Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në komunën e Junikut po votojnë edhe qytetarë që nuk janë banorë të kësaj komune.
Ai ka paralajmëruar edhe padi.
“Të dhënat tona nga shtabi në Junik, tregojnë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim, ku do të bëjmë padi për secilin person veç e veç. Ftojmë të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe në raundin e parë AAK-ja ka pasur ankesë të tillë për votimin në këtë komunë. Në balotazh, Agron Kuçi i AAK-së është përballë Ruzhdi Shehut të LDK-së.
Në një linjë me AAK-në është edhe Jetmir Tofaj, i cili në rundin e parë ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale në Junik.
Ai ka thënë të dielën se ka përpjekje për të deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve të kësaj komune nga individë dhe grupe të caktuara, të cilët sipas tij, po angazhojnë persona që nuk kanë vendbanim në Junik, por megjithatë po paraqiten për të votuar atje.
“Ne kërkojmë publikisht nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës që të ndërmarrin menjëherë masat ligjore për ndalimin e pjesëmarrjes në votim të personave që nuk janë banorë të Komunës së Junikut. I ftojmë qytetarët e Junikut që të ruajnë procesin, të jenë vigjilentë dhe të raportojnë menjëherë çdo përpjekje për manipulim ose presion. Vullneti demokratik duhet mbrojtur nga secili prej nesh”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar se Juniku nuk lejon manipulim.