Ka vazhduar rinumërimi i votave të kandidatëve, për të cilat KQZ-ja ka dyshime për mospërputhje. Deri në orën 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ-ja numëroi votat e 7 për qind të vendvotimeve. E bazuar në këtë përqindje të numërimit, dallimi në votat e kandidatëve që u numëruan në qendrat komunale në ditët e para pas zgjedhjeve me ato të së martës e së mërkurës në QNR shkon më së shumti në 14 vota për kandidat
Një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) urdhëroi rinumërim të votave shkaku i shpërputhjeve në rezultatet e kandidatëve për deputetë, deri të mërkurën në orën 16:00 janë numëruar 7 për qind e tyre.
Nga 914 vendvotimet, që do t’i nënshtrohen procesit, u numëruan 64 syresh në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan e Dragash.
Krahas Dragashit, deri në orën 17:00 rinumërimi nuk nisi në asnjërën prej 9 komunave të tjera, ku u ngrit dyshimi se manipulimi me vota ka qenë më i madh e për çka KQZ-ja vendosi të rinumërohen 100 për qind të vendvotimeve.
Rinumërimi i plotë do të bëhet në Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug.
Në 5 komuna, ku të mërkurën u bë rinumërimi, nuk dolën dallime në votat e partive, por në ato të kandidatëve përbrenda subjekteve politike.
Dallimet në votat e kandidatëve që u numëruan në qendrat komunale në ditët e para pas zgjedhjeve me ato që u numëruan të martën e të mërkurën në QNR shkojnë më së shumti deri në 14 vota për kandidat.
Një rast i tillë është vërejtur në një vendvotim në Deçan, ku kandidatit të AAK-së për deputet, Arton Demhasaj, i janë numëruar 14 vota më pak në Qendrën Komunale, e të cilat iu kthyen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se nëse gjetjet gjatë rinumërimit tregojnë për shpërputhje të mëdha në rezultat, KQZ-ja mund t’i dërgojë në rinumërim të 100-përqindtë edhe komunat ku u caktua numërim në 10 për qind të vendvotimeve.
“Do të varet krejtësisht nga gjetjet nga procesi i rinumërimit dhe pastaj KQZ mund të rivlerësojë situatën dhe sigurisht të marrë një vendim të ri për të shtuar numrin e vendvotimeve që do të rinumërohen, por e gjitha kjo varet nga gjetjet gjatë procesit të rinumërimit të vendvotimeve nga këto komuna për të cilat fillimisht KQZ ka vendosur të bëhet rinumërimi i vetëm 10 për qind të tyre”, ka thënë Elezi.
E nëse nuk do të ketë raste të tilla, rinumërimi në 10 komuna do të marrë kohë edhe dy javë, ndonëse KQZ-ja i ka rritur kapacitetet në QNR.
“Pas vendimit të fundit të KQZ-së për të rinumëruar këto vendvotime, në QNR janë shtuar kapacitetet, nga 10 tavolina në sa zakonisht bëhet numërimi tash janë 20 të tilla, në të cilat do të bëhet rinumërimi i këtyre vendvotimeve. Sipas një planifikimi, në një tavolinë numërimi gjatë një ndërrimi mund të bëhet numërimi i dy kutive të votimit, ndërkaq gjatë gjithë ditës deri në katër kuti. Nëse ecën sipas kësaj dinamike këtu në QNR do të duhen nga 12 deri në 14 ditë për të përmbyllur të gjithë rinumërimin sipas vendimit të KQZ-së”, ka thënë Elezi.
Sipas vendimit të KQZ-së në nivel vendi, rinumërimit do t’i nënshtrohen 36 për qind të vendvotimeve.