Sport

Shiten biletat për ndeshjen Maqedoni e Veriut – Kosovë

Ndonëse po shtohen zërat që ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë të luhet në stadium të mbyllur, biletat për sfidën e 26 marsit janë shitur tashmë.

Është Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut që të premten ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup. Bëhet fjalë për ndeshjen e gjysmëfinales së plejofit për “Euro 2020”. Fituesi i ndeshjes do të luajë në finale me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë për një vend në Evropianin e këtij viti.

“Nëse nuk ka kërkesë, rekomandim apo ndalesë eventuale të spektatorëve nga ana e institucioneve relevante shtetërore për shkak të koronavirusit, atëherë futbollistët e Maqedonisë do të luajnë ndeshjen ndaj Kosovës në stadium të mbushur me shikues”, ka njoftuar federata maqedonase në faqen zyrtare.

“Ne falënderojmë tifozët maqedonas për përkrahjen që japin ndaj lojtarëve dhe po shikojmë para për një atmosferë madhështore në Arenën Nacionale ‘Todor Proeski’”.

Hyrja në stadium, nëse ajo bëhet e mundshme, do të bëhet duke prezantuar dokument personal. Nuk do të lejohet hyrja e tifozëve që nuk kanë biletë në emër të tyre. Federata maqedonase u ka bërë thirrje tifozëve për anim korrekt.

Në fakt një numër i biletave janë ndarë për tifozët e Kosovës.

Për shkak të përhapjes së koronavirusit ekziston rreziku që ndeshja megjithatë të luhet pa shikues. Këtë e kanë paralajmëruar të enjten zëdhënës të Federatës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa të premten edhe Ministri i Shëndetësisë i këtij vendi ka thënë se mendim i tij personal është që ndeshja të luhet në stadium të mbyllur.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë theksuar se vendimi i takon organeve shtetërore të Maqedonisë Veriore dhe se nuk kanë ndonjë paralajmërim se ndeshja mund të luhet pa shikues.

Në ndeshjet e kaluara të Maqedonisë Veriore ka pasur shumë vende të lira në stadium. Por për ndeshje me Kosovën kërkesa për biletë ishte e madhe. Tifozët maqedonas kanë thënë se do të bashkohen për të përkrahur përfaqësuesen e tyre në ndeshje ndaj Kosovës. Biletat kanë dalë në shitje më 3 mars.