Sport

Lojtarë të rinj e të rikthyer në përfaqësuesen që synon Evropianin

Në letër përfaqësuesja e Kosovës në futboll i ka tre kundërshtarë më të fortë në grupin eliminator për “Euro 2024”. Në shortin për kualifikime Kosova ishte në vazon e katërt. Prej vazos së parë e ka Zvicrën, prej të dytës Izraelin, ndërsa prej të tretës Rumaninë. Bjellorusia e Andorra janë prapa Kosovës në grup, bazuar në vazo.

Por, në Federatën e Futbollit të Kosovës tashmë e kanë të qartë synimin për eliminatoret e ardhshme – kualifikimin në Kampionatin Evropian që vitin tjetër mbahet në Gjermani.

Fillimi i një kampanje është shumë i rëndësishëm. Dhe fillimi për Kosovën nuk pritet të jetë i lehtë. Kosova më 25 mars luan në Tel-Aviv ndaj Izraelit. Më 28 mars në Prishtinë, Kosovën e pret ndeshje më e lehtë ndaj Andorrës.

Selektori Alain Giresse është bazuar kryesisht në lojtarët e deritashëm për ndeshjet e para të ciklit kualifikues në të cilin synohet shumë. Amir Rrahmani e Vedat Muriqi pritet të jenë sërish figurat kryesore, ndërsa do të luajnë edhe të tjerët që ishin deri më tani. Ka pak risi në listën e teknikut francez. Janë kthyer Leart Paqarada e Valon Berisha, që tashmë po luan në Australi. Ka plot lojtarë në listë që kanë telashe të mëdha në klubet e tyre e disa nuk luajnë fare.

Ka po ashtu emra të rinj. Arbnor Muja i Antwerpit, Albion Rrahmani i Ballkanit dhe Amar Gërxhaliu i Antalyasporit, janë ftuar për herë të parë. Sulmuesi Rrahmani është “përfaqësuesi” i vetëm i Superligës. Gjasat që Gërxhaliu ta fitojë rastin nuk janë shumë të mëdha, por për mbrojtësin e ri sukses i jashtëzakonshëm është vetë ftesa në përfaqësuese. Edhe Muja ka konkurrencë të madhe në krah, ndërsa Rrahmani në sulm është opsion për Vedat Muriqin.

“Dy ndeshjet e këtij muaji janë shumë të rëndësishme në rrugëtimin drejt qëllimit final – kualifikimit në Evropian”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Dy liderët e Kosovës, mbrojtësi Rrahmani dhe sulmuesi Muriqi po kalojnë momentin më të mirë në karrierë. Rrahmani me Napolin po marshon drejt titullit në Serie A dhe është në çerekfinale të Championsit. Ndërkohë Muriqi po shfaqet vazhdimisht i rrezikshëm në La Liga për skuadrën e Mallorcas. Të tjerët janë dukshëm nën nivelin aktual të Rrahmanit dhe Muriqit.

Giresse ka ftuar 26 lojtarë, por nuk ka pasur vend për Ermal Krasniqin dhe Mirlind Dakun. Krasniqi po shfaqet pozitivisht në Rumani për Clujin, ndërsa Daku ka gjetur rrugën drejt portës në Slloveni, pas shumë javësh shterpë. Ka vlerësime të shumta se këta dy lojtarë kanë merituar ftesën.

“Tani është koha që lojtarët tanë dardanë formën e mirë që po e kalojnë në klubet e tyre ta bartin në ekipin kombëtar dhe të krijojnë një sinergji të fortë për të arritur suksesin historik”, shkruan FFK-ja.

Kualifikimi në Evropian megjithatë nuk është i lehtë. Dy të parët në grup kualifikohen. Në Grupin I, Zvicra vlerësohet favorite e madhe. Për pozitën e dytë me shumë mundësi do të luftojnë Izraeli, Rumania dhe Kosova. Shumë do të varet nga ndeshjet e këtij muaji.

Futbollistët e Kosovës për ndeshjet me Izraelin dhe Andorrën

Arijanet Muriq, Samir Ujkani, Visar Bekaj; Mërgim Vojvoda, Florent Hadërgjonaj, Amir Rrahmani, Mirlind Kryeziu, Fidan Aliti, Amar Gërxhaliu, Leart Paqarada, Donat Rrudhani, Betim Fazliji, Ibrahim Dresheviq; Blendi Idrizi, Valon Berisha, Bersant Celina, Florian Loshaj, Florent Muslija, Edon Zhegrova, Elbasan Rashani, Arbnor Muja, Arbër Zeneli, Milot Rashica, Zymer Bytyqi; Vedat Muriqi, Albion Rrahmani.