Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2025

“Vjedhje industriale” e votave, njohësit e procesit zgjedhor fajësojnë partitë dhe KQZ-në

Njohës të proceseve zgjedhore kanë kërkuar të vihen para drejtësisë personat e përfshirë në falsifikim të rezultateve. E krahas përgjegjësisë penale është kërkuar edhe që të ndërmerren hapa të cilët e automatizojnë procesin e numërimit dhe vendosjes së rezultateve në sistem

Hetim e vendosje para përgjegjësisë të falsifikuesve të rezultatit të votimit, si dhe rinumërim të plotë në të gjitha komunat, kanë kërkuar njohësit e proceseve zgjedhore pas mospërputhjeve të mëdha të rezultateve për kandidatët, sidomos në Prizren. 

Në këtë komunë, vetëm Fetah Paçarizi i PDK-së ka mbi 6.000 vota më pak krahasuar me numërimin e parë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mospërputhje të mëdha kanë edhe kandidatët e partive të tjera nga ky rajon.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, tha se krahas hetimit dhe ndjekjes penale të personave që janë të përfshirë në manipulim të rezultatit, rinumërimin e plotë në të gjithë Kosovën e sheh të domosdoshëm. 

“Kjo gara brenda llojit të njëjtë ka qenë një prej problemeve kryesore të proceseve zgjedhore. Megjithatë, përmasa në këto zgjedhje duket që në disa vendvotime e komuna është industriale për shkak se kemi të bëjmë me qindra e në disa raste edhe mijëra vota dallime. Do të duhej të adresohej në radhë të parë përmes një rinumërimi të plotë si e vetmja garanci që në nivel vendi nuk do të kemi rezultat të kontestuar”, tha ai. 

Cakolli u shpreh se po të kishte skanim dhe vendosje të automatizuar të rezultateve zgjedhore në sistemin e KQZ-së, falsifikime të këtilla nuk do të mund të ndodhnin. 

“Ne qysh moti kemi vlerësuar që qendrat komunale të numërimit në mënyrën se si funksionojnë janë të destinuara për të mundësuar manipulime të tilla. Me zhvillimet teknologjike, në fakt kostoja për të blerë pajisje të cilat skanojnë dhe numërojnë automatikisht, pra gjenerojnë rezultate automatikisht, pa u përfshirë dora e njeriut nuk është aq e lartë dhe unë besoj se do t’ia vlente sepse përveç se do të kishim rezultate shumë më të sakta e më të shpeshta do të mund të kursehej një pjesë e buxhetit që paguhet edhe për të paguar komisionerët dhe stafin numërues nëpër qendrat komunale”, ka thënë Cakolli. 

Vjedhjet brendapartiake i ka quajtur defekt serioz, ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu.
Tek kërkoi hetim, ai tha se përgjegjëse në këtë rast i sheh si partitë politike ashtu edhe KQZ-në. 

“Nga rinumërimi që po bëhet del që të jetë një problem serioz, një defekt serioz. Defekti gjithsesi që i përshkruhet KQZ-së dhe trupave të partive politike dhe partive politike që kanë dërguar njerëz të papërgjegjshëm për të mos thënë më shumë se kaq, pra edhe manipulues të procesit në cilësinë e qoftë të komisionarëve, qoftë të vëzhguesve, qoftë të trupave të tjera që janë pjesë e një qendre votimi dhe të një vendvotimi... Duhet të merren organet e ndjekjes, pra kanë qenë 100 prokurorë në detyrë në ditën e zgjedhjeve dhe ata duhet që t’i marrin këto seriozisht këto, t’i hetojnë dhe pastaj të marrin masa ligjore sepse masat ligjore në bazë të Kodit Penale janë jashtëzakonisht serioze dhe të rënda për ata që bëjnë manipulim me procesin zgjedhor, prandaj do të duhej patjetër që drejtësia të vihet në pah dhe të veprojë në mënyrë që të mos përsëriten këto fenomene që janë të shëmtuara”, tha Baraliu. 

Falsifikimi i rezultatit të votimit është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Pas reagimeve të shumta veprimet e para të hetimit i ka ndërmarrë edhe Prokuroria Themelore në Prizren.

Ndërsa tashmë janë shpërfaq deformime të thella në proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se ka përfunduar rinumërimi i më shumë së gjysmës së 914 vendvotimeve sa janë gjithsej. Për rinumërimin e tyre vendosi KQZ-ja në një mbledhje pas dyshimeve për manipulim me vota.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 18 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar rreth 56% apo 509 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skenderaj (4/72)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
KQZ-ja po ashtu bëri të ditur se rinumërimi është përmbyllur në 19 komuna derisa sot pritet të përfundon në Komunën e Prizrenit. Për të vazhduar më pas me komunat e tjera që përfshihen në këtë proces.