Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

KQZ-ja akrediton 761 vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, refuzon dy organizata

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të premten ka akredituar 761 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, ndërsa ka refuzuar akreditimin e dy organizatave për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore. 

KQZ-ja ka miratuar rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike për grupin e parë të organizatave vëzhguese për monitorimin e procesit zgjedhor.
Drejtori i Zyrës, Besnik Buzhala, ka theksuar se organizatat e akredituara kanë përmbushur kriteret ligjore për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkaq, ai bëri të ditur se dy organizata nuk janë akredituar pasi nuk kanë përmbushur kriteret e parapara.

Organizatat që nuk janë akredituar sipas Buzhalës janë “Advocacy Center for Democratic Culture” dhe “Odbor za kontrolu i opservaciju”.

Buzhala ka thënë se dokumentet më të cilat ka aplikuar organizata ndërkombëtare “Advocacy Center for Democratic Culture” nuk kanë qenë në përputhje me nenin 54, paragrafi 1 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovë. 

Ndërsa për organizatën “Odbor za kontrolu i opservaciju” Buzhala ka thënë se Zyra gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur ka konstatuar se në dokumentacionin zyrtar të saj i është referuar Republikës së Kosovës me terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës. 

“Përdorimi i një emërtimi të tillë cenon drejtpërdrejt subjektivitetin shtetëror, integritetin kushtetues dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, siç përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenin 1 të saj, ku përcaktohet se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, ka deklaruar Buzhala.

Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 5 organizata joqeveritare, 1 organizatë ndërkombëtare, 13 media vendore, 7 media ndërkombëtare, 2 ambasada dhe 1 institucion vendor.