Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk është deklaruar për vendimin e Gjykatës së Apelit që të mërkurën e ka vërtetuar dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.
Kryetari Ademi dhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu kishin thënë për Kohën Ditore të enjten se do të ketë një deklaratë pas kthimit nga Zuerichu. Por kjo nuk ka ndodhur ende. Dy drejtuesit e FFK-së morën pjesë në disa aktivitete të FIFA-s në Zuerich, në mesjavë.
Ademi nuk është përgjigjur në interesimin e vazhdueshëm të Kohës Ditore për një qëndrim të tij, pas vendimit të fundit të Gjykatës.
Burime të Koha.net kanë bërë të ditur të shtunën se Ademi dhe avokatët e tij po presin vendimin zyrtar të Gjykatës së Apelit për të vendosur për hapin e radhës. Me shumë mundësi do të ketë një ankesë në Gjykatën Supreme.
“Nuk kanë deklaruar asgjë sepse ende nuk e kanë në dorë vendimin. Ademi dhe avokatët janë njoftuar me këtë vendim vetëm nga mediat. Vendimin zyrtar pritet ta pranojnë të martën apo të mërkurën, sepse ka një vonesë nga posta. Por, me të marrë vendimin në dorë, avokatët do ta dërgojnë çështjen e tij në Gjykatë Supreme”, ka thënë një burim i afërt me FFK-në.
Ademi është dënuar për një rast që nuk ka të bëjë me futbollin.