Sport

FBK-ja synon t’i parandalojë kurdisjet me marrëveshjen me “Sportradar”

Sportradar - kurdisje

Për kohë të gjatë basketbolli kosovar është vlerësuar të jetë plotësisht jashtë skemave të kurdisjes së rezultateve. Është vlerësuar sport plotësisht i pastër. Kjo ka ndryshuar paksa në dy-tre vjetët e fundit, kur ka pasur dyshime për kurdisje të rezultateve, kryesisht në ligat që kanë përfshirë edhe ekipe të tjera pos atyre të Kosovës.

Fjalët për dyshime për kurdisje kanë shkuar edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Dhe në FBK po angazhohen që basketbollin shumë të popullarizuar në vend, ta mbajnë ende sport të pastër.

Një marrëveshje e prezantuar të premten vlerësohet se do të ndihmojë shumë në këtë drejtim.

FBK-ja ka nënshkruar me “Sportradar”, kompaninë e fuqishme ndërkombëtare që bën monitorimin e rezultateve sportive dhe të basteve të vëna për ndeshjet sportive. Tani “Sportradari” i famshëm do të monitorojë ndeshjet që zhvillohen në kuadër të FBK-së. Këtë e bën nëpërmjet Sistemit Universal të Zbulimit të Mashtrimit. Sipas FBK-së, kjo është metodë e sofistikuar për të siguruar zbulimin e bastvënësve apo atyre që synojnë të bëjnë manipulimin e rezultateve.

Shumë kurdisje parandalohen nga “Sportradari” apo bëhen të ditura nga kjo kompani që bashkëpunon me federata të mëdha ndërkombëtare, duke përfshirë FIFA-n, UEFA-n e FIBA-n.

“FBK-ja e ka për synim të ruajë integritetin e garave që zhvillohen nën ombrellën e saj. Andaj pas bisedimeve dhe këshillave nga FIBA ka vendosur ta angazhojë kompaninë ‘Sportradar’, e cila tashmë është e njohur botërisht për monitorimin, investigimin dhe raportimin për ndeshjet që vihen në bast, por edhe ato që manipulohen”, ka thënë i pari i FBK-së, Arben Fetahu.

Kur “Sportradar” vëren baste të panatyrshme apo lëvizje të madhe të koeficienteve, nis hetime. Nëse ka bazë për dyshime, “Sportradar” njofton federatën përkatëse, në këtë rast FBK-në.

Fetahu ka premtuar se FBK-ja do të angazhohet maksimalisht për sport të pastër.

“Ne jemi shumë të kënaqur me shërbimet e ofruara nga “Sportradar” dhe jemi të gatshëm, por edhe kemi vullnet që të bashkëpunojmë ngushtë edhe me FIBA-n për t’i luftuar dukuritë negative në sport, siç është edhe manipulimi i ndeshjeve. Andaj ne premtojmë se do të bëjmë më të mirën dhe do të angazhohemi maksimalisht për një sport të pastër”, ka shtuar Arben Fetahu.

Është FIBA që po këshillon FBK-në si t’i luftojë kurdisjet eventuale.

Fillimisht një trajnim për këtë temë e ka ndjekur Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.

Më pas FBK-ja ka emëruar personin kontaktues për integritet (SPOC), po me kërkesë të FIBA-s. Këtë e ka

përfshirë edhe në statut. Tani FIBA i ka sugjeruar FBK-së që të nënshkruajë marrëveshje me “Sportradarin”, për ta bërë më të vështirë manipulimin e rezultateve, që dyshohet se kanë prekur edhe klubet e vendit, sidomos ato që janë në liga që përfshijnë më shumë vende.

“Kjo marrëveshje është pjesë e një procesi më të gjatë”, ka thënë Dushku për KOHËN.

Sipas Dushkut, marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me ekipet, por me më shumë palë të përfshira. Nëse “Sportradar” vëren shenja për kurdisje eventuale, përfshihen FIBA, por edhe Policia e Kosovës. Bëhen hetime të mëtejme.

“Edhe pse nuk kemi pasur marrëveshje, ‘Sportradar’ edhe deri më tani ka monitoruar edhe ndeshjet e Kosovës. Dhe nuk kemi pasur ndonjë dyshim për kurdisje. Sikur të kishte dyshime, ‘Sportradar’ do të raportonte në FIBA. Tani kemi marrëveshje me ‘Sportradarin’ dhe raportimi për federatën tonë do të bëhet rregullisht”, ka shtuar Dushku.

Dyshimet më të mëdha për kurdisje të rezultateve, sa i takon sportit kosovar, janë në futboll. Sidomos në fund të kampionatit dyshimet për kurdisje të rezultateve rriten shumë.

Edhe në këtë edicion ka dyshime për disa ndeshje që tashmë janë kurdisur. Dyshime edhe më të mëdha do të ketë për xhirot e mbetura.