Sporte të tjera

Kosova i nis kualifikimet për Botërorin 2027 ndaj Britanisë së Madhe

Kosova hendboll

Hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, do të ballafaqohen kundër Britanisë së Madhe në fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2027.

Shorti për fazën e parë të Botërorit 2027 u tërhoq të enjten në Vjenë të Austrisë.

Botërori i vitit 2027 do të organizohet gjatë muajit janar në Gjermani.

Ndeshja e parë është në Britani të Madhe, ndërsa e kthimit në Kosovë.

Faza e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027 zhvillohet në vjeshtë. Ndeshja në Britani të Madhe do të zhvillohet më 29 apo 30 tetor, ndërsa ndeshja në Prishtinë më 1 apo 2 nëntor.

Përfaqësuesja më e suksesshme avancon në raundin e dytë kualifikues.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Muhamet Arifi, beson se mund ta sigurojnë kalimin në raundin e dytë.

“Është kundërshtar që e njohim. Kemi rezultate pozitive dhe jemi favorit për të kaluar tutje. Edhe pse Britania e Madhe po punon me grupmosha të reja dhe ekipin e parë. Por e konsiderojmë veten favorit ndaj Britanisë së Madhe. Megjithatë, presim angazhim maksimal në çdo ndeshje, si nga lojtarët, ashtu edhe trajnerët. Kam shumë besim se do të kalojmë në raundin e dytë, që do të mbahet në marsin e vitit të ardhshëm. Besoj se do të jemi të kompletuar për ndeshjet ndaj Britanisë. Do të ketë edhe prurje të reja, ndërsa urojmë të kemi fat edhe në shortin e dytë, pra, për ndeshjet e raundit të dytë”, ka thënë Arifi për KOHËN të enjten.

Kosova është përballur me Britaninë e Madhe në raundin promovues të kualifikimeve për Euro 2026.

Më 10 janar të vitit të kaluar në Prishtinë, Kosova kishte fituar me rezultat 30:22.

Ndërkohë, më 13 janar 2024 në Derby, hendbollistët e Kosovës fituan me rezultat 29:23. Me dy fitore, Kosova avancoi në fazën e dytë kualifikuese.

Letonia – Luksemburgu dhe Qipro – Turqia janë ndeshjet e tjera të raundit të parë kualifikues për Botërorin që mbahet në vitin 2027 në Gjermani.