Me 15 vjet e 118 ditë, Martin Odegaard u bë më i riu që debutoi në kampionatin e Norvegjisë në futboll. Odegard, tani 21-vjeçar, është lojtar i Real Madridit, i huazuar aktualisht te Real Sociedadi.
Odegaard më 13 prill të vitit 2014 kishte thyer rekordin që e mbante Zymer Bytyqi, që kishte debutuar në kampionatin norvegjez me 15 vjet e 260 ditë.
Por rekordi i Odegaardit nuk qëndroi gjatë. Më 25 maj të vitit 2015, rekord të ri vendosi një lojtar që aktualisht është pjesë e Kosovës U-21.
Kreshnik Krasniqi luajti në kategorinë e dytë të Norvegjisë kur kishte 14 vjet, pesë muaj e tri ditë. Krasniqi tani është 19-vjeçar, ndërsa nuk ka pasur raportime të jetë thyer rekordi i tij në kampionatet e Norvegjisë. Të paktën vetë Krasniqi nuk e ka një informatë të tillë.
Në të vërtetë, Norvegjia njihet si vend që ua ofron rastin lojtarëve në moshë shumë të re që të debutojnë për seniorët. Është i njohur rasti i Odegaardit, që po kalon formë të lartë në La Liga. Për Norvegjinë, Odegaardi kishte luajtur me 15 vjet e 253 ditë. Odegaardi ishte vlerësuar supertalent dhe në moshë të re kishte kaluar te Reali. Është po ashtu më i riu që ka luajtur për Real Madridin, me 16 vjet e 157 ditë.
Për Krasniqin në vitin 2015 kishin shkruar mediat më të mëdha botërore. Por ka pasur fare pak shkrime për të në vitet në vazhdim. Ai pranon se nuk është zhvilluar si duhet, ndërsa fajin për këtë ua lë lëndimeve.
“Natyrisht që jam i kënaqur që kam luajtur me seniorë në moshë aq të re. Kam fituar rastin pasi kam punuar mirë dhe trajnerët kanë parë potencial tek unë. Debutimi në moshë aq të re është dëshmi që isha në rrugë të mirë për zhvillimin tim”, ka thënë Krasniqi për Koha.net.
Mesfushori Kreshnik Krasniqi ishte aktivizuar në fitoren 3:1 të skuadrës Honefoss në udhëtim ndaj Nest-Sotra. Ndeshja i takonte xhiros së dhjetë të kategorisë së dytë të Norvegjisë. Krasniqi luajti për Honefossin prej minutës së 86-të. Kishte pak minuta në dispozicion, por mjaftueshëm për të shkruar histori.
Ajo mbetet paraqitja e vetme e Krasniqit në ligat kryesore të Norvegjisë. Ai aktualisht është tek ekipi Stromgodset. Kësaj skuadre të elitës norvegjeze i është bashkuar që në vitin 2016, por nuk ka debutuar ende me seniorët në ndeshje zyrtare.
“Nuk e di saktësisht nëse e mbaj ende rekordin si më i riu që kam luajtur në top-ligat e Norvegjisë. Por besoj që po. Besoj, po ashtu, që Martin Odegaard është i dyti. Të debutosh si një 14-vjeçar në ligë profesioniste është diçka që nuk e përjeton çdokush. Prandaj, duhet që të jesh shumë i vëmendshëm që të kesh fokus në zhvillim dhe njëkohësisht të jesh falënderues që je aty ku je. Normalisht duhet të vazhdosh të punosh shumë, edhe pse e ke bërë një hap tjetër drejt suksesit”, ka thënë Krasniqi.
Ai pranon se debutimi i hershëm ka dy anët e tregimit.
“Mendoj se më ka ndihmuar më shumë se që më ka bërë keq. Mendërisht duhet të jesh i fortë dhe modest që të vazhdosh punën. Pas debutimit njerëzit kanë pritur më shumë nga unë dhe në këtë drejtim nuk kam pasur sukses. Nuk kam shpërthyer ende, nuk jam ende ai lojtari që dua të jem. Fatkeqësisht lëndimet kanë qenë arsyeja kryesore”, ka treguar Krasniqi.
Mesfushori pranon se zhvillimi i tij nuk ishte ai i synuar. Por është falënderues. Thotë se ka përjetuar shumë vështirësi dhe prapë është ngritur në këmbë. Nuk është dorëzuar asnjëherë.
“Në të ardhmen mund të pritet një Kreshnik shumë i mirë, fizikisht i pandalshëm dhe mendërisht një fitues”, është i bindur 19-vjeçari.
Pas një viti të vështirë, Krasniqi beson se këtë vit do të shpërthejë në kampionatin e Norvegjisë.
Krasniqi në të kaluarën ka luajtur për U-16 të Norvegjisë. Së fundi i ka tri ndeshje me U-21 të Kosovës, ndërsa është paraqitur edhe me U-19.
“E kam zgjedhur Kosovën pasi jam shqiptar. Jam shumë i lumtur që mund të kontribuoj për vendin tim. Shpresoj që të jap kontribut edhe në të ardhmen”, thotë ai.
Së fundi bujë ndërkombëtare po bën një tjetër supertalent nga Norvegjia,. Është 19-vjeçari, Erling Haaland, që po thyen rekorde me golat e shënuar për Borussia Dortmundin. Haaland në kategorinë e dytë të Norvegjisë ka debutuar me 15 vjet.
Krasniqi e Haalandi ishin bashkëlojtarë tek U-16 e Norvegjisë. Kanë luajtur pesë ndeshje së bashku. Karriera e tyre tani është në nivele krejt të ndryshme.
“Planet për të ardhmen janë që të luaj në njërën nga pesë ligat më të mëdha. Ëndërr, po ashtu, e kam që me Kosovën të luaj në Evropian apo Botëror”, thotë Krasniqi.

