OpEd

Open Ballkani i ballkanasve

Përkrahësit e iniciativës Rama-Vuçiq-Zaev pohojnë se kritikët e saj nuk japin asnjë argument praktik pse ky projekt është i dëmshëm.

Nga prizmi i Kosovës, ja disa që unë mendoj se shfaqin një pjesë të dëmit.

Për Kosovën, kuptohet.

1.

"Open Balkan" rivalizon Procesin e Berlinit.

Në Shkup, Rama, Vuçiq e Zaev nënshkruan marrëveshje që tashmë ishin diskutuar në kuadër të Procesit të Berlinit, ku nuk pati pajtim kryesisht për shkak të mospajtimeve në relacionin Kosovë-Serbi. Kosova kërkon trajtim të barabartë, Serbia do që Kosova të trajtohet si territor i kontestuar. Berlini insiston që marrëveshjet mund të arrihen vetëm nëse të gjithë pajtohen. Tani, me nënshkrimin e Shkupit, Rama, Vuçiq e Zaev nxorën jashtë lojës Kosovën, BH-në dhe Malin e Zi. Po ashtu, i dhanë goditje Procesit të Berlinit, duke e bërë shumë të rëndë, nëse jo të pamundur, që në procesin e udhëhequr nga Qeveria gjermane të arrihet ndonjë progres. Së paku jo deri në fund të mandatit të Merkelit, me shkuarjen e së cilës Procesi i Berlinit pritet të humbë edhe atë pak fuqi që i ka mbetur.

Në fakt, ky projekt i nënshkruar në Shkup është më shumë sesa goditje (për të mos thënë thikë) prapa shpine për Kosovën, është goditje prapa shpine për Merkelin!

2.

Në mungesë të vullnetit politik në BE për zgjerim të mëtutjeshëm në Ballkanin Perëndimor, Procesi i Berlinit ishte shndërruar në mekanizëm kryesor nxitës për procesin e integrimeve evropiane të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ideja për krijimin e një procesi me ndihmën e të cilit të gjitha shtetet në rajon do të ndërtonin strukturat efektive ekonomike, politike dhe ligjore, në vijë me standardet e BE-së, bazuar në konceptin e katër lirive, ishte menduar si strategji për të përgatitur të gjashtë vendet e rajonit për ditën kur BE-së do t’i kthehej apetiti për zgjerim, ashtu që në momentin e duhur rajoni të jetë i përgatitur për integrim shumë më të shpejtë në BE.

Tani, "Open Balkan" i jep goditje (prapa shpine apo në gjoks, pak dallim ka) edhe kësaj ideje, meqë as nuk është gjithëpërfshirës, as nuk është i koordinuar mes vendeve të rajonit, por as me BE-në.

3.

Përmenden shumë Marrëveshja e Washingtonit dhe zotimi i Kosovës për t’iu bashkuar projektit të minischengenit. Por projekti i minischengenit ndërkohë është shkrirë në Procesin konsensual të Berlinit, ndërsa zotimi i Washingtonit edhe ashtu nuk ishte që Kosova të hyjë në miniSchengen sipas diktatit të Ramës e Vuçiqit.

4.

Shumë flitet se iniciativa ka të bëjë me ekonominë. Por ekonomia nuk ekziston e pavarur nga realiteti politik. Në fakt, ekonomia është ajo që e definon sistemin politik, dhe që njëkohësisht përcaktohet nga ideologjia politike. Në rastin tonë, të thuash (siç bëri Rama) se nënshkruesit e "Open Balkan" janë liderë që e kanë lënë të kaluarën prapa dhe shkojnë drejt së ardhmes, është në mospërputhje me të vërtetën faktike, sepse problemet që ka Kosova me Serbinë nuk kanë të bëjnë vetëm me të kaluarën (të cilën Serbia dhe Vuçiqi e mohojnë)- por edhe me të tashmen dhe të ardhmen; mbase nuk është e tepërt ta përkujtojmë botën, por edhe veten, që Serbia edhe refuzon ta njohë Kosovën edhe punon aktivisht dhe hapur në sabotimin e shtetësisë së Kosovës, si në rrafshin politik ashtu edhe në atë ekonomik. (Ilustrimi më bizar, por që njëkohësisht më së miri shpjegon se si e sheh Serbia Kosovën është edhe ndërprerja e transmetimit të ndeshjes së Nora Gjakovës për medaljen e artë olimpike nga ana e TV-së shtetërore të Serbisë).

5.

Sa për lehtësimet dhe përfitimet ekonomike nga Iniciativa, mbase Shqipëria edhe e ka llogarinë e vet (çfarë është ajo mund ta dinë më mirë Rama dhe opinioni publik në Tiranë). Por, edhe në aspektin e pastër ekonomik, Kosova mund të ketë vetëm dëm nëse ia hap rrugën Serbisë duke hequr temën e njohjes nga tavolina.

"Open Balkan" e bën pikërisht këtë - ia hap dyert (ekonomiko-politike) Serbisë pa e obliguar ta pranojë Kosovën (dhe ekonominë e saj) si të barabartë!

6.

Për fund, një argument semantik: Iniciativa e Shkupit u riemërtua si "Open Balkan". Pretencioze që Rama, Vuçiq e Zaev të flasin në emër të Ballkanit, duke përjashtuar jo vetëm tri vendet e tjera të rajonit (Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina)- por edhe faktorë të tretë qenësorë (BE).

Kjo nuk më lë përshtypjen e një projekti për të ardhmen evropiane (demokratike dhe prosperuese) të rajonit, por ma përkujton shumë një projekt të vjetër të hegjemonëve nga Beogradi, që për parullë kishin "Ballkani ballkanasve".

Nuk më duket koincidencë që këtë parullë sot e përdorin Vuçiqi dhe eksponentët e tij antievropianë si Vulini në promovimin e idesë së minischengenit tani të mbiquajtur “Ballkani i hapur”. E për ata që mund të mos e dinë, kjo parullë - "Ballkani ballkanasve" – ishte thirrja kryesore e ushtrisë serbe në Luftën e Parë Ballkanike, më 1912, kur edhe e pushtoi Kosovën...

...dhe, kush e harron të kaluarën, e dini çfarë i ndodh?

[email protected]