OpEd

Miti i unitetit

Besimi në unitet absolut kombëtar, një bashkim të padiskutueshëm rreth flamurit dhe shtetit, është në kontradiktë me themelet e shoqërisë demokratike, ku secili ka të drejtën e mendimit të lirë, të paimponuar. Shtetet moderne nuk funksionojnë duke u mbështetur në unitete mitike rreth kauzave nacionale, por funksionojnë bazuar në rregullat strikte që secili duhet respektuar. Kushtetutën, ligjet, rregullat dhe standardet demokratike. Një vend ku elita politike ende insiston që edhe krimet mund të mos ndiqen, nëse merremi vesh, nuk mund të jetë demokratik

Uniteti ndërshqiptar është një mit. Shqiptarët, në historinë e vet, së paku në një qind vjetët e fundit, nuk kanë ndonjë moment kur ishin të bashkuar rreth flamurit dhe idesë kombëtare. Madje as në kohët më të rënda për kombin, krerët politikë shqiptarë, udhëheqësit e kombit dhe popullit, nuk mund të tejkalonin dallimet, që në raste të shpeshta nuk ishin aq shumë ideologjike apo politike, sa lidheshin me interesat dhe synimet personale e grupore për pushtet, privilegje e përfitime materiale. Si provë e kësaj mjafton të shikojmë historinë shqiptare pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dhe do të shohim se prej kohës së ngritjes së flamurit në Vlorë e deri në ditët e sotme mospajtimet politike ndërshqiptare ishin konstante.

Vrasjet politike, grusht shtetet, kërcënimet me dhunë dhe kryengritjet, ndasitë rajonale dhe përçarje të tjera të natyrave nga më të ndryshmet, kanë karakterizuar vitet dhe dekadat e para të shtetit shqiptar, ndërsa situata të tilla kanë vazhduar të dominojnë raportet politike mes shqiptarëve deri në ditët e sotme. Madje edhe në kohën e komunizmit dhe diktaturës njëpartiake vazhdonin konfliktet brenda llojit politik, që në jo pak raste përfundonin me eliminime fizike, diferencime ideopolitike, burgosje, izolime e ndëshkime nga më të tmerrshmet për “tradhtarët” dhe “armiqtë e brendshëm”.

Në vitet mes dy luftërave botërore, numër i madh krerësh politikë, liderë e patriotë të pakontestuar, por edhe politikanë me lojalitete të dyshimta politike, janë vrarë dhe luftuar në emër të mospajtimeve politike. Një patriot superior si Hasan Prishtina ishte dënuar me vdekje nga shteti shqiptar nën Mbretin Zog, ndërsa atentatet politike morën jetën e emrave të dalluar në tabore të ndryshme politike shqiptare të kohës. Veç Hasan Prishtinës, nga plumbat e shkrepur prej dorës shqiptare ranë edhe Bajram Curri, Luigji Gurakuqi e shumë të tjerë – ndërsa konflikti politik brendashqiptar vazhdoi edhe pas Luftës Botërore, kur sistemi njëpartiak komunist, si në Shqipëri ashtu edhe në viset e tjera shqiptare, ishte një që disidencën nuk e duronte deri në përndjekje dhe eliminim fizik.

Kështu, në historinë e njëqind vjetëve të fundit ideja e unitetit politik për të mirën e vendit dhe popullit mbetet një mit, një mirazh i projektuar politik, iluzion në të cilin kemi dëshirë të besojmë si popull, dëshirë kjo që është shfrytëzuar dhe vazhdon të shfrytëzohet nga politikanë në ndjekje të vizioneve të tyre personale për të ardhmen, që kryesisht marrin parasysh vullnetin e pakicës në pushtet.

E gjatë historisë shqiptarët kryesisht janë sunduar nga pakica edhe kur pushteti është përkrahur nga populli.

* * *

Mësimi i historisë, pra, është se ndjenja, që shumëkush mund ta ketë sot, se jetojmë në kohë të përçarjeve të mëdha, të paprovuara më parë – është e gabuar. E vërteta (e hidhur, gnithsesi) është se përçarjet politike mes shqiptarëve të Kosovës (dhe kudo tjetër) janë një situatë e përhershme.

Në Kosovë, përçarje politike që kanë nxitur konfrontime të dhunshme dhe armiqësi deri në padurim, ka pasur edhe në kohën më të vështirë, të luftës me Serbinë në vitet 1998-1999, kur i gjithë populli ishte i rrezikuar nga sulmet gjenocidiale të aparatit shtetëror të Serbisë. Pra, edhe në atë kohë shpallja e “tradhtarëve të kombit” dhe “faktorëve të dëmshëm” ishte sporti i preferuar politik i krahëve të rezistencës. Një metodë e tillë e aktivizmit politik – akuzimi i kundërshtarit për tradhti kombëtare (që me automatizëm nënkupton llojin e dënimit për një akt të tillë) – ka vazhduar edhe pas luftës, kur raportet mes krerëve politikë të vendit ishin skajshmërisht të acaruara, madje edhe kur vendi kishte nevojë që ata të bashkëvepronin.

Nuk është më mirë as në Shqipëri. Përkundrazi.

Vitet pas rënies së komunizmit janë vite të përplasjeve dhe konfliktit mes dy poleve politike shqiptare që kurrë nuk u ndalën, përveç, ndoshta shkurt, në kohën e luftës së Kosovës. Në njëzet vjetët e fundit situata politike në Shqipëri – një vend që tashmë është anëtare e NATO-s dhe aspirante serioze për anëtarësim në BE – mbetet situatë e armiqësisë së thellë politike mes palëve që nuk hezitojnë të sakrifikojnë çdo përparim të shtetit për të përmbushur aspiratat e veta – për të mbetur në pushtet, apo për të marrë pushtetin.

Mospajtimet deri në konflikt janë regjistruar gjatë viteve edhe mes partive politike shqiptare në Maqedoni (tash Veriore) dhe në Luginë të Preshevës, e së fundmi kemi parë edhe një degradim të raporteve mes grupacioneve me preferenca të ndryshme edhe në diasporë, madje edhe në SHBA.

Shqiptarët që merren me politikë, kudo, duket sikur nuk janë të aftë të dalin nga istikame partiake e të kërkojnë rrugën e pajtimit, së paku rreth çështjeve themelore për një shoqëri demokratike të sunduar nga ligji.

Kështu krijohen realitete që ndryshe, kur përfliten, duken të pamundura. Siç është, për shembull, situata e fundit në Kosovë me anulimin e emërimeve të jashtëligjshme dhe korruptuese të konsujve të shtetit. Tani, për habinë e botës normale, kemi përplasje partiake e politike pro dhe kundër anulimit të vendimeve korruptuese. Disa parti politike, bashkë me disa që quhen analistë, relativizojnë shkeljet ligjore dhe praktikat korruptuese, duke insistuar se këtë gjë e kanë bërë të gjithë të tjerët. Sulmojnë ushtruesen e detyrës së presidentit për anulim vendimi që pengon nepotizmin, duke e akuzuar atë për nepotizëm! Sinjali që dërgojnë: Mos na prek, nuk të prekim! Apo: Mos hy në territorin tonë, nuk hyjmë në territorin tënd! Mos u përziej në punët tona, nuk përzihemi në punët tuaja!

Parulla këto që më shumë u shkojnë organizimeve mafioze të Italisë Jugore sesa partive politike të një shteti demokratik ku sundon ligji.

Në rrethana të tilla, pra, është iluzore, çmendi madje, të shpresohet për një unitet, një bashkim rreth flamurit dhe shtetit, një unifikim rreth interesave nacionale. Sepse, kur interesi nacional nga një parti reduktohet në përcaktimin e kufijve të “punëve tona”, në të cilat ata të tjerët nuk bën të përzihen, pajtimi nuk sjell unitet, por sjell ndarjen e plaçkës.

Dhe kjo, fatkeqësisht, është synimi i një numri (jo të vogël) të atyre që merren me politikë në Kosovë dhe ndër shqiptarë: të krijojnë çifligje të veta politike, të kontrollojnë pjesë të aparatit shtetëror, ta vendosin veten dhe të vetët mbi ligjin, të gjenerojnë përfitime, materiale e të tjera, jo bazuar në njohuritë dhe profesionalizmin, por bazuar në statusin prej shefi, vullnetin e të cilit nuk mund ta kontestojë askush. Rrjeti i këtij sistemi korruptues, që shtrihet nëpër të gjitha institucionet shtetërore e shoqërore, prej administratës shtetërore dhe drejtësisë e deri në ndërmarrjet dhe themelatat e tjera publike, tashmë ka dalë në dritë dhe shihet qartë.

Dhe kjo – fakti që e vërteta jo vetëm që doli në shesh, por doli të jetë edhe më e shëmtuar se që prisnim - është arsyeja pse përçarja politike do të thellohet edhe më shumë.

* * *

Besimi në unitet absolut kombëtar, një bashkim të padiskutueshëm rreth flamurit dhe shtetit, është në kontradiktë me themelet e shoqërisë demokratike, ku secili ka të drejtën e mendimit të lirë, të paimponuar. Shtetet moderne nuk funksionojnë duke u mbështetur në unitete mitike rreth kauzave nacionale, por funksionojnë bazuar në rregullat strikte që secili duhet respektuar. Kushtetutën, ligjet, rregullat dhe standardet demokratike.

Një vend ku elita politike ende insiston që edhe krimet mund të mos ndiqen, nëse merremi vesh, nuk mund të jetë demokratik. Kjo, natyrshëm, na sjell te konkludimi se insistimi jonë në mite dhe iluzione politike për unitet në synim dhe veprim, po na i rrezikon gjasat për ndërtimin e shtetit demokratikë ku sundon ligji. Andaj, nëse mitologjia politike na është shndërruar në varësi, atëherë, së paku, të ndërtojmë një kauzë të re, një që do të na ndihmonte shumë më tepër sesa kërkimi i një uniteti të paarritshëm nacional-romantik.

Të bashkohemi rreth ligjit dhe shtetit.

Gjenerata aktuale politike nuk do të mund të përshtatet me synimin e tillë, por koha ecën për të gjithë, dhe herët a vonë, do të vjen një gjeneratë e re.

Apo ndoshta edhe ky është një mit, një iluzion?

Them se gjithçka në fund varet prej nesh!

agronb@kohaditore