Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri ka bërë të ditur se ka lidhur koalicion me kreun e partisë turke KDTP, Ergin Kanin, në Mitrovicë për balotazh.
Në njoftimin e bërë në Facebook, Tahiri tha se ky koalicion do të jetë një angazhim i përbashkët për të siguruar mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mirë.
“Një hap tjetër i rëndësishëm për të ardhmen e Mitrovicës. Me mikun tim, Ergin Kanin, Kryetar i Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë, sot nënshkruam marrëveshjen e koalicionit dhe mbështetjes për mua në zgjedhjet e 9 nëntorit për Kryetar të Mitrovicës. Koalicioni katërvjeçar do të jetë një angazhim i përbashkët për të siguruar që çdo qytetar i Mitrovicës të ketë mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mirë në qytetin tonë”, ka shkruar ai në njoftimin për koalicionin.
Tahiri më 9 nëntor përballet me Faton Pecin e Lëvizjes Vetëvendosje.