Platforma për komunikim, Skype, ka dhënë lamtumirën e fundit.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, kompania falënderoi komunitetin që ishin besnikë.
“Ndërsa i themi lamtumirë Skype-it, duam të falënderojmë komunitetin tonë të mrekullueshëm. Përgjatë viteve, ju keni qëndruar të lidhur me familjen, miqtë dhe kolegët anembanë botës. Ky nuk është fundi, është një fillim i ri. Bashkohuni me ne në Microsoft Teams Free dhe vazhdoni të krijoni kujtime të paharrueshme”, ka shkruar Skype, duke paralajmëruar se platforma po merr formë tjetër.
Microsoft Teams Free është version pa pagesë i kompanisë Microsoft, që shfrytëzohet për komunikim dhe bashkëpunim në kohë reale.
Nëpërmjet tij mund të zhvilloni biseda në chat me një person ose një grup, të mbani videolidhje apo të shpërndani dokumente. Po ashtu, mund të realizoni edhe takime online.
Skype për herë të parë u vu në funksion në fillim të viteve 2000, si platformë për thirrje në internet. Ai u themelua nga sipërmarrës skandinavë, u ble nga Microsofti në vitin 2011 për 8.5 miliardë dollarë.
“Skype” është shkurtim nga fraza angleze “Sky peer-to-peer” – që do të thotë “komunikim nga qielli (nëpërmjet internetit) mes individëve.