Kandidatët e PDK-së kanë prezantuar programet e tyre për zgjedhjet lokale, duke premtuar digjitalizim të shërbimeve në Ferizaj, investime në Bardhosh të Prishtinës dhe dyfishim të mbështetjes për fermerët në Prizren. Në Pejë, kandidatja Arta Vokshi Nallbani u zotua për përshpejtimin e legalizimit të ndërtimeve pa leje
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili si kandidat i Partisë Demokratike (PDK) synon edhe një mandat, është zotuar të shtunën për digjitalizim të shërbimeve publike.
Aliu u shpreh se përmes platformës së re digjitale, shërbimet komunale qytetarët do t’i marrin përmes telefonave të tyre, përfshirë shërbimet për vërtetim pronësie, ndryshime kadastrale, leje ndërtimore, aplikime për subvencione e raportime për ankesa, shqetësime a parregullsi. Ai tha se do të integrohen edhe hartat nëntokësore të qytetit dhe ndërhyrjet infrastrukturore do të jenë më të lehta.
“Ferizaj do ta ketë hartën e rrjeteve të infrastrukturës nëntokësore për secilën zonë të tij. Në të gjithë territorin e Ferizajt do të dihet me saktësi sistemi i ndërtuar i ujësjellësit dhe kanalizimit dhe rrjeteve kabllore. Kjo hartë e integruar do t’i eliminojë dëmet në infrastrukturën publike, do t’i lehtësojë investimet për të ardhmen, do të ofrojë siguri për qytetarët dhe mbi të gjitha është bazë mbi të cilën investohet për avancimin e infrastrukturës publike”, ka thënë Aliu.
E kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka shpalosur planet e tij për fshatin Bardhosh, të cilat tha se do të realizohen gjatë mandatit katërvjeçar. Për këtë fshat, Ismaili premtoi rregullimin e sheshit përgjatë kanalit të Ibër-Lepencit, shkollë të re, përmirësim të rrjetit të tensionit elektrik dhe furnizimit me ujë, krijim të shtigjeve për këmbësorë e mbështetje për agroturizëm e zhvillim rural.
“Qe cilat janë zotimet e mia për Bardhoshin: Rregullimi i sheshit përgjatë kanalit Ibër-Lepenc, qendër multifunksionale me hapësirë për sport e kulturë. Bardhoshi meriton të jetë pjesë e investimeve komunale, jo të harrohet nga qeverisja e qytetit”, ka theksuar Ismaili.
Në Prizren, kryetari Shaqir Totaj që është në garë për edhe një mandat, është zotuar se në katër vjetët e ardhshme do ta dyfishojë përkrahjen për fermerët, do të sigurojë shumë pajisje të makinerisë dhe do të bëjë hapjen e rrugëve fushore.
Në Pejë, kandidatja e PDK-së për kryetare, Arta Vokshi-Nallbani, tha se ndër sfidat kryesore të Komunës është edhe procedura e legalizimit të objekteve dhe ndërtimeve pa leje. Ajo tha se do ta përshpejtojë këtë procedurë për familjet që kanë ndërtuar me mund objektet e tyre, e të cilat kanë mbetur të bllokuara me vite, si pasojë e procedurave të vështira dhe burokratike për leje.
“Si kryetare e ardhshme e qytetit të Pejës, unë premtoj se do të përshpejtoj procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke e bërë atë më të thjeshtë dhe më transparent për qytetarët tanë. Do të krijoj një zyrë të posaçme me staf të trajnuar, kryesisht me juristë dhe gjeodetë të licencuar, të cilët do të merren ekskluzivisht me kërkesat e legalizimit të ndërtimeve pa leje”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Rrahim Tërnava, i cili është kandidat për kryetar të Fushë-Kosovës, ka thënë se qyteti meriton qeverisje më të mirë që punon për qytetarët dhe për çdo lagje. Ai tha se PDK-ja ofron zgjidhje të qëndrueshme dhe jo fushata të përkohshme për Komunën. Premtoi ndërtimin e një Qendre të re të Mjekësisë Familjare si nevojë urgjente për qytetarët.
“Fushë-Kosova ka nevojë urgjente për një QKMF të re! Shëndeti i qytetarëve nuk mund të presë dhe nuk mund t’i besohet këtij pushteti që ‘zgjohet’ vetëm 6 muaj para zgjedhjeve”, ka thënë ai.
E në Drenas, kandidati për kryetar, Petrit Hajdari ka publikuar një fotografi nga pritja që i është bërë në fshatin Gllanasellë, nga i cili është kryetari aktual, Ramiz Lladrovci.
“Nuk është vetëm nder, është shprehje e qartë që tregon se ke plot bashkëmendimtarë, se nuk je vetëm në përpjekjen për ta ndryshuar vendin. Përkundrazi, kjo është kërkesë e secilit, kudo, siç u konfirmua edhe sot në Gllanasellë”, ka shkruar ai. “Pritje si kjo ta bëjnë të qartë jo veç nderin e respektin, po përgjegjësinë e thellë që duhet ta ndiejë ai që synon të drejtojë”.
E në Skënderaj, kandidati për kryetar, Sami Lushtaku ka bërë vizitë në disa fshatra, ku është shprehur se do ta bëjë me përkushtim udhëheqjen e komunës e do ta kthejë në projekte konkrete mbështetjen e qytetarëve.
