka pasur ndonjëherë. Në Kampionatin Botëror në Egjipt kishte rrugëtim të mahnitshëm. E mposhti edhe bartësin e parë dhe në fund fitoi medalje të argjendtë botërore.

Për Selmanin fillimisht sukses i madh ishte vetë kualifikimi në Botëror. Por ai rreshtoi fitoret duke arritur në finalen e madhe. Para Botërorit ishte vetëm i 113-ti në ranglistën e kategorisë deri 60 kilogramë. Tani është i 14-ti.
KOHA ka ndarë edhe çmime të tjera në përzgjedhjen e 27-të të “Sportistit të Vitit”.
Klubi më i mirë në konkurrencën e meshkujve pa konkurrencë ishte ai i futbollit, Drita nga Gjilani. Drita e fitoi titullin e kampionit dhe kishte kampanjë historike në Ligën e Konferencës. E kaloi me sukses fazën e ligës dhe do të paraqitet në fazën nokaut.

Klubi i hendbollit Istogu është më i miri në konkurrencë të femrave. Pos që mblodhi gjithë trofetë në Kosovë, Istogu e kaloi një kundërshtar në gara evropiane. Dhe kjo e veçoi prej kampionëve në sportet e tjera.

KOHA ka ndarë edhe dy çmime të tjera.
Me çmimin “Majlinda Kelmendi” që KOHA e jep për frymëzim në sport, është nderuar xhudistja e re, Enise Zijade. Ajo fitoi medaljen e vetme të Kosovës në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj. Zijade fitoi medaljen e bronztë. I kishte edhe dy medalje të tjera nga garat me nivel për juniorë. Enise Zijade për trajnere e ka legjendën Majlinda Kelmendi, të cilën KOHA e nderoi duke themeluar çmim për frymëzim në emër të saj.

Pikërisht Majlinda ia ka dorëzuar Zijades çmimin e rëndësishëm.
Ndërkohë me “Mirënjohje të Veçantë”, KOHA e ka nderuar përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Viti 2025 ishte i futbollit, përkatësisht i përfaqësueses. Pos që doli në Ligën B të Ligës së Kombeve, Kosova avancoi edhe në plejofin për kualifikim në Botëror. Pati kampanjë të suksesshme në grup me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.

Për çmimet kryesore, “Sportistja Më e Mirë e Vitit” dhe “Sportisti Më i Mirë i Vitit”, mediumi ynë ka disa vjet që për bazë merr vetëm sportistët që aktivitetin e zhvillojnë në Kosovë. Kjo bëhet për t’i përkrahur sa më shumë ata. Ndërkohë me çmime të tjera nderon edhe sportistët nga Kosova që jetojnë në vende të tjera.
Më shumë detaje për edicionin e 27-të të “Sportistit të Vitit” do të jepen në edicionin festiv të Sportit TOTAL.
Fituesit e KOHËS ndër vite
- 1997 - Zijadin Kryeziu
- 2000 - Besnik Hasi
- 2001 - Kushtrim Munishi
- 2002 - Luan Krasniqi
- 2003 - Afrim Latifi - Kaltrinë Krasniqi
- 2004 - Luan Krasniqi - Besire Domaniku
- 2005 - Luan Krasniqi - Majlinda Kelmendi
- 2006 - Habib Ademi - Daulina Osmani
- 2007 - Arben Muqolli - Majlinda Kelmendi
- 2008 - Visar Berisha - Majlinda Kelmendi
- 2009 - Majlinda Kelmendi
- 2010 - Majlinda Kelmendi
- 2011 - Majlinda Kelmendi
- 2012 - Nora Gjakova - Shpëtim Idrizi
- 2013 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
- 2014 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
- 2015 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
- 2016 - Nora Gjakova - Herolind Nishevci
- 2017 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
- 2018 – Nora Gjakova – Akil Gjakova
- 2019 – Loriana Kuka – Vedat Muriqi
- 2020 – Distria Krasniqi – Amir Rrahmani
- 2021 – Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova – Akil Gjakova
- 2022 – Distria Krasniqi - Armend Thaqi
- 2023 – Distria Krasniqi – Akil Gjakova
- 2024 – Distria Krasniqi
- 2025 – Distria Krasniqi – Islam Selmani