Florent Hasani ka kompletuar të shtunën ndeshjen e Diosgyorit ndaj Mol Fehervarit.
Takimi i xhiros së 25-të të kampionatit të Hungarisë përfundoj 1:1. Hasani është i fundit prej reprezentuesve të Kosovës që është paraqitur në fushën e blertë. Por edhe ai, si shumica e lojtarëve të Kosovës, duhet të pres të paktën disa javë për të luajtur ndeshjen e ardhshme.
Futbolli në Hungari është pezulluar të hënën pasi në këtë vend u paraqitën dhjetëra raste të personave të prekur nga koronavirusi.
Kështu Hungaria bëhet pjesë e grupit të madh të vendeve që kanë pezulluar aktivitetin sportiv në tentim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Në Evropë tashmë kanë mbetur fare pak vende që po vazhdojnë më gara të futbollit. Në disa prej tyre paraqiten edhe lojtarë të Kosovës.
“Kam luajtur të shtunën, por sot është ndalur futbolli edhe këtu në Hungari. Janë paraqitur rastet me koronavirus dhe u mor vendimi që të ndalet edhe këtu futbolli. Janë diku rreth 40 raste me koronavirus. Nuk ka ende ndonjë vendim për stërvitje, por kampionati është ndërprerë për afat të pacaktuar”, ka thënë Hasani për Koha.net.
Në fundjavë prej reprezentuesve të Kosovës kanë luajtur edhe Vedat Muriqi në Turqi e Bernard Berisha në Rusi. Turqia e Rusia janë prej pak vendeve që nuk kanë pezulluar kampionatet. Por kjo me shumë gjasë do të ndodhë ditëve të ardhshme, ndoshta menjëherë të martën.
Në Turqi ndeshjet janë luajtur pa shikues, ndërsa një ndeshje e Superligës është zhvilluar të hënën. U takuan Antalyaspori e Sivasspori. Fitore shënoj Antalyaspori me shifrat 1:0.
Të shtunën u paraqit Vedat Muriqi, që me skuadrën e tij, Fenerbahce, pësoi 1:0 nga Konyaspori. Pati kritika për paraqitjen e Muriqit dhe gjithë bashkëlojtarëve të tij.
Pjesë e Kasimpashas në Superligën turke është Florent Hadërgjonaj, që nuk ishte në skuadër për ndeshjen e së premtes. Ndërkohë Loret Sadiku, një tjetër lojtar nga Kosova nëTurqi, ka kohë që mungon për shkak të një lëndimi.
Në kampionatin e Rusisë, Bernard Berisha luajti 13 minuta për Akhmat Groznyn që pësoi 3:2 nga Dynamo Moska. Njërin gol për Groznyn e shënoj reprezentuesi I Shqipërisë, Odise Roshi.
“Në Grozny nuk ka asnjë rast me koronavirus dhe jemi duke stërvitur normalisht. Nuk ka ndonjë rrezik për momentin, por masa kanë nisur të marrin edhe këtu. Ndeshjet aktualisht po luhen me shikues, por një vendim pritet të martën”, ka thënë Bernard Berisha.
Në Bjellorusi po luan Azdren Llullaku, që ka të kaluar te Kombëtarja e Shqipërisë. Në fundjavë ai asistoj në një ndeshje për Kupë. Edhe ajo ndeshje u luajt me shikues. Kampionati në Bjellorusi fillon m 19 mars, por ndërkohë mund të ndryshojë situata. Llullaku ka thënë se në Bjellorusi aktualisht jeta është normale, pa masa të caktuara ndaj koronavirusit. Ka thënë se në këtë vend është paraqitur vetëm një rast i koronavirusit, por se raste tjera priten.
Futbollistë tjerë nga Kosova luajnë në kontinente tjera, përshembull në Australi. Por shumica janë në pushim të detyrueshëm, njëjtë si lojtarët në Kosovë.