Në janar të vitit 2014, FIFA kishte dhënë leje që përfaqësuesja e Kosovës në futboll të luante ndeshje miqësore.
Me shumë mund ishte aranzhuar miqësorja me Haitin e panjohur, ndeshje që u luajt më 5 mars të atij viti në Mitrovicë. Më pas, ashtu si pritej, Kosova kishte telashe për të gjetur kundërshtarë. Ishte kohë kur zhvillimi i miqësoreve vlerësohej me shumë peshë për futbollin kosovar, raporton Koha.net.
Në atë moment të vështirë e të rëndësishëm, në Kosovë erdhi një përfaqësuese me peshë në futbollin ndërkombëtar. Ajo e Turqisë.
Këtë e kishte bërë të mundur trajner më i njohur turk, Fatih Terim. Terim, i njohur si Imperatori, të hënën është diagnostikuar me koronavirus dhe tani është i shtrirë në një spital në Turqi. Për kohë të gjatë ai është llogaritur mik i madh i futbollit kosovar, ndonëse nuk është bërë e ditur për takime të drejtuesve të FFK-së me të në vitet e fundit.
Një takim me Terimin, me ndërmjetësimin e Ali Shenit, e kishin mbajtur Fadil Vokrri dhe Eroll Salihu, më 7 mars të vitit 2014. Në atë takim ishte arritur marrëveshja që Turqia të vinte gjatë muajit maj të atij viti në Kosovë, me përbërjen më të fortë. Ishte një nder që po i bëhej Kosovës.
Dhe nderi u kthye me nder. Rreth 500 shikues kishin përcjellë në stadiumin e Prishtinës stërvitjen e Turqisë, të zhvilluar më 20 maj të vitit 2014. Kishte thirrje të shumta të shikuesve për Terimin, që aktualisht është trajner i Galatasarayt.
“Jam i lumtur që jam në Kosovë. I falënderoj të gjithë për mikpritjen. Është ndeshje miqësore, vëllazërore. Rezultati nuk është i rëndësishëm. Me rëndësi është se jemi bashkë, jemi dy shtete vëllazërore”, kishte thënë Terim në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Ndonëse nuk kishte luajtur me përbërjen më të mirë, Turqia kishte fituar 6:1 ndaj Kosovës në Mitrovicë, më 21 maj të vitit 2014. Terim kishte dalë në fushë duke duartrokitur shikuesit, por edhe mori duartrokitjet e tyre. Atmosfera në atë ndeshje ishte vlerësuar shumë lartë. Stadiumi ishte i stërmbushur me shikues.

Kontaktet e Terimit me drejtuesit e FFK-së vazhduan. Një takim tjetër i të ndjerit Vokrri me Terimin ishte zhvilluar në nëntor të vitit 2015. Terim kishte shprehur dëshirë që me Kosovën të takohej sërish në eliminatoret për Botëror.
Dhe kjo ndodhi.
Kosova u pranua në vitin 2016 në UEFA e FIFA dhe menjëherë atë vit nisi me ndeshje kualifikuese. Në grup e kishte pikërisht Turqinë. Në Antalya, më 12 nëntor të vitit 2016, Turqia fitoi 2:0 ndaj Kosovës. Ndërkohë në Shkodër më 11 qershor të vitit 2017, Kosova pësoi me rezultatin 4:1. Në të dy ato ndeshje, Imperatori i famshëm ishte në stolin e Turqisë.
Terim 66-vjeçar është trajneri më i famshëm nga Turqia. Përfaqësuesen e këtij vendi e ka drejtuar në tri periudha të ndryshme, gjithsej 11 vjet. Te Galatasaray është në periudhën e katërt të tij. Është prej vitit 2017. Ka punuar edhe në Itali, te Fiorentina e Milani. Është emër i respektuar në botën e futbollit.
Për Terimin shumë respekt kanë edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës. Nuk ia harrojnë nderin që ai ia bëri Kosovës në kohë të vështirë.
“Fatih Terim është një mik i madh i futbollit të Kosovës dhe i FFK-së. Na vjen shumë keq që ai është prekur nga koronavirusi dhe shpresojmë që ta kalojë sa më shpejtë dhe sa më lehtë këtë sprovë. Terim është një emër i madh jo vetëm në futbollin e Turqisë, por në gjithë Evropën. Edhe në Kosovë ai është një prej trajnerëve më të pëlqyer”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu për Koha.net, të martën.
Ai ka treguar se Terim ka ndihmuar FFK-në para pranimit në UEFA e FIFA. Salihu kujton që Terim i kishte thënë Vokrrit dhe atij se mund ta kontaktojnë sa herë që kanë nevojë.
“Definitivisht është njeri i madh dhe person që ka ndihmuar shumë futbollin e Kosovës. Së bashku me Ali Shenin vendosën që të vijnë në Mitrovicë në maj të vitit 2014 për ndeshje miqësore. Ishte kohë kur kishim vështirësi për të gjetur kundërshtarë, pasi të paktë ishin ata që pranonin të luanin me ne. Terim ishte i vendosur për të ardhur dhe kishte thënë se nëse është nevoja ai me ekipin e tij nuk do të flinin fare në hotel por nëpër shtëpi, vetëm e vetëm për ta luajtur këtë ndeshje para publikut të Kosovës. Gjithnjë ka qenë në dispozicion për ne. Ai madje nuk ishte ndjerë shumë mirë që na mposhti me Turqinë në eliminatore. I vinte keq por pikët ishin të rëndësishme për Turqinë”, ka theksuar Salihu.
Është raportuar të martën se gjendja shëndetësore e Terimit është e mirë. Gjendja e tij po monitorohet nga afër prej anës së mjekëve.
Turqia ishte prej vendeve të fundit që vendosi për të anuluar kampionatin e futbollit për shkak të koronavirusit. Terim ishte prej të parëve që kërkoj të anulohet edicioni. Por vetëm pasi u rrit presioni, kërkesa e tij u dëgjua.
“Po përballemi me një problem global. Gjendja emergjente është caktuar në shumë shtete, shkollat janë mbyllur, fluturimet po anulohen”, kishte thënë Terim më 15 mars.
“Të gjitha ligat e mëdha në botë janë pezulluar. Do të them të vërtetën, kjo ka të bëjë me jetën time, jetën tuaj e të lojtarëve. Ndonëse pa shikues, në stadium në ndeshjen e fundit ishin 850 persona dhe jeta e të gjithëve është e rrezikuar. Nëse ndeshjet pezullohen, dërgojmë lojtarët në shtëpi dhe askush nuk duhet të ndjehet keq”.