Zgjedhjet 2025

Palokaj: Për shumë njerëz në BE fitorja e LVV-së nuk ishte befasi, rezultati po

Augustin Palokaj

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se përkundër që disa zyrtarë ndërkombëtarë kanë pasur problem në komunikim me Kurtin, nuk kanë pasur preferenca se kë do të donin ta shihnin si fitues.

Palokaj në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se për shumë njerëz në BE fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishte befasi por rezultati i tillë mund të jetë befasi.

“Së pari të rikujtoj se jo vetëm përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas por edhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, bashkërisht kanë lëshuar një deklaratë për këto zgjedhje, kanë thënë se mënyra se si u zhvilluan këto zgjedhje dëshmon një përkushtim ndaj parimeve demokratike. Një gjë të tillë nuk e thonë shpesh për vendet e rajonit prandaj vërtetë Kosova vazhdon të jetë shembull në këtë aspekt. Për shumë njerëz në BE fitorja e LVV-së nuk është befasi por rezultati i tillë mund të jetë befasi. Kam thënë disa herë që përkundër faktit që disa zyrtarë ndërkombëtar kanë pasur problem në komunikim me Kurtin ata nuk kanë pasur preferenca se kë do të donin ta shihin si fitues. Ky rezultat kuptohet edhe si lehtësim për ta pasi që pothuajse garanton daljen nga ngërçi politik i cili ndikoi edhe brenda Kosovës por edhe në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare. Kos nuk e ka vizituar fare Kosovën”, ka deklaruar Palokaj në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, i cili për mosvizitën e komisioneres Kos deklaroi se shpesh dëgjoheshin përgjigje se nuk ka me kë të takohet në Kosovë sepse nuk ka një qeveri legjitime.

Bashkimi Evropian (BE) në reagimin e parë pas zgjedhjeve në Kosovë është shprehur se pret që pas tyre të formohet sa më shpejtë qeveria dhe të vazhdojnë kontaktet me të. Nënvizon gjithashtu nevojën për ratifikimin e marrëveshjeve nga Plani i Rritjes në mënyrë që Kosova të përfitojë nga ato mjete të BE-së.

Korrespodenti Palokaj ka thënë që nuk është rastësi që është përmendur kjo në reagimin e BE-së sepse kanë mbetur vetëm edhe dy vite që Kosova të përfitojë nga mjetet prej Planit të Rritjes.

I pyetur nëse heqja e masave kishte ndonjë tendencë që të lidhej me zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, Palokaj ka thënë se ato tri katër masa janë hequr vetëm për tri apo katër projekte në mënyrë që Kosova mos t’i humbte 34 milionë euro të cilat do të humbnin përgjithmonë prej pasnesër.

“Vendimi për heqjen e masave është miratuar para pothuajse më shumë së gjysmë viti. Rekomandimi dhe konstatimi se Kosova ka plotësuar kushtet për heqjen e tyre ishte dhënë para më shumë së një viti. Nëse ka pasur ndonjë tendencë që ato të lidhen me zgjedhjeve atëherë ka qenë kërkesa që ato të mos hiqen para zgjedhjeve. Janë hequr vetëm tri apo katër masa për tri apo katër projekte sepse po të mos hiqeshin, mjetet dikur rreth 34 milionë euro prej pasnesër do të humbasnin për Kosovën sepse janë të dedikuara nga projektet që nga viti 2021 dhe ato mjete do të humbasnin përgjithmonë”, ka thënë Palokaj në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.


Lubonja: Shoh rrezik të autoritarizmit në Kosovë

Publicisti nga Shqipëria, Fatos Lubonja, ka thënë se e ka befasuar rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë. Ai ka thënë se po e sheh me rrezik të autoritarizmit fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.

Lubonja në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ka deklaruar se megjithatë Kurti nuk i duket i njëjtë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili sipas Lubonjës, autoritarizmin e ka kombinuar me sistemin oligark, duke blerë elitën dhe duke e varfëruar Shqipërinë në aspektin ekonomik.

“Fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje tani e kam parë me mëdyshje pa qenë partizan i opozitës. Shoh një rrezik të autoritarizmit në Kosovë që është jo punë e mirë sepse kemi nevojë shumë për demokraci. Te Kurti mishërohet një karakteristikë pozitive dhe kjo negative duke iu referuar Shqipërisë, autoritarizmin. Lideri që kemi ne në Tiranë përpos autoritarizmit që e kemi të gjithë ne shqiptarët, Rama e ka kombinuar pak edhe me sistemin që e ka ngritur që është sistemi oligarkik, sistemin e korruptimit, blerjen e elitës që e ka varfëruar Shqipërinë edhe në mendime edhe në ekonomi. Ekonomia jonë është një ekonomi e bazuar mbi këtë oligarki që shpeshherë është bazuar në pastrimin e parave të pista të drogës. Kurtin e njoh më pak por nuk më duket që është i këtij sistemi, duket më shumë që kërkon shtet social. Nuk duket që kërkon apo që është aleat me ata që mund të quhen oligarkia në Kosovë dhe në këtë aspekt mendoj që është pozitive. Megjithatë duhet parë me rrezik që kur nuk heqë dorë nga pushteti mund të shkoj edhe në këto lloj kompromisesh pastaj”, ka deklaruar Lubonja.

Duke iu referuar rezultateve ku Lëvizja Vetëvendosje mori gati 50%, Lubonja tha se ky rezultat nuk ishte i pritshëm edhe për faktin se në vlerësimin e tij, Lëvizja Vetëvendosje do të duhej ndëshkuar më shumë për bllokadën disa muajshe të institucioneve të Kosovës, ndërsa partitë e tjera pak më pak.

Sipas Lubonjës shqiptarët i duan më shumë liderët karizmatikë dhe Kurti sipas tij është i tillë. Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, publicisti nga Shqipëria ka thënë se në rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje ka ndikuar edhe diaspora.

“Mua më befasoi rezultati sepse i referohesha rezultatit të shkurtit. Ajo që kërkoj të gjejë është të di se çka ka ndryshuar brenda këtyre 10 mujave që ka dalë një rezultat i tillë. Kam menduar se një pjesë e mirë e përgjegjësisë për atë krizë në Kosovë duhej t’i vishej mazhorancës. Kam menduar që votuesi do ta ndëshkoj pak më shumë mazhorancën e pak më pak partitë e tjera apo opozitën duke u nisur vetëm nga ajo krizë. Del se kam gabuar. Mendoj se shqiptarët i duan këta liderët e fortë karizmatik, Kurti mendoj se ishte një lider i tillë në krahasim me liderët e tjerë. Mendoj se edhe diaspora ka ndikuar në këtë rezultat sepse meqenëse nuk jeton aty e sheh i vetëm manovrat nga larg apo gjeopolitikën dhe Kurti pa dyshim përfaqëson më mirë raportin me Serbinë dhe mendoj se kjo ka ndikuar”, deklaroi Lubonja në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.


Isufi: LDK-ja e ka një pjesë të elektoratit në LVV

Zëvendëskryeredaktori i KOHËS, Elmaz Isufi, ka thënë se LDK-ja ka vepruar njësoj sikurse në kohën e pandemisë kur u rrëzua Qeveria Kurti 1 dhe se për dy herë radhazi u rreshtua kah PDK-ja.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Isufi ka deklaruar se LDK-ja e ka një pjesë të elektoratit në Lëvizjen Vetëvendosje dhe se një grup brenda kësaj partie është me një këmb e gatshme të kthehet në LDK.

“Meqenëse po i analizonim të dhënat në zgjedhjet e fundit. Pasojë e rezultatit të fundit është e ngjashme me veprimet që LDK-ja i ka marrë në kohën e pandemisë. Dy herë u rreshtua krah PDK-së. U fut në kauzën e PDK-së. Qeveria Kurti 1 u rrëzua nga Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj dhe u përdor si instrument LDK-ja që të krijohet një qeveri që në fund doli si jokushtetuese. Në zgjedhjet e 9 shkurtit pavetëdijshëm u fut në kauzën e PDK-së e AAK-së. LDK-ja ka frymë të përafërt me LVV-në në disa aspekte. Ajo çka është më e rëndësishme është që LDK-ja një pjesë të elektoratit e ka në LVV. LDK-ja e ka një grup brenda LVV-së e cila me një këmbë është në LVV e me një këmbë është e gatshme të kthehet në LDK”, ka thënë Isufi.

Isufi gjithashtu vlerësoi se do të ishte e shëndetshme për LDK-në që ta pranonte ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion në kohën kur i dërgoheshin oferta nga kjo parti.


Ramosaj për Abdixhikun e Hamzën: S’dinë të bëjnë lidership, janë menaxherë të thjeshtë

Ish-deputeti i LDK-së, Berim Ramosaj, ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja vuajnë për lidership.

Sipas tij, kryetarët e këtyre dy partive më shumë janë menaxher të partisë.

Ai kritika në veçanti ka pasur për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas tij, kryetarët e saj, që prej vdekjes së Ibrahim Rugovës, kanë qenë menaxherë të thjeshtë, por jo liderë.

“Ne u themi  liderë sepse më shumë janë menaxherë të partive sesa lider, sepse nuk dinë të bëjnë lidership, janë të dy teknicientë të mirë. Lidershipi është frymë, është proces i të ndikuarit të individit karshi të tjerëve, që ata të tjerët t’i shkojnë vet mbrapa atij. LDK-ja vazhdimisht ka vuajtur për lider, që prej vdekjes së Ibrahim Rugovës. Kanë ardh në shprehje menaxherë të thjeshtë, në kuptimin që dinë me bo buxhete, din me numëru njerëz, por nuk dinë të përçojnë frymë. E njëjta gjë ishte edhe te PDK-ja. Hamza ishte aq artificialë në paraqitje sa frymë nuk kishte fare. Vazhdimisht thirrej në liderët e vet që i kishte në Hagë. Ata janë në pritje të liderit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në LDK, rënia nuk është e rastit.

Sipas tij, që kur Isa Mustafa e mori kryesimin, tendencat e të gjithë udhëheqësve të mëtutjeshëm ishte të krijohet një LDK e re.

Ramosaj ka thënë se partitë opozitare kanë rënë në grackat e Albin Kurtit, duke e humbur orientimin programor.  

“Mua më befason a ekziston lidership ekipor në ato parti apo vullnet individual, sepse ranë në ato pozita që nganjëherë propozimet ishin anakronike të Qeverisë”, ka thënë ai duke folur për premtimet e fushatës. “Veprimet e njëanshme të Qeverisë Kurti në veriun e Mitrovicës, kanë sjell rezultate për 3 vjet sa ishte dashtë një dialog me palën serbe 20 vjet të ndodhë. Kjo me plotë konsekuencave. Shumë organizata kriminale janë eliminuar”, ka shtuar ai.


Koci: Nëse do të kombinoheshin brezi i ri me të vjetrin, LDK-ja do ta mbante primatin

Melazim Koci, ish-kryeredaktor i Radio Evropës së Lirë, ka thënë se LDK-ja ka bërë prerje të mëdha dhe gati të patolerueshme nga themeluesit e saj.

Ka shtuar se LDK-ja sot është brez krejt tjetër.

“Habitem se si sot nuk ka në radhët e saj askënd nga ai brez. Po të ishin kombinuar me atë brez, mendoj se do ta mbante primatin e partisë së parë”, ka thënë ai.

Duke folur për rezultatin e Partisë Demokratike ka thënë se e ka ruajtur identitetin më shumë se LDK-ja.


Salihu: LVV-ja mori katër mijë vota në Skenderaj, numër relativisht i madh

Bekim Salihu nga Instituti GAP, ka thënë se në Kosovë nuk mund të flitet për votues standard sepse vota sipas tij mund të orientohet shpesh edhe nga disponimi i qytetarëve.

Salihu në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ka thënë se kësaj here lëvizje interesante të grafikonit kishte edhe në Drenicë. Ai e quajti numër relativisht të madh të votave që Lëvizja Vetëvendosje i mori në Skënderaj, rreth 4 mijë vota.

“Në Kosovë nuk mund të flasim për votues standard. Votuesi e ndërron orientimin, disponimin. Kësaj here edhe te Drenica kishte lëvizje interesante të grafikonit. Në Skenderaj LVV-ja mori rreth 4 mijë vota. Është numër relativisht i madh që ky subjekt politik merr në atë rajon”, ka thënë Salihu.

Sa i përket rezultatit të LDK-së, Salihu vlerëson se kjo ndodhi për shkak që Abdixhiku nuk përçoi frymë të mobilizimit elektoral dhe sipas tij gaboi edhe kur nuk e pranoi ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për të qeverisur bashkë.

“Unë gjykoj që LDK-ja nga ana tjetër ka rezultatin më të keq në historinë e ekzistencës së saj. Faktori i parë gjykoj që është fakti që Abdixhiku nuk ka përçuar një frymë të mobilizimit elektoral. Faktori i dytë është një lloj pozicionim i ngurtë i tij karshi mundësisë së një koalicioni me LVV-në. Mundësinë e kishte, ofertën e kishte. Abdixhiku do të mund të përfitonte shumë nga kjo”, deklaroi Salihu.

Ai poashtu konsideron që të gjitha partitë politike ranë në kalkulimet e Kurtit që zgjedhjet e parakohshme të caktohen në fundvit dhe të arrihet ky rezultat.


Isufi: LVV-ja e pati lehtë t’i bëjë 50%, ia mundësoi opozita

Zëvendëskryedaktori i KOHËS, Elmaz Isufi, ka vlerësuar që fitores së Lëvizjes Vetëvendosje i ka kontribuuar më së shumti qasja joserioze e partive opozitare.

Isufi në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ka thënë se partitë opozitare pavarësisht rezultatit të 9 shkurtit, caktuan sërish kandidatët e njëjtë për kryeministër, ndërsa sipas Isufit ato iu qasën fuqisë politike sikur t’i kenë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

“Nga perspektiva ime LVV-ja e ka pasur lehtë t’i bëjë 50% për faktin se i ka kontribuar qasja joserioze e partive opozitare nga disfata që e pësuan më 9 shkurt. Fakti që të tri partitë opzitare kanë caktuar të njëjtit kandidat për kryeministër që as në sport një ekip humbës nuk e vazhdon kampionatin me një trajner humbës. Ky ishte favori i parë që i bënë LVV-së. Favori i dytë është që e lejuan LVV-në të qeverisë për afro 10 muaj. T’i ketë në dispozicion kapacitete institucionale e t’i shtyjë përpara politika që mendoj se afirmuan gadishmërinë e saj që kjo qeveri garanton edhe stabilitet ekonomik edhe mirëqenie sociale, politikave kulturore-sportive. Gjatë kësaj periudhe fokusi i LVV-së ka qenë në disa target grupe me të cilat nuk kanë punuar partitë opozitare. Ato iu qasën fuqisë politike sikur t’i kenë vendet e rezervuara në kuvend. Përpjekja e tyre nuk është të rriten por si të luftohet brenda llojit që të sigurohen këto vende. Ky komoditet u përkthye në sukses të LVV-së”, ka deklaruar Isufi.


Koci: Opozita i ka kontribuar rezultatit të VV-së

Ish-kryeredaktor i Radio Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka thënë se nuk e ka pritur këtë rezultat të zgjedhjeve.

Sipas tij, këtë rezultat nuk e ka pritur as vetë Vetëvendosja.

Koci ka deklaruar se këtij rezultati i ka kontribuuar opozita.

“Në momentin kur kanë refuzuar ta votojnë qeverinë e pakicës së Konjufcës, kanë bërë gabim të rëndë. Nëse do e votonin këtë qeveri do të dëshmoheshin para opinionit si palë kontstruktive që dëshiron tejkalimin e ngërçit dhe do t’i zhagisnin zgjedhjet deri në mars dhe të shmangnin votën e diasporës që sipas të gjitha gjasave ka qenë vendimtare për të krijuar këtë distancë. Sepse besoj që do të shkojë në 50 për qind. Këtij rezultati më së shumti i ka kontribuuar ai vendim shkurtpamës i opozitës”, ka thënë ai.

Sipas tij, në zgjedhjet eventuale që do të mbaheshin në mars, nuk do të dilte ky rezultat.

Ai ka thënë se me këtë rezultat, nuk ka termet por paralajmërohet stabilitet.

Ka shtuar se Kurti pa problem do ta bëjë qeverinë e do ta konstituojë parlamentin.

“Problematike do të jetë zgjedhja e presidentit sepse aty duhen 80 vota, nëse Vetëvendosja tregohet zemërgjerë duke hequr dorë ta propozojë ndonjë kandidat të vetin sepse mund ta irritojë opozitën”, ka thënë ai.


Salihu: As vetë Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pritur këtë rezultat

Bekim Salihu nga Instituti GAP, ka deklaruar që rezultati që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk ka qenë fare i pritshëm për subjektet politike.

Salihu në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ka theksuar këtë rezultat nuk e ka pritur as vetë Lëvizja Vetëvendosje. Shton se sondazhi i brendshëm i kësaj partie, e ka renditur atë me 43% por jo me gati 50% sa edhe i arriti.

“Ka qenë rezultat i befasishëm pothuajse për të gjithë përfshirë edhe subjektet politike. As vetë Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shfaqur ndonjë opinionin për pritje të kësaj natyre. Këtë pritje e ka pasur në zgjedhjet e 9 shkurtit por nuk ka pasur pritje për këtë rezultat në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas disa të dhënave të cilat arrita t’i siguroj LVV ka operuar me një sondazh pak ditë para zgjedhjeve i cili e ka renditur këtë subjekt politik diku me rreth 43% dhe jo afër 50%. Rezultati është befasues dhe unë gjykoj se ky është rezultat të cilin unë do të doja ta shihja në secilin raund të zgjedhjeve. Natyrisht jo vetëm në raport me LVV por me secilin subjekt politik që synon ose ka potencial për të krijuar institucione është e dobishme të ketë këtë rezultat sepse ofron qëndrueshmëri institucionale”, ka deklaruar Salihu.

Ai ka shtuar se me këtë rezultat Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar një komoditet në raport me qeverisjen, megjithatë jo edhe efikasitet medoemos.


Ramosaj: Zgjedhjet treguan se nuk do të vazhdojë bllokada

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, ka thënë se në përgjithësi është ditur renditja e partive politike nga rezultatet e zgjedhjeve.

Ai ka thënë se sa i përket rezultateve që kanë marrë LVV-ja dhe LDK-ja në raport me zgjedhjet e kaluara, tregon për një befasi në kuptimin e raporteve që do të jenë prezent dhe do të reflektojnë për një periudhë të gjatë kohore.

Sipas tij, këto zgjedhje ishin shkëputje e një kontinuiteti të bllokadave me qëllim që të kalohet në një produkt të ri politik ose të vazhdohet me logjiken e njëjtë.

“Këto zgjedhje treguan që nuk do të vazhdojë bllokada. Sa i përket zgjedhjeve të presidentit e të tjera ato do të vijnë pas një etablimi politik që do të pasojë pas ndërtimit të institucioneve”, ka thënë ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”.