Të martën (nesër), përfaqësuesja e Kosovës në futboll i mëson kundërshtarët e ardhshëm në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Shorti për edicionin 2020\21 të Ligës së Kombeve tërhiqet në Amsterdam nga ora 18:00. Është ky vetëm edicioni i dytë i Ligës së Kombeve, garë që fillimisht nuk ishte pritur me shumë entuziazëm në futbollin evropian. Por për Kosovën, Liga e Kombeve është gara që ia ofroi rastin e madh, raporton Koha.net.
Përmes saj Kosova ia ka dalë të sigurojë paraqitjen në plejofin për kualifikim në “Euro 2020”. Më 26 mars Kosova luan në Shkup ndaj Maqedonisë Veriore në gjysmëfinale të plejofit. Nëse e fiton atë ndeshje, Kosova luan prap në udhëtim me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë, në finale të plejofit. Nëse fiton, kualifikohet në Evropianin e këtij viti.
Pra Kosova është vetëm dy fitore larg Evropianit. Kjo do të ishte e pamundur pa hyrjen në program të Ligës së Kombeve. Në kualifikimet e rregullta për “Euro 2020”, Kosova nuk është kualifikuar. Por, për të, si për disa përfaqësuese tjera, është paraqitur mundësia e dytë që vjen nga Liga e Kombeve.
Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Kosova ka luajtur në nivelin më të ultë, Ligën D. Ndeshjet i luajti prej 7 shtatorit deri më 20 nëntor të vitit 2018. Ajo kampanjë mbetet më e suksesshmja për Kosovën sa i takon rezultateve. Me katër fitore e dy barazime, Kosova fitoi grupin e tretë dhe kështu siguroi paraqitjen në plejof. Kosova fillimisht barazoi pa gola me Azerbajxhanin e më pas fitoi me Ishujt Faroe e Maltën. Prap barazoi në udhëtim me Ishujt Faroe, kurse dy ndeshjet e fundit i fitoi bindshëm, 5:0 në udhëtim ndaj Maltës dhe 4:0 në shtëpi ndaj Azerbajxhanit.
Falë suksesit në vitin 2018, Kosova ka kaluar në Ligën C të Ligës së Kombeve, që është niveli i tretë. Për short do të jetë në vazon e dytë së bashku me Maqedoninë e Veriut, Bjellorusinë e Qipron. Në vazon e parë janë Greqia, Shqipëria, Mali i Zi e Gjeorgjia. Në vazon e tretë janë Estonia, Sllovenia, Lituania e Luksemburgu, ndërsa në vazon e katërt Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani e Moldavia.
Ndeshjet e fazës grupore do të luhen prej 3 shtorit deri më 17 nëntor të këtij viti. Kosova do t’i luajti gjashtë ndeshje në grup. Por fillimisht selektori Bernard Challandes dhe të përzgjedhurit e tij janë të fokusuar te ndeshja me Maqedoninë e Veriut.