“Për idealin e Fehmiut, Xhevës dhe trimave të tjerë të lirisë, që ranë në mbrojtje të atdheut, duhet të luftojmë të gjithë. Edhe udhëheqësit tanë duhet të bashkohen dhe t’i bashkërendojnë veprimet me UÇK-në, me qëllim të arritjes së pavarësisë së Kosovës. Vetëm atëherë bashkësia ndërkombëtare do të shohë se shqiptarët njëmend janë të vendosur në luftën e tyre për çlirimin definitiv të Kosovës. Dhe atëherë Perëndimi nuk do të ofrojë projekte nënshtruese për shqiptarët, siç ishte ai i ndërmjetësuesit amerikan për Kosovën, Christopher Hill” – pata shkruar në nëntor 1998-s, në një kohë vendimtare për Kosovën. E risjell në kujtesë këtë shkrim, i motivuar nga dëshmia e ndihmësnënsekretarit amerikan të Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin, i cili e dëshmoi rolin e njëanshëm të Hillit gjatës angazhimit të tij në Kosovë
Arianit Bytyçi
Dëshmia e ndihmësnënsekretarit amerikan të Shtetit gjatë kohës së luftës së Kosovës, James Rubin, në procesin gjyqësor ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, tek brezi ynë që e përjetoi dhe e mbështeti në kohë reale luftën çlirimtare nga bankat shkollore të kryeqytetit të
Kosovës, zgjoi emocione dhe kujtime nga ajo kohë vendimtare për lirinë e Kosovës.
Në një nga paraqitjet në kuadër të dëshmisë së tij të fuqishme në Hagë, James Rubin përmend edhe faktin se ish-ndërmjetësi amerikan në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit gjatë viteve 1998-1999, Christopher Hill, i cili deri para pak kohësh “rastësisht” shërbente si ambasador i SHBA-së në Beograd, gjatë asaj periudhe mbante qëndrim të njëanshëm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pro Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke vazhduar ta përçante skenën politike shqiptare dhe duke sabotuar edhe më shumë krijimin e një fronti të përbashkët ushtarako-politik shqiptar në Kosovë, për krijimin e të cilit UÇK-ja kishte emëruar simbolin e rezistencës shqiptare, Adem Demaçi.
Në këtë mënyrë, siç e konfirmoi James Rubin edhe në dëshminë e tij, Christopher Hill duke dëmtuar interesat e SHBA-së për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën, asokohe para palës shqiptare kishte prezantuar një plan jo të favorshëm për Kosovën, që parashihte që Kosova të vazhdonte të mbetej në kuadër të Serbisë. Natyrisht ky plan ishte refuzuar nga UÇK-ja, duke inkurajuar kështu një angazhim më serioz të administratës së presidentit Klinton në muajt në vazhdim gjatë viteve 1998 dhe 1999, që rezultoi me bombardimet e NATO-s dhe me largimin e forcave ushtarako-policore dhe administratës serbe nga Kosova.
Gjatë asaj kohe, pra gjatë vitit 1998 dhe në vazhdimësi, bashkë me shumë shokë dhe shoqe, nxënës të gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, kishim shprehur në mënyrë publike mbështetjen tonë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Këtë e bënim përmes organizatës së Rinisë Shkollore të shkollës, duke organizuar tryeza me intelektualë, liderë studentorë dhe publicistë të njohur, si dhe përmes botimit të shkrimeve në mbështetje të orientimit politiko-ushtarak të UÇK-së në revistën tonë “Gjimnazisti” dhe në gazetën e studentëve “Bota e Re”. Në tryeza dilnim hapur, siç edhe shkrimet i botonim me emër dhe mbiemër, pa asnjë dilemë për të fshehur identitetin tonë.
“Bota duhet ta kuptojë se Kosova nën Serbi nuk është dhe nuk mund të jetë zgjidhje....”
I motivuar nga dëshmia e mikut të kohëve të vështira të Kosovës, diplomatit amerikan James Rubin, po risjell disa nga citatet e këtyre shkrimeve ku qysh në nëntor 1998, në shkrimin “Vetëm me sakrifica mund të çlirohemi nga zgjedha serbe”, në një kohë kur udhëheqja politike e Kosovës në Prishtinë ishte e përçarë dhe nuk dërgonte sinjale në mbështetje të UÇK-së, përderisa bashkësia ndërkombëtare, e përfaqësuar nga negociatori Hill dhe të tjerët i mbyllte sytë para ofensivës serbe dhe tentonte të ofronte zgjidhje për Kosovën në kuadër të Serbisë:
“Kosova në momentin e tanishëm gjendet në një udhëkryq të madh. Derisa trimat e lirisë përballen me ofensivë shkatërrimtare serbe, udhëheqësit politikë të Kosovës mbetën të përçarë, duke mos ditur se lufta një dite mund ta përfshijë edhe çdo pëllëmbë të Kosovës. Ata dalin me deklarata të papërgjegjshme para faktorit ndërkombëtar duke mohuar ndikimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Këtë mosunitet të subjektit politik të Kosovës e shfrytëzon edhe pushteti terrorist serb, i cili ndërmori ofensivë të madhe kundër popullit të Kosovës, por e shfrytëzoi edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila sikur ia dha dritën e gjelbër Beogradit për të ndërmarrë ofensivën e shkatërrimit të UÇK-së dhe nënshtrimit të shqiptarëve, në mënyrë që ata të pranojnë një zgjidhje kinse të përkohshme, e në fakt ajo mund të jetë e përhershme – një robëri e re”.
Pikërisht në vazhdim të këtij shkrimi, me besim të madh se vetëm vazhdimi i luftës mund të na çlirojë nga Serbia, pata shtuar:
“Serbia duhet ta ketë të qartë se ofensiva kundër UÇK-së ka dështuar. Serbia ndoshta i ka marrë nën kontroll të përkohshëm disa territore, por UÇK-në nuk e ka shkatërruar dhe nuk mund ta shkatërrojë kurrë. UÇK-ja është vetë populli.
Lufta çlirimtare e trimave të lirisë po hyn në një fazë të rëndësishme dhe duhet të kuptojmë një herë e përgjithmonë se vetëm vazhdimi i saj dhe një politikë më aktive mund të na çlirojë nga Serbia”.
Në shkrimin ku shkruaja edhe për rënien e komandantit të njohur Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij Xhevë Krasniqi-Lladrovci, duke bërë thirrje për bashkimin e udhëheqësve politikë të Kosovës për bashkërendim të veprimeve me UÇK-në, potencoja se:
“Për idealin e Fehmiut, Xhevës dhe trimave të tjerë të lirisë, që ranë në mbrojtje të atdheut, duhet të luftojmë të gjithë. Edhe udhëheqësit tanë duhet të bashkohen dhe t’i bashkërendojnë veprimet me UÇK-në, me qëllim të arritjes së pavarësisë së Kosovës. Vetëm atëherë bashkësia ndërkombëtare do të shohë se shqiptarët njëmend janë të vendosur në luftën e tyre për çlirimin definitiv të Kosovës. Dhe atëherë Perëndimi nuk do të ofrojë projekte nënshtruese për shqiptarët, siç ishte ai i ndërmjetësuesit amerikan për Kosovën, Christopher Hill”.
I shtyrë nga propozimi skandaloz i Hillit, që asokohe ishte botuar edhe në shtypin e përditshëm shqiptar, përkatësisht në “Kohën Ditore”, në këtë shkrim timin të botuar në nëntor të vitit 1998 pata vënë theksin se:
“Bota duhet ta kuptojë se Kosova nën Serbi nuk është dhe nuk mund të jetë zgjidhje. Çdo popull ka të drejtë të vendosë vetë për fatin e tij, pra edhe populli i Kosovës. Kjo parashihet edhe me Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, po ashtu edhe Serbia duhet ta ketë të qartë se kurrë nuk mund ta mbajë Kosovën”, përfundon ky shkrim.
“Populli nuk pranon robërinë e re”
Në të njëjtin numër të “Gjimnazistit” në fundvitin 1998, bashkë më shokun e klasës Fiton Peja, të shtyrë po ashtu nga propozimi i Hillit, patëm shkruar një shkrim të përbashkët me titullin “Populli nuk pranon robërinë e re”, ku mes tjerash patëm shkruar:
“Pas gjithë kësaj lufte, e cila po vazhdon, pas gjithë këtyre masakrave, Perëndimi shqiptarëve u ofron një “zgjidhje” joserioze, një robëri të re. Këtë e dëshmojnë më së miri projektet amerikane për Kosovën, ai i Hillit dhe i Hollbrukut”.
Është më rëndësi të potencojmë se ne si nxënës gjatë periudhës së luftës çlirimtare ishim thellësisht të bindur se “pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në negociata, nuk mund të arrihet kurrfarë marrëveshje për statusin e ardhshëm të Kosovës. Edhe bota më në fund duhet ta kuptojë se pas agresionit serb në Kosovë, pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme e problemit të Kosovës”.
Në këtë aspekt koha na dha të drejtë. Bota demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës reflektoi pozitivisht në mbështetje të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare, duke u fokusuar te roli thelbësor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme për të arritur çlirimin e Kosovës.
Ky besim yni si brez i maturantëve prishtinas të viteve 1998-1999, që SHBA-ja duhet të lirohet nga propozimet skandaloze të tipit të Christopher Hillit dhe të marrë rol më determinues në mbështetje të lirisë së Kosovës, u konfirmua në mënyrën më të mirë të mundshme nga James Rubin në Hagë, kur mes tjerash tha:
“Ne dëshironim të siguroheshim që të ishim në anën e engjëjve, në anën e të mirëve. Dhe nuk donim që ata të ishin viktima. Por s’mund të ishin viktima nëse do të kryenin krime lufte e as nuk do të ishin viktima nëse do të kishin qasje ekstremiste islamike”.
Prandaj, ashtu si në vitin 1998, edhe sot e them me bindje e besim se Kosova u mbështet nga SHBA-a në rrugën e saj për çlirim dhe shtetformim vetëm pse zhvilloi luftë të drejtë me orientim të qartë të promovimit të vlerave demokratike të civilizimit perëndimor edhe në këtë pjesë të Evropës. Kjo histori e lirisë së Kosovës nuk mund të rishkruhet.
P.S. Bashkëngjitur me këtë shkrim autorial, në vazhdim po ua prezantoj dy shkrimet e vitit 1998 të botuara në mbështetje të UÇK-së dhe duke kritikuar me argumente propozimin e Christopher Hillit për një zgjidhje të çështjes së Kosovës në kuadër të Serbisë


