Zgjedhjet 2025

Rinumërohen 65% të vendvotimeve

Rinumerimi

Foto: Driton Paçarada

Përditësim, 17:24 - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar e 65% të vendvotimeve. 

KQZ-ja ka njoftuar se janë numëruar votat nga 1662 vendvotime, ndërsa në total janë 2557 vendvotime. 

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 25 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 65% apo 1,662 nga 2,557 vendvotime”, ka njoftuar KQZ. 
 


Rinumërohen 1.633 nga 2.557 vendvotime

(Lajm i përditësuar 14:50)  - Sipas Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, deri më tani, nga 2 mijë e 557 vendvotime, janë rinumëruar 1 mijë e 633.

Paraprakisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi është përmbyllur plotësisht në 23 komuna.

Procesi i rinumërimit të fletëvotimeve po vazhdon akoma në QNR.

Që nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani, janë rinumëruar 63.86 për qind e vendvotimeve apo 1 mijë e 633 sosh.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është thënë se po planifikohet që shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të bëhet në fillim të muajit shkurt të këtij viti.

Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi.

Ky vendim erdhi pas dyshimeve për manipulim me vota si rezultat i mospërputhjes së votave të kandidatëve për deputet.

Ndërkohë në Prizren gjatë së premtes, pikërisht për këtë arsye u arrestuan rreth 109 persona.


Përmbyllet procesi i rinumërimit në 23 komuna

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 25 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar mbi 62% apo 1,591 nga 2,557 vendvotime”, ka njoftuar Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.

Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin për shpallje të rezultateve përfundimtare.

Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, e përmbyllja e atyre të 28 dhjetorit ka tejkaluar afatet e parapara.

Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.

23 persona në Prizren janë arrestuar për manipulim me vota, kanosje, marrje dhe dhënie ryshfeti. Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar nga një muaj paraburgim për 23 të pandehurit.