Sport

Superliga mbledh Përfaqësuesen e basketbollit

Paraqitja në ndonjë ligë cilësore evropiane është synim i shumë të rinjve kosovarë që vendosin për karrierë në basketboll. Por basketbollistët e rinj me ëndrra për karrierë në Evropë, vështirë se mund të marrin ndonjë lojtar kosovar si model, për të ndjekur rrugën e tij. Kosova nuk prodhon lojtarë për nivele të larta evropiane, ndonëse ka dy dekada që basketbolli në vend është shumë i popullarizuar dhe numri i të rinjve që vendosin për karrierë në sportin e koshit është i madh.

Së fundi jo vetëm që nuk ka ndonjë transferim të lojtarëve në drejtim të klubeve të vendeve të tjera, por po ndodh e kundërta. Në Kosovë po kthehen edhe ata pak lojtarë kosovarë që ishin në vende të tjera. Tashmë në Superligë është mbledhur thuajse e gjithë Përfaqësuesja e Kosovës.

Të enjten Gëzim Morina firmosi me Golden Eagle Yllin, skuadrën e qytetit të tij të lindjes, Suharekës. Reprezentuesi i Kosovës, Morina, deri më tani ka luajtur në Slloveni. 28-vjeçari ka luajtur për skuadra të shumta të Sllovenisë, shtetësinë e të cilit vend e ka. Së fundi ishte te Helios Suns, por nuk kishte hapësirë shumë të madhe. Në kampionat ka luajtur mesatarisht nga 11,7 minuta, ndërsa ka realizuar nga 4,8 pikë për ndeshje. Në ndeshjet e Ligës ABA 2 nuk ishte i përfshirë. Morina edhe më herët ishte në Superligën e Kosovës, në edicionin 2015/16 luajti për Sigal Prishtinën.

Erjon Kastrati është një tjetër lojtar i kthyer në klubet e vendit, pas karrierës së gjatë në Slloveni. Ai, po ashtu, ka firmosur me Yllin, ditë më parë, kurse së fundi ishte te Primorska. Te kjo skuadër sllovene ishte prej lojtarëve më të mirë. Kastrati ka luajtur për disa skuadra sllovene, ndërsa karrierë bëri edhe në Hungari. Por nuk bëri hap tutje, u kthye në Kosovë te Ylli, që po kërkon trofeun e parë.

“Kthimi në Superligën e Kosovës nuk ka qenë diçka që ka ndodhur brenda natës. Dëshira ime dhe e çdo qytetari suharekas është që të stolisemi me trofe. Ka pasur shumë bisedime ndër vite me Yllin. Duke parë si kanë rrjedhur gjërat, këtë vit vendosa se ishte koha e përshtatshme që të kthehem dhe të mundohem ta ndihmoj klubin në arritjen e synimeve të përcaktuara”, ka thënë Morina për KOHËN.

“Basketbolli në Evropë është në krizë të madhe për shkak të pandemisë dhe klubi me të cilin kam pasur kontratë deri në fund të sezonit, Primorska, ka bankrotuar. Prej 6 dhjetorit kam qenë lojtar i lirë dhe në fund zgjodha Yllin për arsyen e thjeshtë, ofertën e kishte më të mirën”, ka thënë Kastrati.

“Angazhimin tim te Ylli nuk e shoh aspak si kthim prapa në karrierë. Shumë lojtarë në Evropë kanë marrë vendime të ngjashme. Kam edhe shumë bashkëlojtarë që janë pa klub dhe po presin oferta”, ka shtuar njëri prej reprezentuesve më të rëndësishëm te Kosova, Kastrati.

Prej basketbollistëve të Kosovës karrierën më të suksesshme evropiane e ka pasur Dardan Berisha. Kapiteni Berisha ka luajtur për skuadra si Polonia Varshava, Anwil, Cibona, Kutno, Juvecaserta e ÇEZ Nymburk. Por më gjatë ka luajtur në Kosovë dhe aktualisht është te Peja.

Drilon Hajrizi pati një periudhë të shkurtër në kategorinë e dytë të Japonisë, ndërsa tani luan te Trepça.

Madje edhe lojtarët e natyralizuar po vendosin për karrierë në Kosovë. Pas përvojës në Francë dhe pas shumë muajve pa skuadër, Divine Myles ka firmosur me Ponte Prizrenin.

Një tjetër lojtar që ka kërkuar shkëlqimin në Slloveni është Andi Shehu. Ai është kthyer dhe ka firmosur për Vëllaznimin e Gjakovës.

Aktualisht i vetmi lojtar i Kosovës që bën karrierë jashtë vendit, duke mos përfshirë të natyralizuarit, është Mikaile Tmushiq. Malaziasi Tmushiq luan për Kosovën për faktin se është i lindur në Pejë. Pas disa vitesh në Kosovë, Tmushiq këtë edicion po luan për Podgoricën. Është prej më të mirëve te kjo skuadër malazeze, që në fakt nuk i takon nivelit serioz evropian.

Një tjetër lojtar i rëndësishëm i Kosovës, Lis Shoshi, nuk është duke luajtur që nga edicioni 2018/19 për shkak të lëndimeve. Është aktualisht i vetmi me potencial për të luajtur në nivel më të lartë evropian.

Kosova më 18 dhe 20 shkurt i luan ndeshjet e fundit në kuadër të raundit të parë të parakualifikimeve për Botëror. Ndeshjet me Luksemburgun dhe Sllovakinë luhen në Prishtinë. Selektorit Christos Marmarinos do t’i duhet përcjellja e ndeshjeve vetëm të skuadrave kosovare për të përzgjedhur ekipin.