Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Vota e diasporës po shtohet pas çdo cikli zgjedhor

diaspora

ilustrim

Informimi i qytetarëve jashtë vendit për format e votimit mbetet një nga sfidat kryesore kanë thënë drejtuesit e organizatës Germin. Sipas tyre, interesimi i mërgatës për të marrë pjesë në zgjedhje po rritet nga cikli në cikël, ndërsa votimi me postë vazhdon të jetë forma më e përdorur

Në tryezën me titullin “Votimi nga jashtë vendit, diaspora në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës”, organizuar nga organizata Germin, të hënën, drejtori i saj Lirim Krasniqi, ka thënë se interesimi i kosovarëve që jetojnë jashtë vendit për të marrë pjesë në zgjedhje në Kosovë, është rritur pas çdo cikli zgjedhor.

Sipas tij, forma e preferuar e votimit nga jashtë vendit, është votimi përmes postës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Interesi i diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje, pas çdo cikli zgjedhor, është rritur dhe me këtë është rritur edhe efekti ose ndikimi elektoral i votës së diasporës. Mbi 64% e personave që kanë votuar nga jashtë kanë votuar përmes postës, në kuti postare të cilat KQZ i ka hapur jashtë Kosovës. Ky numër është rritur akoma më shumë në dhjetor të vitit 2025. Kjo është forma më e preferuar e votimit dhe arsyeja është se është një nga format më të lehta, më efikase dhe më të shpejta të votimit”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se sfidë mbetet informimi i qytetarëve jashtë vendit për format e votimit.

“Është bërë temë pjesa e paqartësisë rreth asaj se kush vendos për hapjen e qendrave të votimit jashtë vendit. Ka pasur një kontekst mes KQZ dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që u shndërrua në debat publik. Kjo është një nga sfidat që e kemi shënuar. Në shkurt kemi pasur ankesa nga disa organizata të diasporës, të cilat janë ankuar se kriteret për hapjen e qendrave të votimit në misionet diplomatike nuk kanë qenë transparente. Votimi me postë në shkurt ka pasur probleme me komunikimin dhe paqartësi me kutitë postare jashtë Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.

Krasniqi ka kërkuar nga KQZ-ja që të qartësohet vendndodhja e qendrave të votimit jashtë Kosovës.

Në diskutim të ftuar ishin edhe përfaqësues të subjekteve politike, por përveç Lëvizjes Vetëvendosje, partitë e tjera nuk kanë marrë pjesë.

Liza Gashi, përfaqësuese e LVV-së, ka thënë se në vitin 2010 nga diaspora ishin vetëm 5 mijë vota. Sipas saj, sfidë mbetet informimi dhe njohja e procesit.

“Sot kemi një bazë votuese e cila është jashtëzakonisht e lartë, mirëpo është ende larg potencialit të votës së diasporës. Kemi ende shumë punë përpara sa i përket informimit, por edhe njohjes së procesit. Çka dallon sot me vitin 2010 është se sot të gjitha partitë politike kanë filluar të trajtojnë tematikën e diasporës. Ende ka shumë paqartësi në këtë proces, sidomos kur flasim për informimin”, ka thënë Gashi.

Rreth 105 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, nga 21 maji deri më 6 qershor do të mund të votojnë përmes postës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

E mbi 25 mijë të tjerë të regjistruar do të mund të votojnë fizikisht në ambasada e konsullata më 6 qershor.

Numri i aplikimeve për votim, të miratuara nga KQZ-ja për zgjedhjet e 7 qershorit, është më i madhi deri më tash, duke tejkaluar edhe rekordin e vitit 2021.