Sporte të tjera

Mision i vështirë, Kosova nis kualifikimet ndaj kampiones së botës

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll

Franca është përfaqësuesja bindshëm më cilësore që paraqitet në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026 në hendboll. Dhe pikërisht me ndeshjen ndaj Francës hendbollistet e Kosovës i nisin kualifikimet.

Ndeshja Francë – Kosovë zhvillohet të mërkurën nga ora 20:45, në Nimes. I takon Grupit 1.
Kosova është pa gjasa ndaj francezeve cilësore.

Franca është kampione në fuqi e botës. Ka luajtur në dy finalet e fundit olimpike. Në Tokio fitoi të artën e në Paris të argjendtën.

Francezet kanë luajtur në tri prej katër finaleve të fundit të Kampionateve Botërore, ndërsa kanë fituar dy prej tyre. Po ashtu u paraqitën në katër gjysmëfinalet e fundit të Kampionateve Evropiane. Evropianin e fituan në vitin 2018.

Te Kosova janë të vetëdijshëm për forcën e Francës. Dhe janë të matur në parashikime. 

Sikur niveli superior i francezeve të mos mjaftonte, Kosova ka udhëtuar me shumë mungesa për në Nimes. Motrat Marigona e Arlinda Hajdari e kanë përfunduar karrierën, ndërsa për shkak të lëndimeve mungojnë Leonora Demaj, Dafina Mustafa, Albina Rugova. Mungojnë edhe lojtare të tjera si Mirela Gjikokaj e Fitore Aliu.

Kështu është krijuar vend për lojtare të reja dhe me perspektivë.

Kosova menjëherë të dielën e pret Kroacinë në Prishtinë. Edhe Kroacia vlerësohet përfaqësuese cilësore. Në grup është edhe Finlanda, me të cilën Kosova përballet vitin tjetër. Dhe pikërisht ndaj Finlandës kërkohet rasti për sukses.

“Ndeshjet me Francën dhe Kroacinë janë të nivelit shumë të lartë. Por mund të shërbejnë si shkollë e rëndësishme për përvojë dhe zhvillim të ekipit tonë shumë të ri. Jemi të fokusuar për paraqitje të dinjitetshme dhe luftarake, që gjithmonë është e mundur. Po ashtu janë ndeshje të rëndësishme për periudhë më të gjatë. Objektivi real është të fitojmë përvojë, të zhvillojmë tutje lojën tonë dhe të bëjmë përpjekje për rezultat sa më dinjitoz. Lojtaret e reja mund të përfitojnë shumë nga këto dy ndeshje”, ka theksuar selektori i Kosovës, Agron Shabani.  

Kualifikimi në Evropian është i mundur edhe nga vendi i tretë në grup. Këtu e sheh rastin Kosova.