Sport

FSHF-ja njofton se kur përzgjidhen fituesit e biletave për ndeshjen me Serbinë

fshf

Federata Shqiptare e Futbollit ka lëshuar të dielën paradite një njoftim lidhur me biletat e ndeshjes Shqipëri – Serbi, që zhvillohet të shtunën në Arenën Kombëtare në Tiranë.

Afati për të aplikuar për bileta ishte deri më 30 maj në ora 20:00. Ndërkohë fituesit do të përzgjedhen deri të hënën, më 2 qershor. Përzgjedhja bëhet përmes shortit elektronik, që “përzgjedh në mënyrë krejtësisht rastësore aplikuesit që do të fitojnë të drejtën për të blerë biletë”.

Sipas njoftimit, janë bërë mbi 200 mijë aplikime. FSHF-ja ka njoftuar se do të zbatohen filtra të sigurisë dhe verifikim për të eliminuar aplikimet e dyfishta dhe të dyshimta. Sipas njoftimit, ka edhe plot masa tjera shtesë të sigurisë që biletat të përfundojnë ku duhet.