Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se ka përfunduar rinumërimi i më shumë së gjysmës së 914 vendvotimeve sa janë gjithsej.
Për rinumërimin e tyre vendosi KQZ-ja në një mbledhje pas dyshimeve për manipulim me vota.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 18 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar rreth 56% apo 509 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skënderaj (4/72)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
KQZ-ja po ashtu bëri të ditur se rinumërimi është përmbyllur në 19 komuna derisa sot pritet të përfundon në Komunën e Prizrenit. Për të vazhduar më pas me komunat e tjera që përfshihen në këtë proces.