Biatlonisti norvegjez, Sturla Holm Laegreid, rrëfeu direkt në televizion se e tradhtoi të dashurën e tij. Dhe për këtë foli pak çaste pasi e fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Dimërore.
28-vjeçari e fitoi medaljen e parë individuale olimpike në biatlonin individual në 20 kilometra në Milano- Cortina. Dhe gjatë intervistës pas suksesit, pranoi se kishte pasur një aferë tre muaj më parë. E quajti atë “gabimin më të madh”.
Laegreid tha se kishte kaluar “javën më të keqe të jetës”, që kur i tregoi të dashurës për aferën.
“Është dikush me të cilin do të doja ta ndaja suksesin, por që mund të mos jetë duke shikuar”, ka thënë sportisti për transmetuesin shtetëror të Norvegjisë.
“Gjashtë muaj më parë e takova dashurinë e jetës sime – njeriun më të bukur dhe më të sjellshëm në jetë. Tre muaj më parë e bëra gabimin tim më të madh dhe e tradhtova. Kisha medaljen e artë në jetë dhe jam i sigurt që ka shumë njerëz që i shohin gjërat ndryshe. Por unë kam sy vetëm për të. Sporti ishte i dyti në ditët e fundit. Do të doja që të ishte e mundur që këtë sukses ta ndaja me të”, ka theksuar norvegjezi Laegreid.
Ai foli më pas edhe për gazetën norvegjeze, VG.
“E vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë situatë është t’i tregoj të gjitha dhe t’i vë të gjitha në tavolinë. Po ashtu të shpresoj që ajo mund të më dojë ende. E kam bërë për të dhe tani për të gjithë botën. Nuk kam asgjë për të humbur. Dua të jem model i mirë, por duhet ta pranoj kur bëj gabime”.
Kampioni i shtatëfishtë i botës përfundoi i treti në biatlon, që është disiplinë që kombinon skijimin ‘cross-country’ dhe qitjen me pushkë. Kampion doli norvegjezi tjetër, Johan-Olav Botn, kurse i dyti ishte francezi Eric Perrot.