Prishtinë, 21 janar – Ishte e gjatë lista e skuadrave që kishin shprehur interesim për Valmir Berishën në javët e fundit të vitit 2013. Berisha, një sulmues i ri nga Suedia, kishte shkëlqyer në Botërorin U-17, të mbajtur prej 17 tetorit deri më 8 nëntor të vitit 2013 në Emiratet e Bashkuara Arabe. Për Suedinë, që kishte përfunduar e treta, kishte realizuar plot shtatë gola. Ishte shpallur golashënuesi më i mirë i Botërorit. Kosovari Berisha ishte pjesë e Halmstadit dhe largimi i tij ishte i pashmangshëm. Atij i parashikohej karrierë e ndritur, në nivelet më të larta të futbollit.
Shtatë vjet më vonë, Valmir Berisha po luan për Chindia Targovishte në kampionatin e Rumanisë. Nuk është se po shquhet me paraqitje apo me numrin e golave. Fundjavën e kaluar ishte një moment i ndritur i tij – shënoi golin e vetëm për Chindia Targovishte në fitoren 1:0 ndaj Dinamo Bukureshtit, skuadrës së njohur rumune. Ai kishte shënuar edhe më 4 tetor ndaj Botosanit. Në 12 ndeshje të këtij edicioni të kampionatit rumun ka realizuar dy gola.
Chindia është klub i nivelit dukshëm më të ulët se Roma e famshme italiane. Te Roma, Berisha kishte kaluar në janar të vitit 2014. Por menaxheri nuk kishte pasur durimin që të presë zhvillimin e Berishës dhe kjo i kushtoi sulmuesit, tani 24-vjeçar. Ai kaloi si huazim te Panathinaikosi. Më pas luajti te Cambuuri në Holandë, tek Aalesundi në Norvegji, te Fjolniri në Islandë. Ishte madje edhe te Velezh Mostari në Bosnjë, kurse prej janarit të vitit të kaluar është te Chindia. Në pjesën e dytë të edicionit të kaluar realizoi 2 gola në 17 paraqitje. Sërish është në shifrën e dy golave dhe synon shumë më tepër. Ai synon edhe kthimin në nivelin më të lë lartë të futbollit. Në një intervistë të gjatë për KOHËN e konfirmon këtë.
KOHA: Sa është i rëndësishëm për ty goli i shënuar ndaj Dinamo Bukureshtit?
Valmir Berisha: Për mua dhe për skuadrën ishte me rëndësi të marrim tri pikë. Pasi e kam shënuar golin, është vetëm plus për mua.
KOHA: A je i kënaqur se si po zhvillohet karriera jote në Rumani?
Berisha: Po edhe jo. Unë kam ardhur këtu në shkurt të vitit të kaluar. Më pas u paraqit koronavirusi dhe tërë futbolli u ndal. Forma dhe gjëra të tjera nuk ishin si duhet pasi rifilluam. Pas katër muajve në klub, kam pasur oferta nga Ukraina, Suedia, Rusia e Bullgaria. Por unë kisha kontratë edhe një vit dhe kam mbetur këtu. Klubi nuk ka dashur të më shes. Edhe pse nuk kam shënuar aq shumë gola, kam pasur ndeshje shumë të mira dhe kam realizuar gola të rëndësishëm, që kanë ndihmuar për të mbetur në ligën e parë. Interesimi është rritur shumë pas atyre katër muajve.
KOHA: Si erdhi tek ideja për transferim në Rumani?
Berisha: Trajneri i skuadrës ishte një ish-sulmues shumë i njohur në botë. Ai ka pasur dëshirë të punoj me mua dhe plani i tij ishte që të ma kthente emrin që e kam pasur përpara. Bëhet fjalë për Viorel Moldovan. Kështu që ishte më e lehtë të vendosja për një klub ku trajneri ishte i përkushtuar për të punuar me mua. Tani ai trajner nuk është në skuadrën ku unë luaj.
KOHA: Sa ke kontratë dhe cilat janë planet për të ardhmen?
Berisha: Kontratë kam edhe gjashtë muaj. E ardhmja varet nga unë dhe natyrisht edhe nga klubi.
KOHA: A e ndien veten Valmiri se do të kthehet sërish në nivelin më të lartë të futbollit?
Berisha: Në futboll gjërat lëvizin shumë shpejt. “Prej lart në qiell bie në tokë për një sekondë”, është një fjalë që përdoret shpesh. Unë e kam parë që një ditë njeriu është mbret e tjetrën ditë mund të mos jetë askush. Unë ambiciet i kam që të luaj sa më lart që është e mundur. Ngadalë shpresoj të arrij atje ku synoj. Atëherë do të jem më i përgatitur se që isha kur i kisha 16 apo 17 vjet.
KOHA: Po luan në Rumani, a jeni dorëzuar nga synimi për kalim në nivelin më të lartë?
Berisha: Dorëzimi nuk është asnjëherë opsion. Unë dhe familjarët e mi nuk jemi rritur ashtu. Si të gjithë shqiptarët, nuk dorëzohem aq lehtë. Do të luftoj për ëndrrat e mia derisa të mos mundem më.
KOHA: Cili mund të jetë hapi i ardhshëm për të shkuar atje ku ti synon?
Berisha: Njeriu nuk e di se cili është hapi i duhur. Unë jam sulmues dhe për sulmuesit është më lehtë se për të tjerët. Me 6-8 gola në kohë të shkurtër, hapen shumë rrugë. Secili ekip, në çdo ligë, kërkon sulmues që jep gola.
KOHA: Të kthehemi prapa. Keni shkëlqyer në Botërorin U-17 me Suedinë dhe ke pranuar shumë oferta. Cilat klube kanë bërë oferta konkrete për ty?
Berisha: Ka pasur shumë oferta, por po i përmendi vetëm tri finalet të cilat unë dhe familja ime i kemi konsideruar si më të përshtatshme. Ishin ofertat e Sunderlandit, Romës dhe Dortmundit.
KOHA: A ishte i ngutshëm largimi nga Suedia?
Berisha: Natyrisht që ishte një hap shumë i madh. Kam qenë i ri dhe nuk krahasohet mentaliteti italian me atë të Suedisë, as në fushë të futbollit e as jashtë futbollit. Unë nuk kisha përvojë që të jem larg familjes dhe i vetëm. Te Roma kanë pasur dëshirë që unë të jem vetëm, të mos e kem familjen afër, për të më rritur se si kanë dashur në klub. Kanë dashur të rritem me mentalitetin e tyre, ashtu si për shumë lojtarë të tjerë. Për njerëzit në klub ishte gjë normale e për mua gjë shumë e vështirë. Nuk mendoj që jam ngutur për të shkuar, por unë nuk kam qenë i pjekur për t’u zhvendosur dhe të jetoj i vetëm.
KOHA: Pse zgjodhe Romën dhe a ishte vendim i duhur?
Berisha: Dëshirën më të madhe e kam pasur që të bëhem futbollist profesionist në Itali. Kur erdhi oferta e Romës ishte e vështirë të refuzohej. Prejse kam qenë fëmijë e kam pasur ëndërr dhe erdhi dita për ta realizuar. Gabimi im në Romë ishte që nuk jam zhvendosur me familje dhe që e kam dëgjuar menaxherin për të shkuar huazim prej Romës në kohën kur drejtues që klubit më thoshin që kanë dëshirë për të më ndalur, të paktën edhe një vit, që t’i mësoj të gjitha gjërat.
KOHA: Çka ka shkuar keq te Roma, pse zhvillimi yt nuk ishte ai që duhej?
Berisha: Unë e kam firmosur kontratën në janar të vitit 2014. Dokumentacioni im nuk është kompletuar deri në mes të marsit, pasi isha ende i ri. Do të thotë që nuk kam mundur të luaj ndeshje me skuadër të parë apo më te dytë. Kjo ka zgjatur gati tre muaj. Vetëm ushtrime kam bërë. Lojtari merr formë prej ndeshjeve më shumë se prej stërvitjeve. Kur dokumentet u kompletuan atëherë jam ftuar në ekipin e parë, pasi bëra dy-tri ndeshje të mira me ekipin e dytë. Transferimi te Roma ishte bërë me qëllim që të përfshihem në ekipin e parë të Romës sa më shpejt. Më pas shkova në kualifikime për Evropian me U-19 të Suedisë, u lëndova dhe humba rastin të shkoja me skuadër të parë për përgatitje në Amerikë. Dhe përfundoi stinori, që për mua ishte shumë i shkurtër. Gjashtë ndeshje me skuadrën e dytë (Primavera), katër ndeshje me U-19 të Suedisë dhe dy-tri herë në bankë me skuadrën e parë. Sezoni për mua ishte vetëm tre muaj.
KOHA: Ke luajtur në Panathinaikos e më pas në vende si Holanda, Norvegjia, Islanda, Bosnja dhe tani je në Rumani. A ka ndonjë lëvizje për të cilën je pishman?
Berisha: Jam pishman për largimin nga Roma në fakt. Trajneri Rudi Garcia dhe drejtori i klubit, Sabatini, nuk kanë pasur dëshirë që unë të shkoj huazim. Kanë pasur dëshirë që unë të qëndroj në Romë që të zhvillohem ende. Plani ishte që të vazhdoja të ushtroja me skuadër të parë dhe të luaja ndeshje për Primavera dhe më pas të vjen mundësia për t’u futur në skuadrën e parë të Romës. Unë nuk isha i pjekur sa duhej dhe kisha shumë besim te menaxheri. Ai më tha që unë jam lojtar që duhet patjetër të luaj në skuadër të parë, vazhdimisht. Edhe jo në skuadra të vogla, por të mëdha. Unë kisha dëshirë të shkoja në Holandë, ndërsa menaxheri insistonte të kaloja në skuadër të madhe, një që luan në Champions. Kalimi në skuadra të mëdha ishte i mirë nëse shikohet aspekti ekonomik. Por për një lojtar 17-18-vjeçar, paratë nuk duhet të jenë prioritet. Për mua kurrë nuk ishin, por shumë menaxherë e shikojnë se çka është më mirë për ta se për lojtarë. Por unë nuk i shoh si gabime, i shoh si mësime. Në të gjitha skuadrat kam kaluar mirë. Ende jam i ri, vetëm 24-vjeçar.
KOHA: A ka ndonjë moment ku karriera jote mori kthesë?
Berisha: Nuk mund të them se cili ishte hap i mirë apo hap i keq. Çdo ditë jam duke u zhvilluar si person dhe si lojtar. Kam besim te Zoti se është duke më përgatitur për gjithçka. Nuk ka shumë lojtarë në moshën time me përvojën time dhe me gjërat që kam përjetuar.
KOHA: Pra nuk i keni pasur njerëzit e duhur afër gjatë karrierës suaj?
Berisha: Në fillim të karrierës kam pasur vetëm njerëz të këqij në rrethin tim. Menaxherët nuk kanë shikuar të më ndihmojnë mua në karrierë, por kanë shikuar vetëm financat. Familjen, shokët i kam pasur afër zemrës tërë kohën, por përvojë në nivel të lartë të futbollit nuk kemi pasur asnjëri. U kemi besuar menaxherëve dhe ky ishte një gabim i madh i imi. Por sot e kam përvojën dhe e di se si shkojnë gjërat.
KOHA: Ke ende shumë para në karrierën në futboll. Kur do ta shohim Valmirin e vërtetë, atë djaloshin që i shënonte shtatë gola në Botëror?
Berisha: Dëshira ime do të ishte që kjo të ndodhte nesër. Por punët janë në duar dhe në kontroll të dikujt tjetër. Unë do të jap maksimumin për të arritur atje ku unë isha një herë. I kam 24 vjet, jam ende i ri, por kam përvojë të madhe. Por i kam ëndrrat e njëjta që i kam pasur kur kam filluar të luaja futboll.
Dëshira e Berishës – të luajë për Kosovën
Valmir Berisha ka luajtur për U-17, U-19 dhe për ekipin olimpik të Suedisë. Ishte pjesë e Suedisë në lojërat olimpike “Rio 2016”. Për shkak të rënies në karrierë ai nuk është ftuar më nga Suedia.
Dëshira e 24-vjeçarit është të luajë për Kosovën.
“Dëshirën, si gjithë shqiptarët, e kam pasur dhe e kam që të luaj për përfaqësuesen. Por ftesë kam marrë vetëm nga Albert Bunjaki, kur ai ishte selektor”, ka thënë Berisha.