OpEd

Në mbyllje të vitit pandemik

Ndërrimin e moteve gjithnjë e kemi shikuar si një çast magjik, pas të cilit të gjitha të këqijat mund të mbeten në vitin e vjetër, dhe në të riun dalim pa ngarkesat e problemeve dhe mangësive që kemi, por me një mundësi që gjithçka që duam mund ta bëjmë shumë më mirë. E vërteta është se magjia nuk ndodh duke pritur...

Po e mbyllim vitin e rëndë pandemik.

Në një të ardhme kronikat e kohës do të shënojnë se gjatë këtij viti vuajtëm dhe pësuam nga COVID-19, virusi i cili përveçse shkaktoi shumë vdekje dhe rrezikoi shëndetin publik, na e ndryshoi rrënjësisht edhe mënyrën si punojmë, komunikojmë, jetojmë. Do të mbajmë mend se numrin më të madh të ditëve të këtij viti e kaluam me distancë sociale, me maska në fytyrë, të izoluar nëpër shtëpitë tona, me ndalim qarkullimi, mbyllje kufijsh dhe karantinim të qyteteve e komunave të tëra. Veç shëndetit, ekonomia u godit rëndë, jeta sociale po ashtu. Fëmijët vijonin mësimin online, ndërsa prindërve tanë iu kufizua ashpër çdo dalje nga shtëpia.

Në atë që mbase me eufemizëm quhej “distancë sociale”, u detyruam të ndalonim kontaktet fizike, të anulonim dasmat e ceremonitë mortore, si dhe festat e tubimet e ndryshme familjare e shoqërore. Nuk shkonim më nëpër koncerte e ndeshje sportive, reduktuam edhe daljet nëpër restorante, pushimet verore në det, vikendet në bjeshkë, vizitat e punës dhe ato private jashtë vendit, dhe shumë prej atyre aktiviteteve që me dëshirë i bëjmë në përditshmërinë tonë deri dje normale.

Në punë u adaptuam me kushtet e reja, dikush duke punuar prej shtëpisë me kompjuter apo dhe me telefon të mençur, dikush me masat e shtuara të sigurisë dhe dikush madje edhe duke e ndaluar tërësisht aktivitetin profesional – përkohësisht apo edhe në mënyrë të përhershme. Kush mundi adaptoi shërbimet e veta – restorantet nisën me të madhe të punonin me porosi online dhe dërgesa nëpër shtëpi, u krijuan disa kompani për shpërndarje të shpejtë mallrash, ndërsa punët administrative në masë të madhe kryheshin pa prezencën fizike nëpër zyra. Barra e situatës u ra atyre që të punojnë në - siç kemi zakon ta quajmë - “vijën e parë”, siç ishin punëtorët shëndetësorë dhe policët.

Qeveritarët u shndërruan në numërues të testimeve, infektimeve, fataliteteve, shtretërve, kapaciteteve, me përpjekjen që të projektojnë veten si garantues të së ardhmes së ndritshme, në kohën kur e tashmja ishte dëshpëruese, ndërsa ankoheshin se puna e tyre po sabotohej nga opozita. E opozitarët flisnin të kundërtën, duke akuzuar pushtetin për dështime dhe papërgjegjësi.

E vërteta, natyrisht, shihej më së miri nëpër korridoret dhe dhomat e spitaleve me mungesa të pajisjeve bazike për ndihmë pacientëve të lodhur e të frikësuar. Mungesa që vinin si rezultat i keqmenaxhimit shumëvjeçar të sistemit shëndetësor, si dhe manovrave të pështira politike në kohë pandemie.

Ilustrimi mbase më i mirë për llojin e manovrave që vuajtëm janë sërish numrat – brenda këtij viti pandemik Kosova u qeveris nga 3 kryeministra dhe tri qeveri të ndryshme, që bashkë kishin 11 zëvendëskryeministra, 51 ministra, mbi 170 zëvendësministra, e qindra e qindra këshilltarë e asistentë, që i kushtuan miliona euro buxhetit në kohën kur në spitale u shfaq mungesa e oksigjenit.

Të mos flasim për milionat e tjerë që u vodhën, u zhvatën e u keqmenaxhuan nga qeveritarë e parti, të cilat tashmë po përgatiten që qytetarit të Kosovës t’ia kërkojnë votën edhe një herë...

Po e mbyllim vitin pandemik të vetëdijshëm tashmë se telashet e këtij viti nuk kanë afat skadimi më 31 dhjetor 2020. Fatkeqësisht!

* * *

Po e mbyllim vitin e rëndë pandemik edhe si profesionistë.

Këtu, në KOHË, kishim nisur një transformim në mënyrën si punojmë, duke shkrirë redaksitë informative të gazetës, televizionit dhe portalit në një. Kishim nisur këtë transformim si hap të natyrshëm në përcjellje të ndryshimeve të mëdha në teknologjinë informative dhe atë të komunikimit, por me qëllimin e qartë që të ruhet standardi profesional i punës. Të ardhmen, të diktuar nga pajisjet e mençura dhe komunikimet e shpejta, duhej ta prisnim të përgatitur, me një qasje të re ndaj punës që reflekton kërkesat e audiencës së sotme, por që gjithnjë i mbetet besnike të raportimit të së vërtetës.

Në këtë hap transformues na zuri virusi. Na e vështirësoi gjithë projektin e integrimit të redaksive të KOHËS. Në fillim të pandemisë na detyroi ta ndalnim shtypjen e gazetës, duke bërë që gjatë këtij viti të kemi të shtypura vetëm 97 edicione të “Kohës Ditore”.

Po, virusi na dobësoi por nuk na mposhti; gazeta doli online - 365 “Koha Ditore” u përgatitën këtë vit. Dhe e ofruam falas për lexuesit tanë. Projekti i integrimit të redaksive nuk u ndal. Tani gazetarët e KOHËS punojnë bashkë, si një ekip, për mediat tona, dhe për të gjithë audiencën tonë – lexuesit dhe shikuesit.

Edhe pse, edhe vetë të goditur nga virusi dhe presioni i punës në izolim, kemi arritur të ofronim informatat relevante, të sakta dhe me kohë jo veç për pandeminë dhe pasojat e saj, por edhe për hileqarët që shfrytëzuan virusin si mburojë për keqpërdorimin e shtetit dhe pushtetit, për manipulime politike dhe ekonomike, për diskriminimin e qytetarëve, padrejtësitë ndaj të pafuqishmëve dhe amnistimin e aleatëve të politikës e pushtetit.

E mbyllim këtë vit pandemik me të njëjtën gatishmëri për punë dhe profesionalizëm siç edhe e nisëm. Por me njohuritë e reja, që na bëjnë më të vëmendshëm për rreziqet që na presin. Si prej virusit ashtu edhe të tjerat.

* * *

Ndërrimin e moteve gjithnjë e kemi shikuar si një çast magjik, pas të cilit të gjitha të këqijat mund të mbeten në vitin e vjetër, dhe në të riun dalim pa ngarkesat e problemeve dhe mangësive që kemi, por me një mundësi që gjithçka që duam mund ta bëjmë shumë më mirë.

Kështu e kishim nisur edhe vitin 2020. Me një ndjenjë se zgjedhjet e sapokryera të 6 tetorit po sillnin një ndryshim të madh në vend.

Dhe, ndryshim sollën – por jo të tillë çfarë e prisnin qytetarët. Jo ndryshim për të mirë.

Viti pandemik na e shpaloi tërësisht natyrën e politikbërjes në Kosovë – shpërfillëse për vullnetin e popullit dhe votën e qytetarit, mosrespektuese ndaj përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, e pozicionuar mbi ligjin dhe interesin e shtetit, e uritur për pushtet aq sa sakrifikon gjithçka që ka për të arritur aty.

Tani sërish do të shkojmë në zgjedhje. Shkurti, me gjasë, do të na gjejë para kutive të votimit, ku në shumicën e listave zgjedhore do të na shfaqen kryesisht emrat e njëjtë të atyre që pandeminë na e bënë edhe më të rëndë, virusin na e bënë edhe më kërcënues dhe shtetin na e bënë edhe më të dobët.

Do të shikojmë të gjejmë emra që ishin ndryshe prej këtyre? Apo do t’ua falim edhe këtë vit plot mashtrime, manipulime e gënjeshtra?

Prej përgjigjes në këtë pyetje do të varet si do ta mbyllim vitin 2021.

Thënë ndryshe: Virusi nuk është kërcënimi më i madh për Kosovën. Politika është.

[email protected]