Zgjedhjet 2025

Policia: Procesi zgjedhor kaloi i qetë dhe pa incidente serioze

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor të dielën ka shkuar në përgjithësi qetë dhe pa incidente serioze. Sipas njoftimit, zbatimi i planit policor dhe bashkëpunimi e koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar që procesi gjatë ditës së sotme të shkojë pa ndonjë incient madhor.

“Zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar apo cenuar procesin zgjedhor, andaj në aspektin e sigurisë vlerësohet se procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze. Një ndër qëllimet e planit operativ policor, ka qenë garantimi i një ambienti të qetë për votime, inicimi dhe procedimi i çdo vepre të mundshme penale në koordinim me organet e drejtësisë dhe dërgimi para organeve të drejtësisë të të gjithë  atyre që bijën ndesh me ligjin, konkretisht cenojnë procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, Policia e Kosovës thotë se ka iniciuar pesë raste penale.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, lidhur me procesin zgjedhor, sot ka iniciuar 5 (pesë) raste penale si; ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, ‘Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve’, ´Pengim i procesit të votimit´  dhe ‘Asgjësimi i dokumenteve të votimit’, ku personat e përfshirë në raste me vendim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt. Janë trajtuar 30 (tridhjetë) informata dhe në 5 (pesë) raste janë evidentuar me ‘shënim zyrtar’, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

Po ashtu në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë trajtuar dhe iniciuar edhe raste të tjera, raste këto të cilat nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor.

Lexo përditësimet tjera
Kurti

VV-ja rrugës për ta bërë e vetme qeverinë