Gjilani nuk ka lejuar befasi në xhiron e fundit të edicionit në elitën e futbollit kosovar.
Të dielën në terrenin me bar sintetik në Gjilan e mposhti Prishtinën e Re, me rezultatin 3:2, ndonëse ishte në disavantazh.
Golin për 1:0 për Prishtinën e Re e realizoi Rion Rushiti.
Më pas, Gjilani barazoi shifrat në minutën e 41-të me Armend Thaqin nga penalltia kurse Blerind Morina shënoi në minutën e tretë të shtesës në pjesën e parë për 2:1. Prishtina e Re i barazoi shifrat në minutën e 75-të me Astrit Berishën.
Por, goli i sulmuesit Senad Jaroviq në minutën e 80-të, e mbylli çështjen e fituesit. Jaroviq realizoi për 3:2.
Gjilani e siguron mbijetesën me 51 pikë. Prishtina e Re bie në kategorinë e dytë, pasi i grumbulloi vetëm 31 pikë në 36 ndeshje.