Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje është lavdëruar për shumëfishim të shpenzimeve në ushtri. Albin Kurti, që është edhe kryeministër në detyrë, ka thënë se tash Kosova i ka mbi 40 lloje të sistemeve të armatimit dhe ka premtuar 1 miliard euro investime në blerjen e armatimit për Forcën e Sigurisë në katër vjetët e ardhshëm
Me sloganin “Për siguri dhe begati, mos lësho pe”, Lëvizja Vetëvendosje të dielën e ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në qytetet e Dukagjinit.
Në Istog, kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, është lavdëruar për rritjen e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës, teksa ka premtuar se investimi do të vazhdojë në shumë shumë më të madhe.
Ai ka thënë se në mandatin e fundit 4-vjeçar, Qeveria ka shumëfishuar shpenzimet ushtarake.
“Gjatë këtij mandatit tonë kemi më shumë se dyfishim të numrit të ushtarëve dhe kemi trefishim të buxhetit për mbrojtje dhe katërfishim të trajnimeve jashtë vendit dhe më shumë se qindfishim të blerjeve të armatimit e të municionit. Para ardhjes sonë në qeverisje, për armatim dhe municion 2018-2020 as katër milionë euro e tash për këto katër vjet më shumë se 430 milionë euro. FSK-ja jonë e dashur e ka pasur vetëm një lloj pushke ‘Hegler’ dhe veç një lloj revoleje ‘Glock’. Tash i kemi mbi 40 sisteme të ndryshme të armatimit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se me dëshirë nuk do të shpenzonte në ushtri, porse Kosova e ka një fqinj të keq, të cilin përmes armatimit dhe ushtrisë së saj, Kosova duhet ta detyrojë që të mendojë tri herë para se ta sulmojë.
Për forcimin e ushtrisë, ai ka folur edhe në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.
“Nuk lëshojmë pe për Republikën e sigurt: në mandatin e ardhshëm do të ndajmë të paktën 1 miliard euro për mbrojtje dhe ushtri, do të ndërtojmë fabrikën e municioneve dhe dronëve ‘Made in Kosova’ dhe do ta nisim programin e rezervës vullnetare”, ka thënë Kurti.
E tubimin qendror në Pejë, Kurti u ka premtuar pejanëve ndërtim të kapaciteteve ngrohëse nga avulli i KEK-ut, si dhe lidhje të komunave në perëndim të Kosovës përmes infrastrukturës rrugore.
“Unë e di që ju i nxeni sallat me pjesëmarrje, por nuk mjafton kjo. Duhet t’i kemi të ngrohta edhe shtëpitë tona dhe kjo bëhet duke e pasur kogjenerimin, sistemin e ngrohjes me energji termike, me avullin e termoelektranave të qasshme për ngrohjen e shtëpive të këndshme familjare anembanë e në veçanti këtu në Pejë. Pastaj e kemi rrjetin e rrugëve, tepër të rëndësishëm, do ta ndërtojmë magjistralen e Dukagjinit që e lidhin Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën me Deçanin, Pejën dhe Istogun”, është shprehur Kurti.
Kandidati i LVV-së për kryeministër, gjatë së dielës ka vizituar edhe disa familje të dëshmorëve dhe veteranëve të UÇK-së në Komunën e Ferizajt, Skenderajt dhe të Shtimes.
Aty ai e ka çmuar kontributin e këtyre familjeve për lirinë e Kosovës.
“Në Shtimen heroike, aty ku qëndresa ka qenë përherë e madhe dhe atdhetarizmi kuptimplotë. Ishim në familjen e luftëtarit të UÇK-së Hasan Metushi, nëna e të cilit është e zhdukur që nga 15 janari 1999. Varri i saj është pa kufomë. Atij i janë vrarë edhe babai dhe dy axhallarë, po atë ditë, më 15 janar 1999, në masakrën e Reçakut. Nga familja e gjerë Metushi ka edhe dëshmorë dhe martirë të tjerë në luftën e fundit. Lavdi për të gjithë martirët e dëshmorët e kombit!”, ka shkruar ai.
LVV-ja ka shpërndarë edhe një video mbështetëse të Andreas Schwarz, deputetit të SPD-së në Bundestagun gjerman.
“Përshëndetje të përzemërta për Kosovën dhe miqtë e mi atje që i njoh prej vitesh. Më 28 dhjetor mbahen zgjedhjet parlamentare. Mbështetja ime e plotë e shpresoj edhe besimi juaj është me Albin Kurtin. Ai është i besueshëm, i përzemërt, vepron me vendosmëri dhe është gjithmonë me vendin e tij”, ka thënë Schwartz.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti, Vetëvendosje doli parti e parë, duke fituar 48 ulëse në Kuvend.