As reforma zgjedhore, as kurrfarë ndryshimi thelbësor në vend nuk mund të vijë nga kjo garniturë aktuale politike. Andaj, më e mira që mund të shpresojmë tani është një votë e reformuar, që do të mundë të prodhonte një gjeneratë të re politike për vendin
Edhe një palë zgjedhje që priten të mbahen në Kosovë, mbase shumë shpejt, do të mbahen me të njëjtin model zgjedhor, i cili disa individëve në krye të institucioneve dhe partive politike deri tani u mundësoi të kontrollojnë jo veç institucionet dhe partitë e tyre, por edhe të zënë peng institucionin suprem përfaqësues të vullnetit të qytetarëve - Kuvendin e Kosovës.
Sepse - dhe kjo mbase është e qartë për të gjithë - kështu siç qëndrojnë punët tani deputetët në Kuvendin e Kosovës nuk janë përfaqësues të qytetarëve dhe elektoratit të caktuar kosovar, por janë përfaqësues të detyruar të vullnetit politik partiak, i cili në shumicën e rasteve reduktohet në vullnetin e kryetarit të partisë apo të një kompromisi të arritur mes dy-tre vetave që mbajnë pushtetin brenda partisë.
E kemi parë në të kaluarën se çfarë presioni u bëhet deputetëve kur ata marrin guximin të shprehin qëndrime që nuk janë në vijën partiake, madje edhe nëse ato janë parimore dhe në vijën që partia dikur mbante. Veç kësaj, sistemi zgjedhor tani, me një zonë zgjedhore, mbyt çdo ide të përfaqësimit të rajoneve të vendit dhe qytetarëve të tyre. Kjo për shkak se gati të gjithë deputetët e partive të mëdha tashmë janë me vendbanim në Prishtinë, larg votuesve në rajone, të cilët i vizitojnë vetëm në kohë fushatash parazgjedhore, apo kur duhet prerë shiritin në ndonjë ceremoni a projekt lokal, prej të cilit gjithsesi se duhet të kenë ose përfitim personal (politik a material), ose së paku partiak.
Me këtë sistem, i cili gati se pamundëson kandidaturat e pavarura politike, vetë deputeti si institucion është cak i presioneve dhe shantazheve nga shefat partiakë, meqë ata hartojnë listat e kandidatëve, vendosin për renditjen në lista, dhe, në fund, jo rrallë ka ndodhur që edhe të organizojnë manipulimin me vota brenda listave partiake, ashtu që kandidatët e dëgjueshëm brenda partisë të avancojnë, dhe ata të padëgjueshmit të eliminohen.
Kjo hajni e votave brenda vetë partisë është ndoshta indikatori më i madh sa e kotë është shpresa se këta njerëz – që vjedhin votat e bashkëpartiakëve të vet – do të heqin dorë nga manipulimet me partitë e tjera, qytetarin dhe shtetin.
Që nuk do të thotë se ndryshimi është i pamundur, por vetëm se ndryshimi nuk mund të vijë prej tyre!
* * *
Sistemi aq shumë i kritikuar zgjedhor, të cilin krerët politikë thanë se do ta reformojnë qysh para tetë vjetësh, mbetet i pandryshuar, jo pse nuk kishte propozime dhe ide se si duhet reformuar ai, por sepse nuk kishte vullnet nga ana e po atyre krerëve politiko-partiakë, që vazhdimisht flisnin se sistemi duhet ndryshuar.
E ndryshimi është i domosdoshëm për Kosovën, dhe jo për shkak se zgjedhjet përcaktojnë kush do të jetë në pushtet dhe kush jo, por për shkak se ato përcaktojnë rrugën në të cilën do të ecë i gjithë vendi në të ardhmen.
Tani, hipokrizia politike e atyre që rrinë në krye të shtetit (dhe partive të tyre) është pengesë në zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Rrjedhimisht, kjo është pengesë edhe në të gjitha proceset e tjera nëpër të cilat vendi duhet të kalojë pashmangshëm, prej atyre të jashtme siç është procesi i integrimeve evropiane dhe dialogu me Serbinë, e deri tek ato të brendshme, prej sundimit të ligjit dhe instalimit të llogaridhënies së plotë ligjore dhe politike, e deri tek bllokimi dhe zhbërja e kontrollit politik në sistemet dhe institucionet shtetërore që supozohet se janë të pavarura.
Thënë më shkurt, pa një reformë të sistemit zgjedhor jo vetëm se nuk mund të presim kualitet dhe profesionalizëm më të madh në majën e pushtetit dhe politikës kosovare, por nuk mund të shpresojmë as në progres në të gjitha fushat e tjera të jetës sonë, për faktin e thjeshtë se politika tashmë ka vendosur kontrollin mbi gjithçka në këtë vend dhe shoqëri. Nuk ka pothuajse asnjë punësim, tender, kontratë, shërbim e aktivitet publik fati i të cilit nuk përcaktohet nga politika dhe pushteti. Dhe, natyrisht, në momentin kur e kuptojmë këtë arsye primare pse është kaq me rëndësi të reformohet sistemi zgjedhor, e kuptojmë edhe arsyen pse këta që e kanë në dorë jetësimin e kësaj reforme – nuk do ta bëjnë këtë kurrë.
Thënë ndryshe, askush nuk është aq i marrë që të presë degën në të cilën është ulur. Aq më pak kur është i vetëdijshëm se rrëzimi prej asaj dege çon në harresë politike, e në raste të caktuara edhe në bankën e të akuzuarve për krime kundër qytetarëve dhe të mirave të tyre të përbashkëta.
Edhe një konfirmim se ndryshimi nuk mund të vijë prej garniturës së tanishme politike.
* * *
Një proverb i vjetër italian thotë se kur dikush të mashtron një herë, është faji i tij, por kur i njëjti të mashtron dy herë – është faji yt.
Për ne duhet të jetë e qartë: këta politikanë që prej vitesh kanë premtuar reformë zgjedhore (dhe me miliona gjëra të tjera që nuk i realizuan kurrë) nuk janë asgjë tjetër veçse mashtrues të paskrupullt që pa u skuqur fare kanë gënjyer me dhjetëra herë. Por faji tashmë është i yni, i gjithë neve që dalim të votojmë (apo nuk dalim të votojmë) dhe këtë votë tonën nuk e përdorim për ndryshim.
Dhe kjo, ndryshimi pra, nuk do të thotë të votosh tjetër parti, por do të thotë të mos votosh ata që të kanë mashtruar me dhjetëra herë. Sepse, në atë rast, gjithsesi faji të mbetet ty.
Andaj, meqë reformë zgjedhore nuk do të ketë, na mbetet të mendojmë nëse mund të kemi një votë të reformuar. Të ndryshojmë mënyrën si vlerësojmë kur votojmë, ashtu që të mundë të sjellim atë që i duhet vendit: Një gjeneratë të re politike, për të na udhëhequr në një drejtim të ri.