Pak shikues të ulur në karriget përreth fushës së lojës e shumë më tepër në këmbë, po ashtu afër fushës. Skënderaj kishte përkrahje të zëshme të dielën mbrëma në derbin e Superligës së Kosovës në volejboll në konkurrencë të femrave.
KV Skënderaj fitoi ndaj M-Technologie me rezultatin 3:2 në sete dhe vazhdoi të jetë skuadra kryesore e volejbollit të femrave këtë edicion. Skënderaj udhëheq në tabelë me 30 pikë, dy më tepër se M-Technologie.
Skënderaj ka vite që është prej qendrave kryesore të volejbollit në vend, ndonëse përballet me mungesë të palestrës adekuate. Skënderaj, si pak qytete në vend, nuk ka ende palestër sportive.
Kjo bënë që ndeshjet e KV Skënderajt të luhen në sallë shkolle, pa tribuna e shumë kushte tjera të nevojshme. Skënderaj i luan ndeshjet në sallën e Qendrës së Kompetencës, institucioni arsimor që ofron shkollim për profile të ndërtimtarisë. Kjo sallë megjithatë nuk plotëson kushtet për zhvillim të ndeshjeve vendimtare, atyre të plejofit. Si çdo vit, KV Skënderaj duhet të bartet në një qytet tjetër.
Trajneri Ylli Kadriu vlerësohet më meritori për shndërrimin e Skënderajt në skuadrën kryesore të këtij edicioni.
“Kemi pritur që të jemi në vend të parë. Këtë e kemi besuar prej momentit kur ia kemi dalë të ruajmë komplet fondin e lojtareve nga edicioni i kaluar. Ekipet tjera janë përforcuar shumë, por ne kishim besim maksimal në lojtaret tona”, thotë Kadriu për Koha.net.
Sipas tij, Skënderajn e dallon edhe fakti që bazohet vetëm në lojtare të vendit, madje të gjitha nga qyteti i Skënderajt, pos njërës. Skuadrat tjera pretendente kanë në përbërje lojtare të huaja. Përshembull M-Technologie kishte dy lojtare nga Kuba e një nga Turqia.
“Ne mendojmë që kemi lojtare të mira, disa me përvojë e disa të reja në moshë, që janë shkrirë si një trup i vetëm dhe po bëjnë paraqitje të mira. Nëse kemi pak fat dhe nuk kemi lëndime, jam i bindur që mund të jemi të pamposhtur deri në fund”, ka shtuar trajneri drenicas.
Vitin e kaluar Skënderaj e fitoi Kupën e Kosovës dhe Kupën e Federatës. Tani e synon edhe titullin e kampionit.
“Skënderaj me të vërtetë është ekip unik. Kemi investuar shumë pak, pra jemi ekip vendor, edhe pse e kemi një lojtare maqedonase të licencuar që nuk ishte e pranishme në ndeshjet kryesore. Ekipet kundërshtare i kanë nga dy, tri e katër lojtare jo të vendit, madje të cilësisë së lartë. Vetëm një nga to paguhet sa i tërë ekipi ynë. Po ashtu ne nuk kemi palestër të mirëfilltë, ndërsa kemi tifozëri të zjarrtë. Është e vështirë të funksionohet pa palestër adekuate. Ka vështirësi për stërvitje, është sallë e shkollës. Të gjitha mjetet e punës duhet t’i bartim me veturë, pasi nuk kemi lokal të klubit”, ka thënë Ylli Kadriu.
Ai thotë se Skënderaj është penalizuar për vite rresht duke u detyruar që ndeshjet e plejofit t’i luajë në komuna tjera.
“Ne mburremi edhe për faktin që i kemi gjashtë lojtare reprezentuese në përbërje. Ky numër shpresoj se do të rritet, ndërsa pres që lojtaret tonë të jenë të padiskutueshme në përfaqësuesen e Kosovës”.
Ka shumë vite që në Skënderaj ka nisur ndërtimi i palestrës. Por ajo nuk ka përfunduar ende dhe nuk dihet kur do të përfundoj.
