Federata e Futbollit të Kosovës e ka mbyllur selinë e saj, por kryetari i FFK-së, Agim Ademi, nuk e ka ndalë aktivitetin.
FFK-ja të martën mbrëma njoftoj se selia e saj do të jetë e mbyllur deri më 27 mars. Vendimin e ka arsyetuar me rekomandimet e organeve përgjegjëse për luftimin e përhapjes së koronavirusit. Një prej rekomandimeve është që të mbahet distanca me të tjerët. Por kjo nuk është respektuar gjatë vizitave të shumta që Agim Ademi ka bërë të enjten, raporton Koha.net.
Faqja zyrtare e FFK-së në Instagram ka njoftuar të enjten fillimisht për një vizitë të Ademit në klubin Vushtrria. Në fotografinë e publikuar shihet i pari i futbollit kosovar duke biseduar nga afër me lojtarë e drejtues të Vushtrrisë.
“Presidenti Ademi është interesuar sidomos për lojtarët e jashtëm të këtij klubi, për gjendjen e tyre në këtë situatë të vështirë si pasojë e koronavirusit. Presidenti uroj që të kalojmë sa më parë këtë gjendje, duke i siguruar drejtuesit e klubit dhe vetë futbollistët se FFK-ja do të përkujdeset maksimalisht për ta”, thuhet në njoftim.
Më pas Ademi ka vizituar Lidhjen Rajonale të Futbollit në Mitrovicë, ku është takuar me kryetarin e saj, Adem Çollakajn. Pas Mitrovicës është ndalur në Skënderaj ku është pritur nga kryetarja e klubit Drenica, Mihane Bekteshi – Kodra.
“Ademi i ka njoftuar bashkëbiseduesit për vendimin e Komitetit Ekzekutiv për t’i ndihmuar klubet në këtë situatë të vështirë në të cilën po kalon vendi, derisa ka inkurajuar edhe një herë futbollistët dhe të gjithë ata që janë afër futbollit që këtë sfidë ta kalojmë pa panik, me durim e kujdes”, thuhet në njoftimin tjetër të FFK-së.
Në mbrëmje është bërë e ditur për vizitën e Ademi në stadiumin në Lipjan, “me rastin e dezinfektimit të këtij objekti pas shfaqjes së koronavirusit në vendin tonë”. Kryetari i FFK-së ka vizituar edhe klubin Arbëria në Dobrajë.
Ditë më parë Lidhjet Rajonale të Futbollit të Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajt e Prishtinës kanë ofruar përkrahje publike për Ademin. Njoftimi për këtë ishte bërë në faqen zyrtare të Federatës.
Ademit kohë më parë Gjykata e Apelit ia vërtetoj dënimin me burg për një rast që nuk ka të bëjë me futbollin. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka vlerësuar më 10 mars vendimin e Gjykatës si të padrejtë. Organi kryesor ekzekutiv i Federatës i ka ofruar përkrahje unanime Ademit, që ka bërë të ditur se do të ankohet në shkallën e fundit – Gjykatën Supreme.
Një pjesë e klubeve të Superligës janë kundër qëndrimit të Ademit në krye të FFK-së, raporton Koha.net.
