Prishtinë, 5 shkurt – Jetmir Haliti mund të flasë për ngritjen graduale në karrierë. Ai ka luajtur në kategorinë e pestë të Suedisë, e më pas edhe në të katërtën, të tretën e të dytën. Këtë vit do të luajë në kategorinë e parë, përkatësisht Allsvenskan. Por, elita suedeze, Haliti shpreson të mos jetë destinacioni i fundit i tij. Ai synon ngritje të mëtejme në karrierë, duke luajtur në të ardhmen në ndonjë kampionat më të fortë evropian.
Mbrojtësi 24-vjeçar ditë më parë ka firmosur me AIK-un, njërin prej klubeve më të mëdha në futbollin suedez. Edicionin e kaluar luajti për Jonkopings në Superettan, kategorinë e dytë të Suedisë. Gjatë karrierës ishte edhe te Landskrona, Rosengardi, Prespa Birlik e te BK Olympic. Karrierën e kishte nisur te MABI. Haliti është i lindur në Malmo të Suedisë dhe tek AIK-u presin shumë prej tij.
“Rruga deri në elitë ka qenë e zorshme. Kam luajtur në Divizionet 3, 2 e 1, e më pas në Superettan. Tashmë jam në Allsvenskan. Jam i kënaqur, pasi jam në njërën ndër skuadrat më të mëdha”, ka thënë Haliti për KOHËN, të premten.
Pas paraqitjeve të mira te Jonkopingu, për Halitin interesim treguan shumica e skuadrave të mëdha të Suedisë.
“Është folur për ekipe të tjera, por vetëm AIK-un e kam pasur në mendje. Kam pasur kontakt me AIK-un para një viti e gjysmë dhe kam vendosur për këtë ekip pasi është i mirë, ka shumë tifozë dhe luan futbollin që më përshtatet”.
Haliti është i njohur për faktin se mbulon shumë pozita.
“Kam luajtur në shumë pozita më herët. Në vitet e fundit kam luajtur mbrojtës i majtë dhe mbrojtës i qendrës. Për këto dy pozita do të konkurroj në ekip”, ka shtuar futbollisti me prejardhje nga Mitrovica.
Në Suedi ka kohë që rriten shumë futbollistë kosovarë. Disa prej tyre kanë arritur në nivele të larta, madje edhe në ekipet përfaqësuese. Disa janë duke u zhvilluar dhe synojnë që një ditë të luajnë për Kosovën. Haliti natyrisht do të ishte i lumtur nëse do të ishte kandidat për Kosovën. Thotë se të ardhmes nuk i dihet.
“Tani po punoj shumë që të marr vendin në ekip. Dua të luaj mirë tek AIK-u dhe do të arrij sa më lart”, ka theksuar Haliti.
AIK-u edicionin e fundit e ka përfunduar në pozitën e nëntë. AIK-u ka 12 tituj, të fundit në vitin 2018. Është klubi i tretë me më së shumti tituj të kampionit. Paraqitet rregullisht në gara evropiane. Në edicionin e ri të elitës suedeze rritjen tutje do ta synojnë edhe Astrit Selmani, Albion Ademi dhe disa shqiptarë të tjerë.