Eliminimin e TVSH-së e kanë paraparë si një nga pikat më të rëndësishme në sektorin e energjisë në Partinë Demokratike të Kosovës.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, kandidati për deputet nga kjo parti Arben Mustafa ka thënë se eliminimi i TVSH-së është një nga masat më të shpejta dhe më direkte që mund të ndërmerret për uljen e faturave të energjisë elektrike.
Ai ka përmendur edhe rritjen e faturave gjatë këtij viti, duke theksuar se nuk është punuar për të pasur lehtësime, por se barra është rënduar edhe më shumë për qytetarët.
“Atë tatim që shteti e merr nga fatura, ne kemi marrë zotimin që ta heqim. Në këtë mënyrë do të krijohej një lehtësim i drejtpërdrejtë në faturat e energjisë për familjet kosovare. 8 për qind më pak, në këto kushte të rënda ekonomike për familjet kosovare, përbën një lehtësim real. Duhet pasur parasysh kur flasim për energjinë se familjeve kosovare u është dyfishuar fatura e energjisë elektrike, ndërsa bizneseve u është trefishuar çmimi i energjisë elektrike. Mirëpo sot, në fund të vitit 2025, kemi deklaratat e KOSTT-it që paralajmërojnë probleme me furnizimin me energji elektrike”, tha Mustafa.
Përveç programit të prezantuar nga deputeti i PDK-së, ai ka folur edhe për reduktimet e energjisë elektrike që janë regjistruar ditëve të fundit.
“Nuk po flitet vetëm për fatura të papërballueshme, por edhe për reduktime. Ndërkohë, KOSTT-i, pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë, u thotë qytetarëve të mos ngrohen me energji elektrike. Jemi në krizë energjetike pas kaq vitesh: jo vetëm që qytetarët po paguajnë më shtrenjtë, por edhe nuk po kanë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. I kemi kthyer sytë nga gjeneratorët apo qirinjtë, dhe kjo nuk tolerohet. Jemi në një krizë energjetike dhe nuk ka asnjë plan të qartë se si do të dilet nga kjo krizë me këtë qeveri”, tha ai.
Në këtë kontekst, Mustafa është shprehur se duke pasur parasysh rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ndryshimet në zgjedhjet e së dielës janë të domosdoshme, pasi, sipas tij, Kosova nuk mund të përballojë më këtë degradim.